Jo vetëm protesta, kriza nxit përdorimin e biçikletave
24/03/2022 Shpërndaje

Jo vetëm protesta, kriza nxit përdorimin e biçikletave

“Ngit biçikletën, jo makinën”. Kjo është motoja e ditëve të fundit pas rritjes së çmimeve duke rikthyer edhe njëherë trendin gjatë pandemisë.

Qeveria njoftoi pasditen e sotme se duke nisur nga e diela e 3 prillit, çdo e diel tjetër në fillim të muajit do të konsiderohet si e dita pa makina. Lajmi është bërë i ditur nga ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro, në një deklaratë për mediat. Nisma do të fillojë nga data 3 Prill dhe e diela e parë e çdo muaji do të jetë si fillim ditë pa makina në qytetet kryesore të çdo qarku.

“Kemi vendosur që ditën pa makina me nisjen e muajit Prill ta shtrijmë në qytetet kryesore të 12 qarqeve të vendit. Ky moment ndryshimesh të mëdha është edhe një thirrje për veprim, për kursim dhe për një mjedis më të pastër. Krizën energjetike si një kronikë të paralajmëruar tashmë jo shumë kohë më parë, fatkeqësisht po e ndjejmë pa dallim në qytet dhe në fshat. Ngjarjet e fundit kanë vënë në vështirësi të gjitha ekonomitë globale, edhe padyshim të gjitha xhepat e familjeve që sigurisht pasojat po i ndjejmë edhe në vendin tonë. Nëse s’mund të shmangim ndezjen e makinës çdo ditë, të paktën ta fillojmë këtë nga ditët e pushimit. Prandaj e nisim planin e ditës pa makina nga e diela e parë e çdo muaji duke filluar prej datës 3 Prill”, tha ministrja Kumbaro.

Udhëzimi i Ministrisë së Mjedisit u është shpërndarë kryetarëve të Bashkive dhe prefektëve të qyteteve në 12 qarqe.

Zbatimi i kësaj nisme do të jetë më i lehtë për shkak të shtimit të korsive të biçikletave gjatë ditëve të fundit. Tashmë që edhe çmimi i naftës është rritur përdorimi i dyrrotakëve në kryeqytet mbetet një zgjidhje ideale. Kjo nismë vjen si një mesazh ndërgjegjësues për qytetarët  që të ulin shpenzimet e portofolit, por njëkohësisht të mbajnë edhe trupin në formë.

Vitet e fundit numri i përdoruesve të biçikletave ka ardhur në rritje. Kryesisht kjo ka ndodhur në Tiranë për shkak edhe të nurmit të rritje të korsive të biçikletave. Kjo reflektohet edhe në rritjen e numrit të biçikletave të shitura. 

Ky është lajm i mirë, pasi kjo kontribuon direkt në një mjedis shumë më të pastër në qytetin më të madh të Shqipërisë.  

Për ata qytetarë që nuk kanë një biçikletë nuk është më e vështirë. Ka shumë stacione ku mund të merrni me qera një biçikletë, veçanërisht pranë Liqenit Artificial. Por ajo që është e re tashmë ështe se po ofrohen ture me biçikleta nga shumë agjenci private në Tiranë, që ofrojnë mënyra të reja për ta eksploruar zonë jashtë Tiranës. Ka ture me bicikletë në Malin e Dajtit, në Kalanë e Petrelës, rreth 5 liqeneve të Tiranës, në Fshatin Peze, Ndroq etj.

© 2022, Pozitivi. All rights reserved.