‘Martohen me abuzuesit’, 45% të grave në botë u mohohet autonomia fizike! 2 vendet me rritje pozitive
12/07/2021 Shpërndaje

‘Martohen me abuzuesit’, 45% të grave në botë u mohohet autonomia fizike! 2 vendet me rritje pozitive

Ndonëse autonomia fizike dhe e shëndetit seksual e riprodhues përbën bazën e të drejtave të njeriut, raporti i fundit i UNFPA “Trupi im, jam unë vetë” tregon se 45% të grave në të gjithë botën u mohohet autonomia e tyre trupore.

Nisur nga kjo statistikë, në të gjithë botën vetëm 55% e grave njohin autonominë fizike dhe janë të lira të vendosin për trupin e tyre.

Pjesa tjetër, 45% e grave nuk kanë të drejtë të vendosin kohën se kur do të bëhen nëna, të zgjedhin partnerin e tyre dhe të përdorin metoda kontraceptive.

Për të shpëtuar nga dënimi për shkak të paragjykimeve sociale që ekzistojnë, sot ka ende gra që martohen me abuzuesit seksual.

Studimi është realizuar në 57 vende të botës dhe tregon emergjencën që kanë kryesisht vendet në zhvillim për të ndryshuar legjislacionin në fuqi dhe për të garantuar të drejtat e njeriut, siç është dhe liria fizike.

Në një pjesë dërrmuese të vendeve ku është bërë studimi gratë kanë humbur integritetin e tyre trupor. Shqetësues është fakti se në botë gratë gëzojnë në të vërtetë vetëm 75 përqind të të drejtave ligjore të burrave.

Vlen të theksohet se një grua nuk gjen përkrahje në politikat shëndetësore për të siguruar metodat kontraceptive. Një homoseksual e ka të vështirë të lëvizë lirisht në rrugët e qyetit.

Pavarërisht pjesëmarrjes në konventa të rëndësishme të të drejtave të njeriut, rolit të kushtetutës dhe legjislacioneve në fuqi, UNFPA thekson në raport se gratë dhe vajzat në shumë raste nuk kanë fuqi për të kontestuar këto pabarazi për shkak të niveleve ende të ulëta të pjesëmarrjes në politikë apo në sektorë të tjerë.

Izolimi, varfëria kanë ndikuar negativisht edhe në respektimin e lirisë së individëve, sidomos tani që shoqëria po kalon një kohë të vështirë për shkak të pandemisë. Sipas raportit të UNFPA në 57 vendet vihet re diskriminimi bazuar në moshë, racë, përkatësi etnike, orientim seksual, aftësi e kufizuar etj.

“Asnjë vend në botë sot nuk mund të pretendojë se ka arritur barazinë gjinore në tërësinë e saj. Do të ishte e vërtetë nëse nuk do të kishte dhunë ndaj grave dhe vajzave, diskriminim në pagë, mungesë në shërbimet shëndetësore, mungesë të autonomisë trupore etj”- thuhet në raport.

Fuqia e grave për t’i thënë jo seksit, është ulur me 20 përqind në 2020 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar (UNFPA, 2019). Midis 22 vendeve, vetëm Uganda dhe Ruanda ka treguar rritje pozitive të trendit për autonominë e grave.

Sugjerim: Nkëto të dhëna shqetëuese UNFPA sugjeron që të përforcohen legjislacionet, nismat për të garantuar lirinë e individëve. Kjo do të thotë më shumë hapa progresivë nga politikbërja, institucionet ekonomike, juridike dhe sociale. Edukimi në shkollë, roli i medias, ofrimi i shërbimeve shëndetësore për kujdesin riprodhues, do ta bënin një shoqëri më të hapur duke u plotësuar nevojat grave dhe vajzave adoleshente.

Po çfarë është autonomia e trupit?

UNFPA Albania kërkon të ndërgjegjësojë shoqërinë mbi rëndësinë që ka pavarësia fizike e individëve, pasi edhe në vendin tonë ka problematika të konsiderueshme në këtë drejtim. Gjetjet janë cilësuar si 7 mite mbi autonominë fizike duke u bashkuar më thirrjen “Është trupi im”. 1. Autonomia fizike konsiderohet si një koncept perendimor. Pra një koncept dhe e drejtë që gjen zbatim në vendet më të zhvilluara ku çdo njeri ka të drejtë për të marrë vendime mbi jetën dhe të ardhmen e tij. 2. Autonomia fizike jo vetëm që është e drejtë individuale por edhe themeli mbi të cilat ndërtohen të drejtat e njeriut. 3. Autonomia trupore përfaqëson individualizimin radikal dhe minon vendimmarrjen në grup. Në këtë drejtim ekspertët mendojnë se vendimet në grup në fakt nuk mund të përshkruajnë të drejtat e individëve. 4. Autonomia trupore mund të përfundojë duke minuar autonominë e tjetrit. Në këtë rast nuk do të thotë se mbështeten vendime për të dëmtuar shëndetin e individit, por një grua ka të drejtë të përdorë masa kontraceptive për të mos shkuar drejt një shtatzënie të padëshirueshme. 5. Disa grupe njerëzish nuk kanë të drejtë për autonomi trupore. Në këtë pikë, ekspertët e shendetit thonë se të drejtën për autonomi fizike e kanë dhe duhet ta gëzojnë të gjithë individët dhe s’ka asnjë motiv për të dyshuar mbi këtë fakt. 6.Autonomia trupore minon traditat dhe besimin në fe. Në këtë rast, autonomia fizike lidhet me potencialin që ka individi për t’u maturuar, rritur personalisht dhe profesionalisht jo si një ndikim në besimin ne fe që është gjithashtu një e drejtë themelore e njeriut. 7. Autonomia trupore është vetëm një çështje tjetër e grave. Në fakt, nuk kanë vetëm gratë mundësitë të zgjedhin për tatuazhet, bizhuteritë, partnerët dhe metodat kontraceptive. Kjo është një e drejtë që u përket të gjithë individëve pra nuk është në thelb çështje gjinie.

UNFPA beson se qeveritë respektive janë duke u angazhuar seriozisht në zbatimin e një sërë marrëveshjeve ndërkombëtare për të mbrojtur pavarësinë fizike të individit. Një pjesë e të cilëve duke përshtatur dhe legjislacionin për të garantuar liritë dhe të drejtat e gjithësecilit.

© 2021, Pozitivi. All rights reserved.