Burri dhuron organet e gruas, gjesti i familjes shqiptare kthehet në mesazh sensibilizimi
Gjesti i një familje shqiptare që dhuroi organet e familjares së tyre pas vdekjes është kthyer në një mesazh sensibilizimi në Itali. Sipas ‘La Martesana’ 37-vjeçaja Jurilda Mara ka ndërruar jetë pas një sulmi nga ataku kardiak ndërsa burri i saj ka vendosur që organet t’i dhurojë për të shpëtuar jetë njerëzish një amanet i lënë edhe nga e ndjera.
Astrit Mara bashkëshorti dhe e ndjera Jurilda Mara jetonin në Tornaghi Cassano së bashku me tre fëmijët e tyre. 37 vjeçarja kishte krijuar një opinion të mirë te të gjithë pasi gjithnjë kishte tentuar të ndihmojë vazhdisht të tjerët, gjë të cilën e bëri edhe pas vdekjes duke dhuruar organet.
“Ajo gjithmonë shqetësohej për të ardhmen dhe dëshira ishte që t’i jepte jetë dikujt tjetër dhe ne ramë dakord që t’i dhurojmë organet e saj. Ajo vuante nga astma, por jo në gjendje të rëndë. Të martën kishte një sulm kur ishte në shtëpi dhe zemra e saj u ndal menjëherë. Mjekët nuk e kanë kuptuar ende se çfarë ka ndodhur, ndërkohë po presim rezultatet e autopsisë”, është shprehur bashkëshorti i të ndjerës.
Ditën kur iu dha lamtumira në shenjë respekti, gjatë ceremonisë ishin të pranishëm miq e të afërm italianë dhe shqiptarë, të cilët kanë ndarë dhimbjen me familjarët për këtë humbje.
© 2018, Pozitivi. All rights reserved.


