Mikroplastika, nga uji në pjatat tona. Rasti i gaforres blu, të mbushur me mikroplastikë dhe zbulimi i saj në laborator
05/02/2026 Shpërndaje

Mikroplastika, nga uji në pjatat tona. Rasti i gaforres blu, të mbushur me mikroplastikë dhe zbulimi i saj në laborator

Punoi:

Esmeralda Keta gazetare

Kristi Bashmilli- Studiues Mjedisor

ABSTRAKT

Ky artikull i bazuar në gazetarinë shkencore që vjen në bashkëautorësi mes dy ekspertëve të medias dhe mjedisit, shqyrton ndotjen nga mikroplastikat në trupat ujorë shqiptarë. Hulumtimi i autoreve është fokusuar tek rasti i gaforres blu, investigimi i organizmit të saj dhe zbulimi i mikroplastikës në laborator. Studimi dokumenton ndotjen e lumenjve dhe bregdetit, me shembuj konkretë si lumi Ishëm dhe laguna Kune–Vain, ku janë identifikuar polipropileni (PP) dhe polietilen (PE) në ujë, sedimente dhe organizma ujorë. Analizat tregojnë se brenda trupit të gaforres janë gjetur sasi të konsiderueshme të polietilenit, një plastikë që vjen nga zbërthimi i qeseve dhe shisheve plastike. Artikulli thekson mangësitë në monitorimin dhe menaxhimin kombëtar të plastikës, duke nxjerrë në pah nevojën për politika të harmonizuara me standardet e Bashkimit Evropian, ndërgjegjësim të popullsisë dhe masa parandaluese në burim, përfshirë ndalimin e qeseve plastike njëpërdorimshme dhe promovimin e materialeve alternative biodegradueshme. Ky material kontribuon në kuptimin e ndikimit të mikroplastikave dhe ofron rekomandime për reduktimin afatgjatë të ndotjes plastike në mjedis.

Peshkatari Qemal Jangu

Me varkën e tij të vjetër, Qemal Jangu përshkon lumin Ishëm dhe del për të peshkuar në detin Adriatik. Lumi ku ai lahej në fëmijëri, është nën pushtetin e mbetjeve, ndaj prej vitesh, ai e kërkon punën e përditshme në afërsi të lagunës së Patokut.

“Atje është shume më pastër. Këtu, ja shihe, nuk ke ku e hedh grepin. Nuk ka jetë këtu”, – thotë ai.  

Ishmi, dikur me ujra të kristalta që banorët e përdornin për t`u larë dhe peshkim, është një ndër lumejtë më të ndotur në Shqipëri. Grykëderdhja e tij është pushtuar nga male mbetjesh plastike, që lumi sjell me vete përgjatë rrjedhës së tij.

I klasifikuar nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit si një ndër lumenjtë më të ndotur në vend, ujrat e tij bëjnë pjesë në kategorinë 5- Gjendje e Keqe, Në të përfundojnë të gjithë llojet e mbetjeve ubane, gjatë rrugës që ai përshkon duke kaluar nga Tirana, Kamza, Vora, etj[1].

Për shkak të kësaj ndotjeje katastrofike jeta në këtë lumë “ka vdekur” dhe njëjtë si Qemali, të gjithë banorët e zonës dalin për peshkim në det.

“Dikur ishte i pastër kristal, madje edhe e pinim. Laheshim në të. Peshkonim dhe kishte shumë peshq, tani as bretkosa nuk ka më. Asgjë!”, – thotë ai, ndërsa përpiqet të pastrojë rrjetën e peshkimit.

“Plastikë, plastikë ka shumë. Ta zë frymën. Ja shikojini edhe vetë si është gjendja. Është katastrofë dhe ta mendosh që ne këtu kemi bërë plazh”, – rrëfen i dëshpëruar Qemali.

