
Harrohet “non grata”, Gjykata njeh Kuvendin e 11 dhjetorit, Sali Berisha “rimerr” PD
Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e Komisionit të Rithemelimit të PD, duke njohur ndryshmet e Kuvendit të 11 dhjetorit. Sipas përfaqësuesit ligjor të grupit të rithemelimit të partisë demokratike Ivi Kaso, pas këtij vendimi partia demokratike iu kthehet demokratëve me logo dhe simbole të reja. Kasa deklaroi se vendimi i gjykatës nuk mund të ankimohet dhe ka marrë formë të prerë.
“Sot PD zyrtarisht u kthehet demokrateve që nëpërmjet delegatëve të tyre që u mblodhën në Kuvendin e 11 dhjetorit dhe shprehën vullnetin e tyre për të miratuar statutin e ri logon dhe simbolet e reja. Ditë e madhe për të gjithë demokratët, është zyrtarizuar vullneti i demokratëve.”
Të gjitha ndryshimet e vendosura në këtë kuvend janë pranuar si legjitime nga gjyqtari Agron Zhukri. Ky vendim njeh komisionin e rithemelimit të Berishës si drejtues të Partisë Demokratike. Partia demokratike më herët ka kërkuar që të njihet kuvendi i thirrur nga ish-kryetari Lulzim Basha ai i 18 dhjetorit, por për Kason pas vendimit të sotëm, kjo kërkesë nuk qëndron më.
“Nëse do të keni kuriozitetin të shihnit vendimmarrjet e rëndësishme të Kuvendit të datës 11 dhjetor, një nga vendimet ka anulimin e thirrjes së datës 18 dhjetor si i thirrur në mënyrë të paligjshme nga një kryesi e pa konstituar. Ky vendim tashmë është regjistruar, pra dhe anulimi i Kuvendit të 18 dhjetorit.”
Berisha rikthehet në PD
Pak orë pasi Gjykata e Tiranës, njohu Kuvendin e 11 dhjetorit Komisioni i Rithemelimit kërkoi një mbledhje me anëtarët e tij. Më pas një grup i anëtarëve të Komisionit të Rithemelimit iu drejtuan PD. Në PD dyert i gjetën të hapura dhe fillimisht u takuan me kryetarin e Komanduar të PD, Enkelejd Alibeaj. Pas grupit të Rithemelimit në mbledhje shkoi edhe ish-kryeministri Sali Berisha. Ai u rikthye në PD pas 6 muajsh betejë me Bashën e nisur pasi ky i fundit e përjashtoi nga grupi parlamentar i PD.
Në përfundim të takimit që zgjati një orë, mesazhi kryesor i Berishës ishte bashkimi. E për ta bërë këtë ai tha se kishte marrë sinjale pozivite nga pala tjetër në takim. Nga ana tjetër Berisha tha qartazi se do të kandidojë për kruyetar të PD. Një ndryshim rrënjësor në sjellje ai tha se do ta ketë edhe për Bashës, të cilin nuk e quajti më “Lulzim Brava” por deputeti Basha.
Kriza e brendshme në PD, kërkoi që të diskutohet në grupin parlamentar. Për këtë Berisha tha se ka marrë dakordësi edhe nga Alibeaj. SHBA-ve i kërkoi që të paraqesin një provë për shpalljen e tij “non grata”. Nëse ndodh kjo Berisha tha se do të tërhiqet nga funksionet.
Reagimi i Alibeajt
Pas Berishës një komunikim për mediet pati edhe Alibeaj. Kryetari i komanduar nuk njeh vendimin që njeh si drejtues të partisë demokratike, komisionin e rithemelimit. Alibeaj pati 3 argumente, që sipas tij rrëzojnë vendimin.
“Është një vendim i nivelit të skandaloz. Gjyqtari në tejkalim edhe të ligjit, ka marrë në shqyrtim çështjen. Gjyqtari sot ka marrë një vendim pa pasur dosje, pa pasur prova. Së dyti, pa pasur palë. Sepse që një vendim të ketë efekt mbi palën tonë, duhet që të ishim edhe ne palë apo jo? Është një një vendim ndaj të cilit ne do të ushtrojmë një ankim. Kushtetuta shqiptare, kodet e procedurës civile, ligji “Për partitë politike”, përcakton që ndaj një vendimi që pasi zbardhet, madje edhe kur nuk zbardhet, brenda afatit 15 ditor ke të drejte që të paraqesësh ankim. Ne do të paraqesim një ankim”. Vendimi për statun ai tha prerazi se do të ankimohet.
Alibeaj tha se Berisha jo vetëm nuk duhet të jetë në garën për kreun e PD, por edhe në grupin e PD. Këtë kërkesë Alibeaj theksoi se ia kishte bërë ish-kryeministrit në takimin pa kamera. Ai tha se PD nuk mund të ecë përpara duke parë nga e shkuara, aq më pak me persona të etiketuar si non grata nga SHBA. Duke vlerësuar dorëheqjen e ish-kreut të PD, Basha, Alibeaj tha se pret që edhe Berisha të ndërmarrë të njëjtin akt me Bashen.
Rithemelimi në seli
Një ditë pasi vendosën që të kthejnë selinë në normalitet dhe pasi u takuan në ambientet e PD, përfaqësuesit e Komisionit të Rithemelimit u rikthyen sërish në seli të shtunën. Flamur Noka, Belind Këlliçi inspektuan ambientet e brendshme të selisë blu dhe dyert e hekurit që u vendosën përpara protestës së 8 janarit. Kujtojmë se një nga vendimet e para në takimin e parë të Rithemelimit në selinë blu ishte heqja e dyerve të hekurta. Noka tha se do të kthej në detyrë rojen historik të PD, Pëllumb Matrakun dhe se selia do të t’i rikthehej normalitetit. Të hënën pritet që aksioni politik i PD të përcaktohet në seli nga grupi parlamentar.
© 2022, Pozitivi. All rights reserved.