“Ëngjëj të zbritur nga qielli”, 4 shqiptarët shpëtojnë nga vdekja të moshuarin në ditën e lindjes
16/12/2017 Shpërndaje

“Ëngjëj të zbritur nga qielli”, 4 shqiptarët shpëtojnë nga vdekja të moshuarin në ditën e lindjes

4 shqiptarë janë bërë heronj të një të moshuari në itali. Makina e Loreno Casini u përmbys në një kanal uji 2.5 metra të thellë më datën 8 Dhjetor ndërsa po udhëtonte për në Via di Chiazzano me “Fiat Punto”.

Në ditën e lindjes ai ishte në prag të vdekjes, por fati ishte me të. Fatmirësisht aty u ndodhën katër shqiptarët të cilët i shpëtuan jetën, shkruan Pozitivi. Në këtë ditë që pësoi aksidentin 67-vjeçari festonte ditëlindjen. Bashkëshortja e Lorenos, zonja Giovanna i ka quajtur 4 shqiptarët “ëngjëj të zbritur nga qielli”.

Kushtet e këqija të motit u bënë shkak që italiani të humbasë kontrollin duke u përplasur me mbrojtëset anash rrugës, e më pas drejt e në kanal. Në një prononcim për mediat italiane i moshuari shprehet se ka tentuar t’ia dalë vetë por nuk ka mundur. “U përpoqa të hapja derën, por ajo ishte bllokuar”. Nuk ka vonuar shumë dhe aty kaluan 4 shqiptarët emrat e të cilëve i moshuari nuk i ka mbajtur mend. Ata kanë qenë duke udhëtuar me makinë dhe sapo kanë dëgjuar të bërtiturat e  67 vjeçarit kanë ndaluar.

Loreno Casini tregon me detaje çfarë bënë heronjtë e tij për ta shpëtuar. “Ata më thanë të hapja derën, por nuk mund të bëja më shumë se aq. Njëri prej tyre bërtiti “shkojmë ta shpëtojmë”. Njëri hapi derën e makinës, ndërkohë dikush tjetër më hodhi rripin dhe më tha që ta kapja.

Ndërsa dy personat e tjerë mbanin barrierën anësore të rrugës që kishte rënë. Nuk kuptova asgjë në atë moment. Nuk e di as nëse i falënderova. Zjarrfikësit u kthyen mëngjesin e së nesërmes për të nxjerrë makinën nga kanali. Ishte shkatërruar, por kjo nuk ka rëndësi”. E kanë tërhequr me litar, të katërt bënë çfarë mundën dhe e nxorën shëndosh e mirë edhe pse kishte thyer një brinjë në momentin që është aksidentuar.

 

© 2017, Pozitivi. All rights reserved.