HAPËSIRAT E GJELBRA DHE BIODIVERSITETI NË TIRANË
24/01/2023 Shpërndaje

HAPËSIRAT E GJELBRA DHE BIODIVERSITETI NË TIRANË

Reforma territoriale që solli konsolidimin e 61 njësive të qeverisjes vendore, bëri që Bashkia e Tiranës të ishte 25 herë më e madhe se ajo e vitit 2015, duke dyfishuar numrin e popullësisë. Si rrjedhojë, u deklarua se kjo ndarje e re shënonte një moment mjaft të mirë që bashkia të planifikonte dhe zbatonte veprimet e saj, për nje qytet të gjelbër në hapësirën metropolitane.

Lindja e një institucioni varësie si Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit, erdhi natyrshëm me qëllim administrimin e territorit të gjelbër të Tiranës së Re. Sipas drejtuesve të kësaj Agjencie në fillim u bë inventarizimi i të gjitha baseneve natyrore, nga ato më të njohurat si Liqeni i Fjollës që është në Pezë, apo të liqeneve të tjera që janë afër Tiranës, por edhe atyre që janë më pak të dëgjuara, si ai i Allgjatës dhe të tjerë. Mirëpo, Tirana urbane kishte nevojë për më shumë bimësi, ndaj ishte nisma e Bashkisë Tiranë për pyllëzimin, ose pyllin orbital ku u evidentuan gjurmët ku kishte akses për të mbjellë bimësi, pemë dhe shkurre dekorative të larta, të cilat shtojnë gjurmën e gjelbër në Tiranë dhe i japin frymëmarrje.  Kjo nismë që nisi ashtu, me protestë, me skepticizëm, por që sot është një nga nismat më të dashura për qytetarët.

Sipas statistikave, në harkun kohor 2017-2022 janë mbjellë 524.523 pemë. Plani për pyllin orbital me mbjelljen e 2 milionë pemëve deri në vitin 2030, në fakt synonte një shifër prej 900.000 fidanë pemësh deri në vitin 2023, shifër e cila ende nuk është arritur siç ishte planifikuar.

Plani lokal i Bashkisë Tiranë përshkruan qasjen për të zvogëluar humbjen e biodiversitetit dhe për të identifikuar dhe zbatuar  ndërhyrjet që mund ta përmirësojnë atë.

Instrumentet e propozuara aty për përmirësimin e biodiversitetit në Tiranë janë:

  • Instalimi i çative biosolare të gjelbra në ndërtesat publike  në mënyrë që të integrohen panelet diellore me bimësi të madhe vendase në çatitë e ndërtesave publike gjë që ende nuk ka nisur, pavarësisht mini-projekteve pilote të ndërmarra.
  • Krijimi i korridoreve të gjelbra për të lidhur hapësirat ekzistuese të gjelbra me ato që do të krijohen në të ardhmen e afërt. Edhe ky evidentim i projektuar në planin 10 vjeçar ende nuk ka nisur të zbatohet.
  • Zhvillimi i projekteve pilot, me të dhëna nga komuniteti vendas për të krijuar korridoret e bletëve në zonat e banuara, që gjithashtu mbetet i pazbatuar.

Gjithashtu, plani vendor angazhohet të zgjerojë korridoret blu dhe të përmirësojë cilësinë e trupave ujorë përmes:

  • Rehabilitimi i lumit të Tiranës dhe parkut të lumit të Tiranës për ta bërë atë hapësirë të aksesueshme publike . Pjesërisht i realizuar, me ndërhyrjet në Unazën e Madhe dhe shpronsimet e kryera në zonën mes Unazës së madhe dhe ish territorit të “Parkut”.
  • Krijimi i parkut të lumit Erzen që nga njëra anë mbron  ligjërisht ambientin rrethues të lumit dhe vetë lumin. Projekt ende i parealizuar.
  • Krijimi i parqeve të lumit Erzen dhe lumit të Tiranës deri në vitin 2030 dhe rehabilitimi i lumit të Tiranës, parkut të lumit të Tiranës si zonë e aksesueshme rekreative publike.

© 2023, Pozitivi. All rights reserved.