I konsideruar një nga vendet më të ndotur në Shqipëri, në grykëderdhjen e Ishmit përfundon çdo vit tonelata me mbetje plastike. Ai derdhet në detin Adriatik, buzë Kepit të Rodonit, duke bërë që kjo sasi gjigande mbetjesh plastike të përfundojë direkt në det.

Ajo, plastika, cilësohet si një ndër ndotjet me ndikimin më të madh negativ në mjedis, për shkak të kohës së gjatë të dekompozimit, e përbën një kërcënim serioz për të gjithë trupat ujorë shqiptarë dhe gjallesat që rriten në ta.

Shqipëria karakterizohet nga një nivel i ulët i menaxhimit të mbetjeve plastike, ku rreth 73% e tyre mbeten të patrajtuara, duke e renditur vendin ndër katër shtetet me performancën më të dobët në trajtimin e plastikës në rajonin e Mesdheut[2]. Në të njëjtën kohë, prania e vendgrumbullimeve ilegale dhe hedhja e mbetjeve plastike në shtretërit e lumenjve vazhdon të përbëjë një shqetësim serioz, për shkak të ndotjes së drejtpërdrejtë të ujërave dhe transportit të vazhdueshëm të mbetjeve drejt detit.

Ndërsa kushtet ekzistuese, përfshirë keqmenaxhimin e mbetjeve plastike, shpërndarjen e tyre në mjedise të hapura dhe vërshimin përmes lumenjve, sugjerojnë se nivelet e mikroplastikave në këto ekosisteme mund të jenë të konsiderueshme. Megjithatë deri më sot mungojnë monitorime zyrtare dhe sistematike për vlerësimin e përqendrimit të mikroplastikës në trupat ujorë të brendshëm dhe në zonat bregdetare.

Agjencia Kombëtare e Mjedisit, institucioni zyrtar përgjegjës për monitorimin e mjedisit në Shqipëri e pyetur nëse monitorohet prania e mikroplastikës në detin Adriatik tha në një përgjigje me shkrim “se ky parametër ende nuk monitorohet pasi nuk është i listuar në parametrat e detyruar monitorues”.

“Detyrimi do lindi kur të implementohet Direktiva Kuadër Detare”, thotë AKM, e cila sqaron se ka vetëm studime shkencore apo projekte lidhur me përcaktimin e mikroplastikës. Por edhe në këtë rast ky institucion u referohet studimeve individuale të ndërmarra nga kërkuesit shkencorë.

Nga ana tjetër Instituti i Shëndetit Publik, që kujdeset për shëndetin e popullatës, nuk iu përgjigj një kërkese për informacion, deri në publikimin e këtij materiali.  

Megjithatë, pak studime të kryera në këtë fushë, kanë gjetur prani të mikroplastikës në trupat ujorë shqiptarë dhe në jetën e gjallë.

Bëhet fjalë për studime lokale që kanë monitoruar përqendrimin e mikroplastikave në trupa ujorë bregdetarë, lagunorë dhe në grykëderdhje lumenjsh. Të dhënat e disponueshme tregojnë se ndotja nga mikroplastikat është konfirmuar në kompleksin lagunar të Kune – Vainit, ku janë identifikuar kryesisht polipropilen (PP) dhe polietilen (PE (HDPE/LDPE)[3]). Përqendrimet e raportuara variojnë nga 370 deri në 750 MP/L në ujë, si dhe prania e mikroplastikës është gjetur në gaforre, duke dëshmuar  përthithjen e mikroplastikave në organizmat ujorë, duke traguar ekspozimin dhe gëlltitjen e tyre përmes ujit dhe ushqimit[4].

Valbona Aliko, biologe dhe ekofiziologe që studion ndikimin e mjedisit në organizëm dhe është një ndër autoret e këtij studimi, thotë se zgjedhur këtë lagunë për ta monitoruar për shkak të rëndësisë së madhe që ka si rezervat natyror dhe pjesë e disa konventave kombëtare e ndërkombëtare.

