U shmang tragjedia, ky është i riu hero që shpëtoi të aksidentuarit nga autobusi në Tiranë
Dritan Merja është një nga arsyet se përse nga aksidenti i ndodhur katër ditë më parë në Tiranë nuk pati viktima. Ndoshta u gjend rastësisht në vendin e ngjarjes por Merja nga shumë qytetarë është cilësuar si hero. Kur autobusi i linjës së Unazës së Re u përplas me makinën dhe të dy përfunduan në lumin e Lanës, Merja ishte i parë që u shkoi në ndihmë të aksidentuarve.
Duke qenë se autobusi ishte sipër Benzit, i riu shkoi pranë shoferit dhe pasagjerit që ndodheshin në makinë e cila ishte zhytur në ujë. Falë ndihmës së tij dhe miqve të tij, shoferi dhe pasagjeri i Benzit shpëtuan pa plagë të rënda.
“Jo të gjithë heronjtë veshin pelerina! Falënderova vëllanë tonë, Dritan Merja, që në vend që të bënte video me celular, vrapoi me shokët të nxirrte nga makina e aksidentuar mbrëmë Jurgenin dhe Arditin! Shumë mirënjohës për ty lal!”, shkruan kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj keahas fotos me të riun.
Si ndodhi aksidenti më 29 prill? Autobusi i transportit urban përfundoi në lumin Lanë, pasi fillimisht u përplas me një mjet tip Benz. Fatmirësisht të lënduar lehtë mbetën 5 persona. Ndërsa nga hetimet paraprake të kryera nga grupi hetimor dyshohet që shkak i aksidentit të rëndë të jetë humbja e kontrollit të mjetit, nga shoferi i autobusit.
Aksidenti ndodhi vetëm pak metra larg stacionit të autobusit, ku shoferi duhet të ndalonte dhe të mbante korsinë e ngadalësisë. Por në kundërshtim me sinjalistikën urbani ka ecur në korsinë tjetër duke rrezikuar jetën e pasagjerëve që ndodheshin në mjet.
Në rrethana ende të pa zqaruara nga ekspertët e policisë rrugore, autobusi përfundoi në Lanë duke marrë para edhe mjetin Benz në të cilin udhëtonin dy djem të rinj shoferin Jurgen Rama dhe shokun e tij.
Teksa autobusi i aksidentuar vijon të qëndrojë ende në Lanë ka pasur propozime që ai të mos zhvendoset por të qëndrojë si instalacion për të ndërgjegjesuar qytetarët të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.
/Pozitivi.org
© 2022, Pozitivi. All rights reserved.



