Ilian Lati: Nga pistoleta e fëmijërisë tek pushka që e bëri kampion Shqipërie
17/11/2023 Shpërndaje

Ilian Lati: Nga pistoleta e fëmijërisë tek pushka që e bëri kampion Shqipërie

Në skenën e sportit shqiptar, një emër ka ngjitur me shpejtësi emrin dhe talentin e tij: Ilian Lati. Një qitës me pasion dhe përkushtim të paimagjinueshëm. Përmes kësaj inverviste, do të hedhim një vështrim në rrugën e tij, nga kurioziteti i ditëve të para te triumfi tashmë si kampion Shqipërie në gjuajtjen me ajër në largësi 10 metra.

Fillesa

Rrugëtimi i Ilianit nisi si një lojë e thjeshtë me pistolete me babanë e tij. “Kur isha i vogël, luaja duke rrezuar kanace. Isha i saktë, i rrëzoja të gjitha,” thotë Ilian.

Në vitin 2017, kur ishte vetëm 14 vjeç, Ilian trokiti në dyert e Klubit Student me një pasion të palëkundur për gjuajtjet me ajër. “Mezi më pranuan sepse më konsideronin të vogël dhe të pafuqishëm për këtë sport. Por isha i vendosur,” shprehet ai.

Poligoni

Me arritjen e moshës 14 vjeç, Ilian ndihej gati për të shkelur në poligon. “Kur mora pushkën në dorë për herë të parë në poligon, ndjeva një emocion të pashpjegueshëm.”

Edhe pse paraqitej në garë me një uniformë që dukej sikur kishte dalë nga një muze, Ilian tregoi një performancë të respektueshme. “Edhe pse nuk mora një rezultat të mrekullueshëm, mbylla garën me të gjitha gjuajtjet duke fituar një pozicion të respektueshëm.”

Vështirësitë

Gjatë rrugës së tij, Ilian u përball me momente sfiduese në gara të tilla si Kampionati Botëror në Baku. “Për mua ishte sfiduese, por dështimet më bënë të rritem dhe të përmirësohem,” shprehet ai.

Mesazhi për të rinjtë

Në fund të intervistës, Iliani ka një mesazh për të rinjtë: “Qitja kërkon kurajo, guxim, dhe qetësi, por mbi të gjitha, disiplinë dhe talent. Ftoj çdo person ta provojë qitjen për të parë nëse i posedon këto cilësi.”

Në këtë rrugëtim të pasur në pasion dhe vendosmëri, Ilian Lati tregon se me talent, përkushtim dhe besim në vetvete, çdo ëndërr mund të bëhet realitet.

© 2023, Pozitivi. All rights reserved.