Ajo shpjegon se për të pasur rezultate sa më të qarta, morën në studim të gjithë ekosistemin, duke filluar që nga sedimenti, kolona e ujit dhe tek disa lloje speciesh më të gjendshme: në këtë rast dy lloje gaforresh.

“Gaforrrja blu që ne morën në këtë rast në studim, është një gaforre e madhe që tregtohet edhe nëpër restorante. Ajo është një lloj alien, pra jo autoktone, por shumë e fuqishme dhe invasive që e ha llojin autokton”, – shpjegon Aliko, pedagoge e departamentit të Biologjisë, në fakultetin e Shkencave të Natyrës, në Universitetin e Tiranës. Tek gaforret studiuesit kanë marrë për analizë organet e brendshme, kanë izoluar mikroplastikën dhe duke u nisur nga përbërja kimike kanë përcaktuar edhe llojin e mikroplastikës.

“Pjesa më e madhe e plastikës së gjetur ishte polietileni, që vjen nga zbërthimi i qeseve dhe shisheve plastike”, – shpjegon Aliko, duke shpjeguar se kishte një lidhje të drejtpërdrejtë mes mikroplastikës së gjetur në këtë lagunë dhe specieve që jetojnë në të.

“Masa e mikroplastikës në fundin e lagunës, pra në sediment, por edhe në ujë dhe tek gaforret ishte shumë korrelative. Që tregonte se gaforret, duke qenë se ushqehen në sediment, e marrin mikroplastikën edhe nga sedimenti edhe nga uji. Kështu që sasia e mikroplastikës është më e madhe”, – shpjegon ajo.

Sipas Alikos, sasia e mikroplastikës e gjetur në ujë, në inde dhe sedimente mund të konsiderohet shqetësuese.

“Edhe nga krahasimet e bëra mikroplastika e gjetur në këtë lagunë bie në fashën që cilësohet si mesatare e lartë, e që bëhet shqetësuese”, – thotë Aliko.

Duke iu refruar alarmit që tashmë është ndezur në të gjithë botën për efektet negative të plastikës në mjedis dhe zinxhirin ushqimor ajo thotë se “institucionet tona duhet të fillojnë të menaxhojnë plastikën”.

“Duhet ta përdorim më pak, duhet, të menaxhohet më mirë nga institucionet dhe të mos shkojë në ujëra. Ka disa metoda në vende të tjera ku kanë filluar hedhin baktere që e hanë plastikën, por është ende utopike të mendosh se mund ta zhdukësh të gjithë plastikën e botës”, – thotë ajo, duke këmbëngulur edhe tek ndërgjegjësimi i popullatës.

Ndërkohë, në grykëderdhjen e lumit Erzen është vërtetuar prania e disa polimerëve/plastikave, përfshirë PVC[5], PA[6], PS[7] dhe PE[8] [9].

Ndërsa, një studim në shkallë më të gjerë, në detin Adriatik, dëshmon praninë mesatare prej 315,009 ± 568,578 objekte km⁻², përqëndrim i cili është konstatuar dukshëm më i lartë në zonat pranë bregut, krahasuar me zonat në det të hapur. Polipropilen (PP) dhe polietilen (PE) referohen si mikroplastikat dominuese të gjetura nga ky studim.[10]

Në të dy rastet shqiptare, vërehet një lidhje e qartë midis përbërjes së mikroplastikave të identifikuara dhe burimeve të tyre të mundshme, të cilat lidhen kryesisht me mbetjet urbane, menaxhimin e pamjaftueshëm të tyre dhe transportimin e plastikës përmes lumenjve drejt detit[11] dhe [12]. Gjë e cila reflektohet edhe në gjetjet në shkallë më të madhe, në studimin në detin Adriatik[13].

