ÇEKËT, KËTA MIQ TË SISTEMIT SHËNDETËSOR SHQIPTAR!
Ata kanë zgjedhur të ndihmojnë një nga sektorët më të brishtë në Shqipëri, shëndetësinë. Dhe jo rastësisht. Bëhet fjalë për Republikën Çeke që ka një nga sistemet më të mira të kujdesit shëndetësor në Bashkimin Evropian dhe gjithashtu është një prodhues tradicional i pajisjeve të ndryshme mjekësore.
Është kthyer tashmë në një traditë për ambasadën e Çekisë në Tiranë, mbështetja në terma konkretë për spitalet e vendit tonë. E radhës ishte në shërbimet e Spitalit Universitar “Nënë Tereza”. Ambasadori i Republikës Çeke, Karel Urban dhe drejtorja e QSUT Albana Fico, ishin të pranishëm në dorëzimin e shtretërve spitalorë dhe disa pajisjeve medicinale, ndihmë nga ambasada.
Produktet mbajnë vulën çeke pasi janë prodhuar nga kompania çeke Proma Reha dhe u dhuruan në kuadrin e Bashkëpunimit për Zhvillim Çek në Shqipëri. Ambasadori Urban informoi se Republika Çeke zbaton çdo vit në Shqipëri të paktën një projekt ndihme për zhvillim në sektorin e shëndetit.
Këtë vit, përveç furnizimit me shtretër spitalorë, ajo gjithashtu ka mbështetur prodhimin e protezave për personat që janë aksidentuar në këmbë. Vitin e kaluar, ambasada furnizoi spitalin e lindjes “Koço Gliozheni” në Tiranë me një inkubator neonatal të teknologjisë së lartë, prodhuar nga kompania çeke TSE dhe një çantë transporti neonatal nga kompania EGO Zlín.
Këto projekte konkrete me Shqipërinë do të kontribuojnë në zgjerimin dhe thellimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare mes Çekisë dhe Shqipërisë. Por ata që janë më të rëndësishmëm, janë faktorët qëndrueshmëri dhe vijimësi, të zgjedhura si një filozofi pune nga çekët në vendin tonë.
© 2023, Pozitivi. All rights reserved.
