Lajmet e fundit të mira për shpendët, ndalohet gjuetia për 5 vjet të tjera në vend
12/04/2022 Shpërndaje

Lajmet e fundit të mira për shpendët, ndalohet gjuetia për 5 vjet të tjera në vend

Qeveria vendosi ndalimin e gjuetisë dhe për pesë vite të tjera. Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro e bëri të ditur pas mbledhjes së të mërkurës ku renditi disa prej arsyeve që çuan në shtyrjen e vendimit që është në fuqi prej vitit 2014.

Ky projektligj është vazhdim i dy ligjeve që i kishte mbaruar afati, ndërsa Kumbaro theksoi se vendimi për zgjatjen me 5 vite të moratoriumit u bë pasi janë parë efekte pozitive nga dy ligjet e mëparshme. Sipas ministres, është konstatuar një rritje e ndjeshme e numrit të shpendëve të egër dhe një ndërgjegjësim shumë më i madh i popullatës.

Projektligj i ri që është në vazhdim të dy ligjeve që i kishte mbaruar afati dhe është shpallja e moratoriumit të gjuetisë për 5 vitet në vijim. Ka pasur dy ligje më parë, një për vitin 2014-2016 dhe një tjetër në 2016-2021 që i mbaroi afati vitin e kaluar. Duke konstatuar efekte pozitive të masave të marra, në lidhej me faunën e egër, por sidomos me shpendët e egër, është konstatuar një rritje e ndjeshme e numrit të shpendëve të egër dhe një ndërgjegjësim shumë më i madh i popullatës. Në vitin 2016, në censusin e zhvilluar janë konstatuar rreth 60 mijë lloje shpendësh të egër në habitatet e ekosistemit shqiptarë, ndërsa në vitin 2021 jemi në rreth 140 mijë lloje të tilla. Shpallja e këtij moratoriumi kufizon ndjeshëm edhe kërkesën për t’u pajisur me leje armësh gjahu. Në vitet e para janë sekuestruar mbi 800 armë gjahu.”, tha Kumbaro.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit tregoi gjithashtu përgatitje për sezonin turistik ndërsa tha bashkitë kanë shtuar buxhetin për menaxhimin e mbetjeve.

Përgatitja e stacioneve të plazheve sipas ministres Kumbaro ka nisur ndërsa Agjencia Kombëtare e Bregdetit ka mbyllur planin për pastrimin sezonal të tyre.

Projektligji

SHPALLJEN E MORATORIUMIT TË GJUETISË NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Neni 1
Qëllimi

Qëllimi i këtij ligji është ndalimi i ushtrimit të aktivitetit të gjuetisë, me qëllim përmirësimin e gjendjes së llojeve të faunës së egër, objekt gjuetie.

Neni 2
Objekti dhe fusha e veprimit

Ky ligj përcakton rregullat që do të zbatohen gjatë ndalimit të ushtrimit të veprimtarisë së gjuetisë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Neni 3
Pezullimi i përdorimit të zonave të gjuetisë dhe pezullimi i gjuetisë në zonat e mbarështimit të faunës së egër

1. Përdorimi i zonave të gjuetisë, të dhëna për këtë qëllim nëpërmjet ofertës publike, sipas legjislacionit në fuqi për gjuetinë, pezullohet.

2. Kontratat për mbarështimin e faunës së egër janë të vlefshme, por edhe në këto zona, ku mbarështohet fauna e egër, nuk mund të ushtrohet gjuetia deri në afatin e zbatimit të këtij ligji.

Neni 4
Përjashtim nga fusha e veprimit

1. Përjashtohen nga fusha e zbatimit të nenit 2, të këtij ligji:

a) gjuetia në rastet e konstatimit të mbipopullimit të një lloji të faunës së egër, në zonat e lejuara për gjueti dhe në rezervatet e mbarështimit, sipas legjislacionit në fuqi për gjuetinë;
b) gjuetia për qëllime kërkimore-shkencore.

2. Përjashtimi i përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për mjedisin.

Neni 5
Afati i zbatimit

Afati i zbatimit të këtij ligji është 5 (pesë) vjet nga data e hyrjes së tij në fuqi.

Neni 6
Organet e kontrollit

1. Organet që monitorojnë rregullat për ndalimin e ushtrimit të veprimtarisë së gjuetisë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë janë:

a) Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, nëpërmjet institucioneve të varësisë brenda fushës së përgjegjësisë që mbulon;
b) Ministria e Brendshme, nëpërmjet Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe Policisë së Shtetit;
c) strukturat përgjegjëse kontrolluese/inspektuese në bashki.

2. Veprimtaria kontrolluese, sipas këtij neni, ushtrohet në përputhje me legjislacionin në fuqi për kundërvajtjet administrative.

3. Të drejtën e vendosjes së gjobës e kanë strukturat, që janë përcaktuar në pikën 1, të këtij neni.

4. Shqyrtimi e marrja e vendimit përfundimtar dhe ankimi ndaj tij bëhen në përputhje me Kodin e Procedurave Administrative, si dhe me legjislacionin në fuqi për kundërvajtjet administrative.

Neni 7
Sanksionet

1. Shkeljet e këtij ligji, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen, si më poshtë vijon:

a) Kur shkelja kryhet e organizuar nga operatorët e tureve të gjuetisë, shoqatat e gjuetarëve ose federatat e gjuetarëve, subjekti që e organizon dënohet me gjobë në masën 800 000 (tetëqind mijë) – 1 000 000 (një milion) lekë;
b) Kur shkelja kryhet nga një person ose personi është pjesëtar i subjekteve organizuese, sipas shkronjës “a”, të kësaj pike, personi dënohet me gjobë në masën 80 000 (tetëdhjetë mijë) – 100 000 (njëqind mijë) lekë.

2. Në rastet e përsëritjes së shkeljes nga subjektet e parashikuara në shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 1, të këtij neni, përveç dënimit me gjobë, vendoset si dënim plotësues edhe heqja e lejes së gjuetisë, si dhe konfiskimi i armës së gjahut.

Neni 8
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

© 2022, Pozitivi. All rights reserved.