Edhe pse në hapa relativisht të hershëm, është vërtetuar ndotja nga mikroplastika dhe ka informacione për ndikimet e mundshme në mjediset natyrore/ujore, organizma dhe në veçanti në shëndetin e njerëzve. Sipas literaturës, mikroplastika hyn fillimisht në zinxhirin ushqimor përmes organizmave të niveleve më të ulëta trofike, si planktoni dhe invertebrorët filtrues, nivelet e ndërmjetme si gaforret dhe më pas transferohet drejt niveleve më të larta si njeriu. Ato veprojnë gjithashtu si bartëse të ndotësve të tjerë, përfshirë ndotës organikë të qëndrueshëm dhe metale të rënda, duke rritur ekspozimin e organizmave ndaj substancave toksike dhe duke përkeqësuar gjendjen ekologjike të habitateve natyrore[14].

Studimet tregojnë se mikroplastikat te njerëzit mund të përthithen përmes ushqimit, ujit të pijshëm dhe frymëmarrjes dhe të shpërndahen në organe të ndryshme, duke arritur deri në tru. Shpesh, si tejet problematike i referohen nanoplastikës, grimcave edhe më të vogla se mikroplastika. Përbërësit kimikë të  këtyre grimcave, varësisht llojit dhe ekspozimit të tyre, mendohet se mund të ndërhyjnë në procese biologjike thelbësore, duke ndikuar negativisht në sistemin endokrin dhe imunitar, në riprodhim dhe zhvillim, si dhe duke rritur rrezikun për sëmundje kancerogjene[15].

Duke iu referuar studimeve të ndryshme mbi efektet që ka mikroplastika në shëndetin e njeriut, ajo thotë se duhet të jemi shumë të kujdesshëm.

 “Në vetvete ne e marrin duke u ushqyer nga uji, ne e marrim duke konsumuar këto organizma, por mund ta marrësh edhe përmes inhalimit. Por që të shkosh tek ajo lidhja e drejtëpërdrejtë me një dëm të caktuar është shumë e vështirë. Kjo pasi trupi i njeriut reagon ndaj shumë faktorëve njëherësh”, – vëren Aliko.

Ndikimi i vazhdueshëm i veprimtarisë njerëzore ka çuar në përkeqësimin e cilësisë së ujit në trupa të ndryshëm ujorë përmes çlirimit të një game të gjerë ndotësish. Midis këtyre ndotësve, mikroplastikat po konsiderohen gjithnjë e më shumë si ndotës me pasoja të dëmshme për vetë cilësinë e ujit dhe zhvillimin normal të organizmave të gjallë në këto ekosisteme[16].

Mikroplastikat përkufizohen si grimca plastike me madhësi nën 5 milimetra (1nm deri në 5mm), të cilat krijohen si rezultat i fragmentimit të materialeve plastike më të mëdha, ose prodhohen në përmasa të vogla për aplikime specifike, siç janë produktet kozmetike dhe të kujdesit personal[17]. Grimcat e mikroplastikës përbëhen nga polimere të qëndrueshme, jo të biodegradueshme[18], të cilat kthehen në kërcënim për mjedisin dhe jetën e gjallë[19]

Valbona Aliko shpjegon se plastika si “boom” filloi të përdorej rreth viteve 1950 dhe në ato vite prodhohej rreth 2 mln ton mikroplastikë në vit, ndërsa tani kemi arritur në 480 mln tonë në vit.

“Mikroplastika nuk zbërthehet, më e thjeshta një qese plastike do 20 vite, më të ndërlikuarat duan mbi 500 vite”, – thotë ajo.

Burimet kryesore të mikroplastikës përfshijnë shpërbërjen e fibrave sintetike nga tekstilet, konsumimin e gomave të automjeteve, procese industriale, degradimin natyrorë (fizike, kimike e mikrobiale) të plastikave më të mëdha, si dhe përdorimin e mikroplastikës në produkte të konsumit të përditshëm[20]. Mikroplastika, veçanërisht në formë kokrrize, fije, fibre, përbën një ndotës mjedisor të qëndrueshëm (jo te biodegradueshëm) dhe me shpërndarje të gjerë, duke u gjetur në ekosistemet ujore dhe tokësore, në ushqim dhe në ajër (në reshjet e shiut dhe dëborës)[21].

