HYRJA NË BE NJË DËSHIRË E HERSHME E SHQIPTARËVE. PO MË TEJ ÇFARË NDODH ME PUNËSIMIN, ARSIMIN DHE EMIGRIMIN?
Për qytetarët shqiptarë, të cilët nuk janë të përfshirë në procesin teknik dhe politik, interesi është të dinë se çfarë do të ndryshojë në ekonomi, arsim dhe në tërësi në shërbimet që ata kanë nevojë të marrin. Më të përfshirë në këtë proces aktiv si dhe përfitues të drejtë për drejtë janë të rinjtë. “Punësimi i të rinjve, pas anëtarësimit në BE, do të jetë më i lehtë. Ata do ta kenë më të lehtë për të gjetur vendin që dëshirojnë për të punuar pa pasur asnjë lloj kufizimi për sa i takon lejeve të punës, njohjes së diplomave dhe kjo është një arritje e BE-së që i ka shërbyer qytetarëve të vendeve të ndryshme të punojnë kudo pa asnjë pengesë. Kjo do të jetë e mundur dhe për qytetarët shqiptar që mund të zgjedhin të punojnë ligjërisht në periudha të pacaktuara kohore kur vendit të jetë pjesë e unionit evropian” – shprehet Gjepali.
holding blank small flag of European Union
Ndërsa Znj. Gjonaj e sheh këtë të lidhur ngushtësisht me punësimin e kësaj kategorie. “Së pari, do përmirësohen kushtet e punës sipas legjislacionit të brendshëm, i cili do të harmonizohet plotësisht me atë të BE, duke ofruar më shumë garanci dhe mbrojtje për punëmarrësit. Përmendim për shembull Direktivën për Pagën Minimale, standard, e cila do të duhet të respektohet edhe në vendin tonë. Së dyti, do të krijohet mundësia e ushtrimit të profesionit edhe në shtete të tjera anëtare të BE, si pjesë e lirisë së lëvizjes së punëtorëve që është një nga parimet themelore që nga krijimi i Bashkimit Evropian”.
Për sa i takon ndryshimeve në nivelin e arsimit që mund të sjellë procesi i integrimit dhe anëtarësimit të vendit në Unionin Evropian, Znj. Gjonaj beson në progresin në këtë sektor. “Patjetër, pasi BE mbështet vendet anëtare për të ofruar tek qytetarët arsimin dhe trajnimin më cilësor. Mbështetja do të vijë në formën e programeve të Bashkimit Evropian, të cilat ofrojnë fonde, mjete dhe burime për individët dhe organizatat në fushën e arsimit. Njëherësh, BE investohet në drejtim të sigurimit të cilësisë në arsim për të garantuar arsim cilësor në Zonën Evropiane të Edukimit”.
Ndërsa ish Zëvëndësministri i Arsimit dhe pedagogu Olti Rrumbullaku që aktualisht drejton një sekretariat të rëndësishëm arsimor, thotë se procesi është i lidhur ngushtësisht me nivelin e arsimit që shkon drejt një unifikimi të plotë.
“Ndryshimi kryesor është që mund të studiohet në BE, me favore të njëjta me studentin vendas, ndërsa për studentët e huaj, secili shtet diktohet nga ligjet dhe rregullat e veta. Rregullimet dhe përmirësimet e tjera janë dytësore dhe disa mund te arrihen edhe pa qenë anëtar”.
Shqipëria aktualisht po përballet me emigrimin e të rinjve në vendet kryesisht evropiane. Nëse situata mund të mbetet e tillë apo mund të ndryshojë në vitet e ardhshme në integrimin e vendit, ekspertët besojnë tregu i përbashkët do të ketë mundësi më të mira për të rinjtë.
“Rritja e standardeve të brendshme, krijimi i vendeve të reja të punës përmes përmirësimit të klimës së biznesit, kushtet më të mira të punësimit sipas standardeve të legjislacionit evropian, si dhe sigurimi i arsimit cilësor janë të gjithë faktorë që do të ndikojnë në frenimin e ikjes së të rinjve. Këta do të jenë më shumë të motivuar për të kontribuar në vendin e tyre” – sipas Znj. Gjonaj.
Gjithashtu, të rinjtë pas eksperiencës në tregun evropian, mund të sjellin dhe kontributin e tyre këtu. “Hyrja në BE sjell më shumë qarkullim të të rinjve, sepse krijohen me shume kushte që të marrin një eksperiencë të dyfishtë, sidomos duke ndikuar ne rikthimin tyre. Pra, rasti i Rumanisë dhe Bullgarisë janë tregues që të rinjtë janë kthyer dhe po kontribuojnë në vendin e tyre”- thotë Rrumbullaku.
Ndërsa Gjepali nuk mendon se do të ketë ulje të numrit të të rinjve emigrantë. “Përkundrazi, mund të ketë rritje të mëtejshme për shkak të lehtësirave që do të ketë punësimi dhe arsimimi. Mendoj që edhe përgjatë këtyre viteve ka të rinj që shkojnë në BE, potenciali migrator është zvogëluar dukshëm sepse një pjesë e madhe punojnë dhe jetojnë jashtë Shqipërisë. Mendoj se anëtarësimi do të rrisë mundësitë e zhvillimit të vendit, prandaj është një proces që do duhet të eci përpara me shpejtësinë më të madhe të mundshme për të mundësuar që zhvillimi në vendet e BE të ndodhi dhe në Shqipëri”.
Frenimi i flukseve emigratore duhet të shoqërohet me politika të qëndrueshme sociale. Një pjesë e mirë e këtyre politikave do të diktohen nga BE.
“Shtylla Evropiane e të Drejtave Sociale mund t`u japë një nxitje këtyre politikave. Si shembull mund të përmendim miratimin në 2019 të Direktivës për Balancën mes Punës dhe Jetës personale, e cila synon të balancojë këto dy aspekte veçanërisht për prindërit, si dhe adreson nënpërfaqësimin e grave në tregun e punës. Në këtë drejtim, pjesë të legjislacionit evropian të miratuar si rezultat i ndjekjes së këtyre politikave sociale do të integrohen menjëherë në legjislacionin e brendshëm” – shprehet Znj. Gjonaj.
“Ky projekt/aktivitet organizohet në kuadër të programit Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022 me mbështetjen financiare të Kongresit Rinor Kombëtar në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë.”
#tirana #youth #EuropeanYouthCapital2022 #EYC2022 #ActivateYouth
#EuropeanYearOfYouth #NationalYouthCongress #CityOfTirana
© 2022, Pozitivi. All rights reserved.
