“Bota ka nevojë të shikojë lidera”, Mali: Suksesi i Zelenskyt dhe “gabimi” i politikanëve shqiptarë
07/03/2022 Shpërndaje

“Bota ka nevojë të shikojë lidera”, Mali: Suksesi i Zelenskyt dhe “gabimi” i politikanëve shqiptarë

Në një intervistë për pozitivi.org specialistja e PR-it dhe marketingut Edlira Mali ka analizuar strategjinë e komunikimit të dy liderëve më të komentuar të momentit, presidentit ukrainas Volodymyr Zelenski dhe presidentit rus Vladimir Putin, përgjatë luftës.

Duke e konsideruar më të suksesshme strateagjinë e Zelenskyt, të cilin e quan një politikan që i drejtohet direkt publikut duke përcjellë mesazhe që kanë përmbajtje emocionale, Mali bëri një krahasim të tij edhe me strategjitë komunikuese të politikanëve shqiptarë. Pedagogia tha se Zelensky, ndryshe nga politikanët shqiptarë, nuk del shumë në ekranin e televizorit, por përdor ekranet digjitale nëpërmjet rrjeteve sociale.

“Në këtë krahasim do të ishim në kushte të pabarabarta. Politikanët shqiptarë nuk janë përballur me situata të një lufte me përmasa botërore. Megjithatë, nëse do të analizojmë elementë të veçantë të komunikimit politik, mund të them se siç e përmenda më lart, Zelensky, ndryshe nga politikanët shqiptarë, nuk del shumë në ekranin e televizorit, por përdor ekranet digjitale nëpërmjet rrjeteve sociale. Kjo i ka rezultuar e sukseshme dy herë: – Gjatë fushatës elektorale për president, Zelensky komunikoi direkt me elektoratin dhe zgjedhësit nëpërmjet komunikimit virtual me video duke shmangur madje edhe takimet e drejtpërdrejta, në një fushatë shumë të pazakontë virtuale, e cila rezultoi me një fitore të 73% të votave të elektoratit nga ana e Zelensky-t – Sot, duke komunikuar drejtpërdrejt si me qytetarët, ashtu edhe me liderat ndërkombëtarë, po ia del që të kthejë sytë dhe mendjen e të gjithë botës nga Ukraina, nga konflikti i saj me Rusinë duke fituar simpatinë dhe mbështetjen e pjesës më të madhe të botës, përfshirë këtu edhe shtete si Zvicera që zakonisht në situata të tilla qëndrojnë neutralë”, tha ajo.

LEXO edhe: Një reality show gjatë luftës, specialistja e PR-it: Aktrimi i Zelenskyt përballë shahut të Putin, strategjitë që po përdorin

Sipas pedagoges përdorimi i marketingut digjital si kanale komunikimi – I rrjeteve sociale është një aftësi mjaft e suksesshme e tij  që nuk  e praktikojnë shumë qytetarët shqiptarë.

“Ndryshe nga politikanët shqiptarë, Zelensky e ka reduktuar daljen në ekranin e televizorit – gjenerata e tij nuk beson tek media tradicionale. Përdorimi i marketingut digjital – rrjeteve sociale është një aftësi mjaft e suksesshme e tij – You tube, Facebook, Instagram janë kanalet e komunikimit të tij të drejtpërdrejtë si me qytetarët ukrainas, si me qytetarët e shteteve fqinjë, ashtu edhe me qytetarët e mbarë botës, madje edhe me liderat botërorë. Suksesi i tij në përdorimin e marketingut digjital qëndron pikërisht në aftësitë e tij për të krijuar content”.

© 2022, Pozitivi. All rights reserved.