Nisur nga këto veti, mikroplastika konsiderohet tejet problematike në natyrë, veçanërisht për trupat ujorë, pasi mund të dëmtojë organizmat e gjallë përmes gëlltitjes, të ndërhyjë në proceset biologjike dhe të paraqesë rreziqe për shëndetin e njeriut përmes futjes në zinxhirin ushqimor[22].

Në dekadat e fundit, ndotja nga mikroplastika ka marrë vëmendje të konsiderueshme në vendet e zhvilluara, duke nxitur angazhimin seriozi të qeverive në uljen e sasisë së saj në mjediset natyrore, me qëllim zbutjen e ndikimit tek ekosistemet dhe njerëzit.

Bashkimi Evropian ka zhvilluar një kuadër të gjerë politikash dhe instrumentesh rregullatore për adresimin e ndotjes nga mikroplastikat, duke u fokusuar kryesisht në parandalimin e burimeve kryesore të mikroplastikës në mjedis.

Në kuadër të Strategjisë së BE-s për Plastikën[23], Planit të Veprimit për Ekonominë Qarkore[24] dhe Planit të Veprimit për Ndotjen Zero[25], Bashkimi Evropian ka vendosur objektivin për reduktimin e ndotjes nga mikroplastikat me rreth 30% deri në vitin 2030, si dhe reduktimin me 50% të plastikës që përfundon në det, deri po në atë vit. 

Veprimet kryesore të planifikuara përfshijnë, kufizimin e mikroplastikave të shtuara qëllimisht në produkte përmes rregullores REACH[26], parandalimin e humbjeve të mikroplastikës përgjatë proceseve industriale dhe transportit, si dhe integrimin e çështjes së mikroplastikës në politikat për mbrojtjen e mjedisit detar dhe menaxhimin e mbetjeve.

Nga ana tjetër, Shqipëria nuk ka një kuadër specifik rregullator për parandalimin e ndotjes nga mikroplastika, por e trajton atë përmes një kuadri të përgjithshëm, i cili adreson kryesisht menaxhimin e përgjithshëm të mbetjeve dhe/apo mbrojtjen e mjedisit.

Kuadri ligjor kombëtar bazohet veçanërisht në ligjin për menaxhimin e integruar të mbetjeve[27], dhe akteve nënligjore që rrjedhin prej tij. Ndërsa kuadri strategjik përfaqësohet nga Strategjia Kombëtare e Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve dhe Plani Kombëtar i Veprimit[28], si dhe planet vendore/bashkiake për këtë qëllim. Nëpërmjet kuadrit ekzistues mund të arrihet minimizimi i plastikës në burim, duke parandaluar/ulur edhe mikroplastikën, si ndotës sekondar nga plastika. Ndalimi i qeseve plastike të holla dhe promovimi i ekonomisë qarkore nga qeveria, janë veprime të cilat kontribuojnë në uljen e burimeve të mikroplastikës. Edhe pse në praktikë ka mjaft për të bërë në këtë drejtim. Problematikë mjaft e theksuar vërehet në praktikën e menaxhimit të mbetjeve dhe mbrojtjen e lumenjve dhe ujërave detare nga plastika dhe mbetje të tjera, ku situata paraqitet mjaft shqetësuese.

