Gratë, mjedisi dhe qyteti: Një histori nga Shkodra
Nga një studente vullnetare, te zëri i komunitetit për mjedisin dhe klimën
Në një qytet ku liqeni, deti dhe malet bashkëjetojnë në një hapësirë të vogël, mbrojtja e mjedisit nuk është thjesht një koncept abstrakt. Është një zgjedhje e përditshme. Për Aurora Dibrën, kjo zgjedhje nisi herët – jo nga një projekt apo një detyrë pune, por nga dëshira për t’u përfshirë dhe për të bërë diçka konkrete për vendin ku jeton.
Sot, ajo është pedagoge, aktiviste dhe themeluese e një organizate mjedisore, por rrugëtimi i saj ka kaluar përmes auditorëve, vullnetarizmit, kërkimit shkencor dhe angazhimit qytetar. Një histori që tregon se mjedisi nuk mbrohet vetëm me ligje, por edhe me njerëz.
Kur angazhimi fillon në bankat e shkollës
Impenjimi i Aurora Dibrës në çështjet e mjedisit nisi që në vitet e studimit, kur si studente u angazhua vullnetarisht në organizata mjedisore në Shkodër. Ishte një kohë kur mbrojtja e natyrës shihej më shumë si aktivitet dytësor, por për të u kthye shpejt në pjesë të identitetit të saj profesional dhe qytetar.
Më pas, si mësuese e biologjisë dhe pedagoge në Fakultetin e Shkencave, ajo e lidhi edukimin formal me edukimin mjedisor, duke e shtrirë diskutimin përtej librave dhe auditorëve. Studentët, nxënësit, familjet dhe komuniteti u bënë pjesë e një dialogu më të gjerë mbi ekologjinë, biodiversitetin dhe mënyrën se si jetojmë çdo ditë.
“Edukimi për mjedisin nuk mbaron në klasë,” thekson ajo. “Ai vazhdon në familje, në komunitet dhe në mënyrën se si marrim vendime të vogla çdo ditë.”
Nga pjesëmarrëse, në themeluese
Themelimi i organizatës joqeveritare ishte një hap i natyrshëm. Pas eksperiencës si anëtare e disa organizatave mjedisore, Aurora mendoi se ishte koha për një angazhim më të drejtpërdrejtë dhe më të strukturuar. Një hapësirë ku qytetarë, studentë dhe të rinj të mund të kontribuonin jo vetëm si vullnetarë, por edhe si aktorë aktivë në kërkim, monitorim dhe advokaci.
Shkodra ofron një terren të pasur për këtë lloj angazhimi. Liqeni i Shkodrës, deti Adriatik, Velipoja, laguna e Vilunit, zonat pyjore dhe Parku Kombëtar i Thethit janë pasuri natyrore me vlerë të jashtëzakonshme. Por, sipas Aurora Dibrës, pasuria pa kujdes është gjithmonë e rrezikuar.
Kur të dhënat flasin për qytetin
Një nga shtyllat kryesore të punës së organizatës ka qenë angazhimi i studentëve dhe të rinjve në monitorimin e problematikave reale mjedisore. Matjet e ndotjes së ajrit, nivelet e zhurmës urbane dhe analiza e faktorëve ndotës në qytetin e Shkodrës janë kthyer në mjete konkrete për të kuptuar realitetin përtej perceptimit.
Këto monitorime nuk mbeten në sirtarë. Ato përkthehen në rekomandime për qytetarët dhe institucionet vendore, përfshirë Bashkinë e Shkodrës, që të merren parasysh në planet e mobilitetit, rregulloret urbane dhe politikat mjedisore.
Cilësia e ajrit, uji i pijshëm, biodiversiteti urban dhe zhurmat janë elemente që ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve. Studimet mbi gjurmën ekologjike tregojnë se Shkodra mbetet një qytet relativisht i qëndrueshëm, edhe pse sfidat nuk mungojnë.
Qyteti i biçikletave dhe zgjedhjet e vogla
Përdorimi i biçikletave dhe mjeteve të qëndrueshme të transportit është një nga shembujt pozitivë të Shkodrës. Ky trend, i mbështetur edhe nga politikat lokale, ndihmon jo vetëm në përmirësimin e cilësisë së ajrit, por edhe në krijimin e një qyteti më të qetë dhe më të jetueshëm.
Por, siç thekson Aurora Dibra, qëndrueshmëria nuk arrihet vetëm me infrastrukturë. Ajo kërkon ndryshim sjelljeje dhe ndërgjegjësim të vazhdueshëm.
Kur qytetarët ndihen të pafuqishëm
Një nga sfidat më të mëdha që has shoqëria civile është ndjesia e pafuqisë së qytetarëve. Shumë prej tyre janë të motivuar për të vepruar, por përballen me barriera ekonomike dhe mungesë informacioni, sidomos kur bëhet fjalë për investime në energji të pastër dhe efikasitet energjetik.
Iniciativa si komunitetet e energjisë dhe përdorimi i burimeve alternative janë hapa të rëndësishëm drejt tranzicionit të gjelbër, por nuk janë të lehta për t’u zbatuar në realitetin shqiptar. Sipas saj, zgjidhja qëndron te hapat e vegjël, por të qëndrueshëm, që ndërtojnë besim dhe shmangin kthimet pas.
Gratë, mjedisi dhe edukimi i përditshëm
Roli i grave në mbrojtjen e mjedisit është i pamohueshëm. Jo vetëm si profesioniste në arsim, shoqëri civile apo biznes, por edhe si figura kyçe në familje dhe komunitet. Mjedisi lidhet me ushqimin, shëndetin, bimët mjekësore dhe mënyrën se si përdorim burimet natyrore çdo ditë.
Ky edukim i heshtur, por i vazhdueshëm, e bën rolin e grave thelbësor në ruajtjen e ekuilibrave mjedisorë. Në të njëjtën kohë, të rinjtë sjellin energjinë, guximin dhe aftësinë për të ngritur zërin, duke e kthyer ndërgjegjësimin në veprim kolektiv.
Nga komuniteti te Kapitulli 27
Angazhimi qytetar dhe shoqëria civile janë thelbësore për realizimin e objektivave të Kapitullit 27 të Bashkimit Evropian, i cili fokusohet në mjedisin, klimën, biodiversitetin dhe cilësinë e jetës. Përafrimi i legjislacionit është i rëndësishëm, por pa zbatimin në terren dhe pa përfshirjen e komuniteteve, tranzicioni i gjelbër mbetet i paplotë.
“Një qytetar i vetëm ka zë të kufizuar,” thotë Aurora Dibra. “Por i organizuar në grup, ai ka ndikim real.”
Vetëm përmes bashkëpunimit mes qytetarëve, shoqërisë civile dhe institucioneve, mund të ndërtohet një e ardhme më e qëndrueshme.
Ky projekt mbështet nga GreenAL “Mbështetja e Organizatave Mjedisore të Shoqërisë Civile 2024–2027”, i cili financohet nga Agjencia Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim (Sida) me fondet e Qeverisë Suedeze dhe zbatohet nga Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit, në bashkëpunim me VIS Albania dhe COSV – Cooperazione per lo Sviluppo.
© 2026, Pozitivi. All rights reserved.
