INNOVENTER – Projekti që fuqizon sipërmarrjet dhe nxit punësimin e të pafavorizuarve në tregun e punës
Inovacioni është një definicion që ka hyrë gjerësish në fjalorin e përditshëm. Dëgjojmë të flitet për inovacion në teknologji, në ekonomi, në sipërmarrje, inovacione sociale etj. Që të konsiderohet inovacion, një proces ose rezultat duhet të plotësojë dy kritere: të jetë risi, pra një proces i ri në atë sektor apo vend dhe, së dyti, të sjell përmirësim në atë sektor apo vend. Inovacionet nuk duhet domosdoshmërisht të jenë origjinale, por mjafton të jenë të reja për përdoruesin, kontekstin ose aplikimin. Kriteri i dytë, përmirësimi, është shumë i rëndësishëm, pasi që të konsiderohet inovacion, një proces ose rezultat duhet të jetë më efektiv ose më efikas sesa alternativat ekzistuese.
Inovacionet sociale janë strategji, koncepte, ide dhe organizata të reja që plotësojnë disa nevoja sociale të shoqërisë. Inovacion social konsiderohet, për shembull, programi ‘Konservimi i Habitatit’, në bazë të të cilit qëndron zbatimi i një programi të krijuar nga Shërbimi amerikan i Peshkut dhe Jetës së Egër dhe Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit, i cili ka në fokus mbrojtjen e specieve në rrezik, nëpërmjet stimulimit ekonomik të banorëve që të kontribuojnë për ruajtjen e habitateve të këtyre specieve.
Ekzistojnë katër elemente të dallueshme të një inovacioni – procesi inovativ, produkti, përhapja ose adaptimi i inovacionit si dhe vlera e krijuar prej tij. Të katër këta element i përmbush më së miri edhe Projekti INNOVENTER “Innovative Vocational Social Entrepreneural Training” (BMP1 / 1.3 / 2738/2017) – Trajnimi Profesional Inovativ i Sipërmarrjes Sociale, i mbështetur nga BE nëpërmjet programit Programit Balkan-Mediterranean 2014-2020, i cili ka bërë bashkë pesë vende të Rajonit, Shqipëri, Bullgari, Greqi, Maqedoni dhe Qipro. Në qendër të këtij projekti qendron krijimi i mundësive që partnerët (vendet zbatuese të Projektit) të adresojnë sfidat e përbashkëta me të cilat ato përballen, të cilat kanë të bëjnë me rritjen e ulët ekonomike që ndikon në përkeqësimin e nivelit të jetesës të kategorive më vulnerabël. Kjo synohet të arrihet nëpërmjet krijimit të një kornize trajnimesh që promovon kompetencat dhe rrit aftësitë e sipërmarrësve të vegjël të mesëm dhe sipërmarrësve socialë. Fuqizimi i sipërmarrësve do të sjellë jo vetëm zhvillim dhe përmirësim të vetë ndërmarrjeve që ata drejtojnë ose themelojnë, por edhe mundësi reale punësimi për kategoritë më vulnerabël, si të rinjtë dhe gratë nga familjet me pak ose aspak të ardhura, personat me aftësi të kufizuara, etj.
Në qendër të Projektit 2-vjecar, INNOVENTER, i cili në Shqipëri implementohet nga Qendra Albania Community Assist – ACA, është krijimi i një pakete të trajnimit profesional për sipërmarrjen sociale për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, në mënyrë që ata të përmirësojnë/përtërijnë veten dhe, në të njëjtën kohë, të angazhojnë si punëmarrës edhe individë të pafavorizuar. Rezultatet kryesore të projektit të adaptuara në nivel kombëtar do të jenë krijimi i kurseve të trajnimit në përputhje me Kornizën Europiane të Kualifikimit (EQF) për sipërmarrjen sociale me kurrikul, module trajnimi dhe doracak, platforma online dhe mobile trajnimi me mjete interaktive për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe mbështetjen e database të njohurive të dijes, programet e mentorimit dhe punësimit.
Trajnimi do të pilotohet dhe zbatohet përmes seancave të hapura të trajinimit në distancë dhe sesioneve të trajnimit nga ekipi i përbashkët i trajnerëve të vendeve partnere. Përfitimet reale do të jenë risitë në rritjen e konkurrencës në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme si dhe niveli i punësimit në to. Krijimi i një rrjeti ndërkombëtar midis sipërmarrësve, përmirësimi i konkurrueshmërisë nëpërmjet ndarjes së njohurive dhe praktikave më të mira, zhvillimi i metodologjive të përbashkëta dhe promovimi i kujdestarisë në mes të praktikuesve të SMV-ve, po ashtu është një risi e këtij Projekti. Po ashtu, një element i rëndësishëm është ngritja e rrjetit të kujdestarëve/mentorëve ndërkombëtarë, të gatshëm për të marrë pjesë në zhvillimin e bizneseve të sapoformuara ose të ngritura nga të rinjtë.
Grupet e synuara nga projekti janë: nxënësit dhe mësuesit e shkollave të mesme ose shkollave profesionale ekonomike dhe menaxhim biznesi, trajnuesit e qendrave profesionale në fushën e sipërmarrjes, sipërmarrësit e bizneseve tradicionale dhe sipërmarrjeve sociale si dhe politikbërësit dhe vendimarrësit.
INNOVENTER fokusohet në zbatimin inovativ të injektimit të aspekteve sociale në trajnimin e sipërmarrjes për të rritur konkurrencën e sipërmarrjeve të vogla të mesme (SME), nëpërmjet zbulimit të burimeve të papërdorura, duke kombinuar në rend logjik krijimin e përmbajtjes së moduleve trajnuese, platformës online dhe pilotimin e kurseve të trajnimit për të nxitur skemën e bashkëpunimit në organizmin e trajnimeve me përfshirjen e institucioneve të arsimit dhe formimit profesional (AFP). Projekti synon të krijojë një paketë trajnimi për sipërmarrjen sociale të orientuar nga Arsimi dhe Formimi Profesional për sipërmarrësit e SMEve në mënyrë që ata të riorganizojnë sipërmarrjen dhe, në të njëjtën kohë, të përfshijnë si punonjës në to persona nga grupet e disavantazhuara. Po ashtu, projekti adreson edhe hendekun që ekziston mes sipërmarrjes tradicionale dhe asaj sociale.
Sjellja së bashku e vendeve partnere është një mjet efektiv, pasi këto çështje ekzistojnë tek të gjith ato, ndërkohë që modulet e trajinimit dhe procedurat e kërkuara do të të përshtaten me nevojat dhe rregullat vendore të secilit vend partner. Shqipëria, si një nga pesë vendet zbatuese të Projektit INNOVENTER, do të bëhet pjesë për herë të parë e një Programi të përbashkët rrjetizimi me vendet e Rajonit, gjë që do të sjellë rritje të kapaciteteve të brendshme të sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe konkurueshmërisë së tyre jo vetëm brenda vendit. Nga ana tjetër, nëpërmjet këtij Projekti do të nxitet edhe rritja e punësimit, si një nga problemet më shqetësuese dhe që pret të adresohet nga politikat qeveritare dhe inisiativat sipërmarrëse.
© 2018, Pozitivi. All rights reserved.