Në kushtet aktuale, konsiderohet e domosdoshme që vëmendja të përqendrohet te parandalimi i plastikës në burim, si qasja më efektive për reduktimin afatgjatë të mikroplastikave në mjedis. Konkretisht, sugjerohen këto masa:

  • Shqipëria ka ndërmarrë nismë për ndalimin e qeseve plastike njëpërdorimshme, e cila duhet të forcohet dhe të zbatohet me rigorozitet në praktikë, përmes fuqizimit të mekanizmave efektivë të kontrollit dhe monitorimit.
  • Nevojitet me urgjencë ndërtimi i një skeme të qartë, të integruar dhe funksionale për menaxhimin e mbetjeve urbane në nivel kombëtar, me fokus të veçantë në parandalimin e gjenerimit të mbetjeve plastike dhe rritjen e sasisë së riciklimit.
  • Hartimi dhe miratimi i rregulloreve të posaçme për parandalimin e ndotjes nga mikroplastikat, të harmonizuara me kuadrin rregullator dhe praktikat të Bashkimit Evropian, do të përbënte një hap të rëndësishëm drejt adresimit të këtij problemi.
  • Ndërmarrja e fushatave të gjera dhe të vazhdueshme për pastrimin e mjediseve natyrore nga mbetjet plastike, veçanërisht në zonat pranë trupave ujorë, si lumenjtë, liqenet dhe bregdeti, mbetet thelbësore për uljen e presionit ndaj këtyre ekosistemeve.
  • Të promovohet mospërdorimi, apo zëvendësimi i plastikës jo të biodegradueshme me materiale alternative të biodegradueshme aty ku vlerësohet e mundshme.

Përgjatë tre dekadave të fundit Shqipëria i ka shpallur disa herë luftë plastikës, sidomos asaj njëpërdorimshme, duke premtuar përafrim me standardet e Bashkimit Europian. Por 3 dekada më pas zbatimi i këtyre politikave ka dështuar në mënyrë të përsëritur, duke vënë në vështirësi përmbushjen e kritereve të kapitullit 27, për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.

Ligji nr. 10463, datë 22.09.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, është një ndër aktet më të hershme e që parashikonte reduktimin e mbetjeve plastike nëpërmjet riciklimit, u ndryshua disa herë. Amendimet e përfshira në të në vitin 2020 me qëllim përafrimin me acquis të BE-së, infrastruktura për zbatimin rezultoi problematike dhe e mangët, ndërsa ndarja në burim e mbetjeve dështoi.

Në vitin 2022, qeveria shqiptare ndërmori një hap tjetër ambicioz në luftën ndaj plastikës me miratimin e VKM nr. 118, datë 24.02.2022 “Për ndalimin e prodhimit, importit dhe tregtimit të qeseve plastike mbajtëse”. Kjo VKM parashikonte ndalimin e qarkullimit në treg të qeseve plastike, por tashmë kjo nismë duket sikur është harruar krejtësisht.

Nga ana tjetër Shqipëria nuk ka ende një strategji apo politikë kombëtare për mikroplastikën në lumenj dhe det, duke e lënë të parregulluar këtë proces.

Të gjitha këto dështime në përmbushjen e angazhimeve kanë sjellë ndikim të drejtpërdrejtë në Kapitullin 27 të negociatave me BE-në që lidhen me mjedisin dhe ndryshimet klimatike. Ky kapitull duket se është kapitulli më i vështirë për Shqipërinë, pasi kërkon jo vetëm miratimin e ligjeve, por edhe prova konkrete të zbatimit.

*Ky material është krijuar nga projekti GreenAL, një projekt i financuar nga Agjencia Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim me fonde nga Qeveria Suedeze dhe zbatohet nga Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit, në bashkëpunim me VIS Albania dhe COSV – Cooperazione per lo Sviluppo. Pikëpamjet dhe përfundimet e përfshira këtu nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë Suedeze ose të Sida-s, Agjencisë Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim për Zhvillim.


[1] AKM, Raporti Gjendjes Mjedsit, 2024, fq 86, Tabela fq 87, 18.01.2026, Link: https://akm.gov.al/ova_doc/raporti-per-gjendjen-e-mjedisit-2024/

[2] V. Aliko, E. Goga Beqiraj, M. Qirjo, M. Cani, A.Rama, K. Bego, A. Reka, C. Faggio, Plastic invasion tolling: First evaluation of microplastics in water and two crab species from the nature reserve lagoonary complex of Kune-Vain, Albania, 2022, p2.

