Ish i pastrehu, shpallet shoferi më i mirë i autobusëve në Londër: Kurrë s’ndaloj së buzëqeshuri
Një burrë që ka kaluar dekada duke fjetur në rrugë dhe në bujtina, është emëruar drejtuesi më i mirë i autobusit në Londër. Arsyeja, sepse kurrë nuk ndalon së buzëqeshuri.
Pat Lawson kryeson listën si shoferi më i mirë i autobusit në Londër i cili pavarësisht se çdo ditë përballej me trafikun, asnjëherë s’e ka humbur durimin dhe buzëqeshjen.
50-vjeçari pranon se kurrë nuk ndalet së qeshuri, sepse më në fund është ulur me këmbë në tokë, pas periudhës si i pastrehë, madje edhe në burg. Ajo çfarë ka kaluar në të shkuarën e ka bërë ta vlerësojë më shumë të tashmen.
Pas rënies në “shoqeri të gabuar” si një adoleshent dhe kohës së kaluar në burg, Lawson thotë se u zvarrit në “ciklin e errët dhe vicioz” të të pastrehëve, krimit dhe drogës.
Ai vendosi ta shembë këtë mur në të cilin kishte ngecur dhe pikërisht aty filloi të pyeste për zgjedhjet që jeta u ofron. Ky është momenti kur vendosi të marrë ndihmë dhe t’i rikthehet jetës.
Një projekt në ndihmë të të pastrehëve e ndihmoi Pat duke i ofruar një trajnim për shofer autobusi. Ai menjëherë u dashurua me punën. “Që në fillim kam qenë shumë entuziast të punoj në industrinë e autobusëve. Unë i them mirëmëngjes çdo pasagjeri dhe i dhuroj një buzëqeshje të madhe”, thotë 50 vjeçari.
Që kur e ka filluar punën në mars të 2017, ai ka fituar dy çmime dhe ka marrë më shumë se 100 rekomandime nga anëtarët e komunitetit.
© 2019, Pozitivi. All rights reserved.