[3] Densitet e lartë dhe të ulët.

[4] V. Aliko, E. Goga Beqiraj, M. Qirjo, M. Cani, A.Rama, K. Bego, A. Reka, C. Faggio, Plastic invasion tolling: First evaluation of microplastics in water and two crab species from the nature reserve lagoonary complex of Kune-Vain, Albania, 2022, p4.

[5] Polyvinyl chloride (PVC)

[6] Poliamid (PA)

[7] Polystyrene (PS, including expanded EPS).

[8] Polyethylene (PE, high and low density).

[9] V. GJECI, O. CAKAJ, F. QARRI, K. XHAXHIU, A. LAME4, P. LAZO4, Preliminary study on FTIR analysis of microplastics in water samples of Erzeni River mouth, Adriatic Sea—Albania, Romanian Journal of Ecology & Environmental Chemistry, 7(1), 2025

[10] C. Zeri, A. Adamopoulou, D. Bojanić Varezić, T. Fortibuoni, M. Kovač Viršek, A. Kržan, M. Mandic, C. Mazziotti, A. Palatinus, M. Peterlin, M. Prvan, F. Ronchi, J. Siljic, P. Tutman, Th. Vlachogianni, Floating plastics in Adriatic waters (Mediterranean Sea): From the macro- to the micro-scale, 2018.

[11] V. Aliko, E. Goga Beqiraj, M. Qirjo, M. Cani, A.Rama, K. Bego, A. Reka, C. Faggio, Plastic invasion tolling: First evaluation of microplastics in water and two crab species from the nature reserve lagoonary complex of Kune-Vain, Albania, 2022.

[12] V. GJECI, O. CAKAJ, F. QARRI, K. XHAXHIU, A. LAME4, P. LAZO4, Preliminary study on FTIR analysis of microplastics in water samples of Erzeni River mouth, Adriatic Sea—Albania, Romanian Journal of Ecology & Environmental Chemistry, 7(1), 2025.

[13] C. Zeri, A. Adamopoulou, D. Bojanić Varezić, T. Fortibuoni, M. Kovač Viršek, A. Kržan, M. Mandic, C. Mazziotti, A. Palatinus, M. Peterlin, M. Prvan, F. Ronchi, J. Siljic, P. Tutman, Th. Vlachogianni, Floating plastics in Adriatic waters (Mediterranean Sea): From the macro- to the micro-scale, 2018.

[14] Ziani K, Ioniță-Mîndrican CB, Mititelu M, Neacșu SM, Negrei C, Moroșan E, Drăgănescu D, Preda OT. Microplastics: A Real Global Threat for Environment and Food Safety: A State of the Art Review. Nutrients. 2023 Jan 25;15(3):617. doi: 10.3390/nu15030617. PMID: 36771324; PMCID: PMC9920460.

[15] Osman AI, Hosny M, Eltaweil AS, Omar S, Elgarahy AM, Farghali M, Yap PS, Ëu YS, Nagandran S, Batumalaie K, Gopinath SCB, John OD, Sekar M, Saikia T, Karunanithi P, Hatta MHM, Akinyede KA. Microplastic sources, formation, toxicity and remediation: a review. Environ Chem Lett. 2023 Apr 4:1-41. doi: 10.1007/s10311-023-01593-3. Epub ahead of print. PMID: 37362012; PMCID: PMC10072287.

[16] Osman AI, Hosny M, Eltaweil AS, Omar S, Elgarahy AM, Farghali M, Yap PS, Ëu YS, Nagandran S, Batumalaie K, Gopinath SCB, John OD, Sekar M, Saikia T, Karunanithi P, Hatta MHM, Akinyede KA. Microplastic sources, formation, toxicity and remediation: a review. Environ Chem Lett. 2023 Apr 4:1-41. doi: 10.1007/s10311-023-01593-3. Epub ahead of print. PMID: 37362012; PMCID: PMC10072287.

[17] GESAMP (2015). “Sources, fate and effects of microplastics in the marine environment: a global assessment” (Kershaw, P. J., ed.). (IMO/FAO/UNESCO-IOC/UNIDO/WMO/IAEA/UN/UNEP/UNDP Joint Group of Experts on the Scientific Aspects of Marine Environmental Protection). Rep. Stud. GESAMP No. 90, 96 p.

[18] Polyethylene (PE, high and low density), polypropylene (PP), polyvinyl chloride (PVC), polystyrene (PS, including expanded EPS), polyurethane (PUR) and polyethylene terephthalate (PET).

[19] GESAMP (2015). “Sources, fate and effects of microplastics in the marine environment: a global assessment” (Kershaw, P. J., ed.). (IMO/FAO/UNESCO-IOC/UNIDO/WMO/IAEA/UN/UNEP/UNDP Joint Group of Experts on the Scientific Aspects of Marine Environmental Protection). Rep. Stud. GESAMP No. 90, 96 p.

[20] Osman AI, Hosny M, Eltaweil AS, Omar S, Elgarahy AM, Farghali M, Yap PS, Wu YS, Nagandran S, Batumalaie K, Gopinath SCB, John OD, Sekar M, Saikia T, Karunanithi P, Hatta MHM, Akinyede KA. Microplastic sources, formation, toxicity and remediation: a review. Environ Chem Lett. 2023 Apr 4:1-41. doi: 10.1007/s10311-023-01593-3. Epub ahead of print. PMID: 37362012; PMCID: PMC10072287.

[21] Ziani K, Ioniță-Mîndrican CB, Mititelu M, Neacșu SM, Negrei C, Moroșan E, Drăgănescu D, Preda OT. Microplastics: A Real Global Threat for Environment and Food Safety: A State of the Art Review. Nutrients. 2023 Jan 25;15(3):617. doi: 10.3390/nu15030617. PMID: 36771324; PMCID: PMC9920460.

[22] Osman AI, Hosny M, Eltaweil AS, Omar S, Elgarahy AM, Farghali M, Yap PS, Wu YS, Nagandran S, Batumalaie K, Gopinath SCB, John OD, Sekar M, Saikia T, Karunanithi P, Hatta MHM, Akinyede KA. Microplastic sources, formation, toxicity and remediation: a review. Environ Chem Lett. 2023 Apr 4:1-41. doi: 10.1007/s10311-023-01593-3. Epub ahead of print. PMID: 37362012; PMCID: PMC10072287.

[23] European Commission, European Strategy for Plastics in a Circular Economy, 16.01.2026, Link: https://environment.ec.europa.eu/strategy/plastics-strategy_en

[24] European Commission, Closing the loop – An EU action plan for the Circular Economy, 16.01.2026, Link: https://environment.ec.europa.eu/topics/circular-economy-topics/first-circular-economy-action-plan_en

[25] European Commission, EU Action Plan: ‘Towards Zero Pollution for Air, Water and Soil’, 16.01.2026, Link: https://environment.ec.europa.eu/strategy/zero-pollution-action-plan_en

[26] European Commission,  REACH Regulation, 15.01.2026, Link: https://environment.ec.europa.eu/topics/chemicals/reach-regulation_en , and Amending Annex XVII to Regulation, 15.01.2026,  Link: https://eur-lex.europa.eu/legal-content/EN/TXT/HTML/?uri=CELEX:32023R2055

[27] LIGJi Nr. 57/2025, PËR MENAXHIMIN E INTEGRUAR TË MBETJEVE, Link: https://qbz.gov.al/eli/ligj/2025/10/16/57/fa5eb653-fc56-4cb7-9259-033b89c0d7ae;q=menaxhimi%20integruar%20i%20mbetjeve

[28] VENDIM, Nr. 418, datë 27.5.2020, Link: https://qbz.gov.al/share/SB3eTNl2QjiOuxQ5O-8qGg

© 2026, Pozitivi. All rights reserved.