Banorët ngrenë alarmin, “vatër infeksionesh” në mes të pallateve në Tiranë
12/01/2019 Shpërndaje

Banorët ngrenë alarmin, “vatër infeksionesh” në mes të pallateve në Tiranë

Një pishinë në mes të pallateve në Bllokun Gintash në njësinë 11 në Tiranë, e lënë përgjysmë prej më shumë se 15 vitesh është kthyer në një strehë për endacakët, për grumbullimin e mbeturinave dhe vend-konsumim i lëndëve narkotike nga të rinjtë. Banorët sot e quajnë vatër infeksionesh, jo më kot por prej papastërtisë.

Pishina e cila ka nisur të ndërtohet disa vite më parë është lënë në mes nga pronarët, sipas banorëve për arsye ekonomike. Tashmë ky ambient përdoret edhe nga adoleshentët e shkollës “Aleks Buda”, e cila ndodhet ngjitur me pishinën. Të rinjtë e kalojnë natën aty, shpesh edhe të pastrehët. Banorët kërkojnë që kjo ‘vatër infeksionesh’ të zhduket. Situata duhet të marrë zgjidhje, të përfundojë pishina apo në rastin më të mirë të zëvendësohet me një lulishte.

Në këtë zonë hapësirat publike mungojnë. Pishina në të katërta anët është e rrethuar nga pallatet, të cilët në këtë bllok janë rreth 17 . Duke pasur parasysh pozicionin e saj në qendër të pallateve, do ishte më e përshtatshme të zëvendësohet me një park për qytetarët dhe fëmijët. Ata shprehen se gjatë verës ka shumë mushkonja dhe vjen erë e keqe. Madje shpeshherë thërrasin edhe policinë kur shohin aty adoleshentë dhe persona që grumbullojnë lëndë të riciklueshme. Rasti më i fundit ishte lajmërimi i policisë në prag të Vitit të Ri, kur po digjeshin goma, tregojnë banorët.

Edhe Lazam Sefa banor te Blloku Gintash, ngre zërin për këtë pishinë të lënë përgjysmë, e cila është kthyer në rrezik prej vitesh. “Ambienti që ishte planifikuar të bëhet pishinë është kthyer në një burim shumë të keq infeksioni. Ndodhet në mes të pallateve, afër gjimnazit. Gjithsej janë 17 pallate në këtë bllok.

Nuk ka funksionuar dhe ka mbetur e papërfunduar duke u kthyer në një rrezik. Këtu vetëm e kanë nisur. Nuk e dimë arsyen pse ka mbetur përgjysmë. Kjo është një gangrenë e madhe më e rrezikshmja që mund të ketë ndodhur ndonjëherë, në historinë e pallateve. Është një qendër e rrezikshme. Di që nuk kanë leje nga bashkia për ta vazhduar dhe ka mbetur si peng, sepse është pronë private. Ose të ndërtohet siç është menduar në fillim ose të merren masa për të parandaluar problemet. Megjithëse është krejt pa sens që të ndërtohet pishinë në mes të pallateve”, thotë ai.

Banorët e pallateve të frikësuar, çdo natë shohin të rinj dhe jo vetëm që qarkullojnë në këtë ambient që as pishinë nuk mund të quhet, sepse ngjan me një gërmadhë. “Kjo është një vatër e rrezikshme për gjimnazistët. Tërë natën qëndrojnë aty. Kemi raportuar se kështu ndodh dhe vijnë kontrolle nga policia. Bashkia duhet ta zgjidhë, ose të japë leje të përfundojë ose ta prishë. Ky vendi përdoret edhe nga të pastrehët. Aty i zë gjumi natën”, thotë Lazam Sefa, i kontaktuar nga QKSCSH.

Po ashtu edhe 58 vjeçari thotë se ndërtimi i një pishine në mes të pallateve nuk është aspak e përshtatshme. “Nëse më pyet si banor dhe si familjar do thosha se është jo efikase pishina aty ku mendohet të ndërtohet. Është absurditet po të më pyesësh si specialist mjedisi që kam punuar një jetë të tërë me profesionistë që marrin vesh nga kjo punë. Të vendosësh një kosh aty dhe të mendosh se do vijnë të lahen gratë e pallatit është absurditet, për mua”, shton ai.

Kjo zonë ka nevojë edhe për ndërhyrje të tjera siç janë shtrimi i rrugëve të Bllokut Gintash dhe vendosja e punonjësve që përkujdesen për gjelbërimin . “Ndërhyrjet më emergjente janë, shtresë për bllokun, marrja e masave për pishinën, të bëhet ose jo dhe gjelbërimi. Kam qenë drejtor gjelbërimi dikur. Kam titullin qytetar i nderit në qytetin e Kukësit për gjelbërim. Nuk mund të funksionojë që njëherë në muaj të vijnë punëtorët e gjelbërimit të krasisin dhe ujisin pemët. Duhet të vijnë çdo ditë. Shkojmë ankohemi dhe i sjellin një ditë bëjnë nja dy prerje dhe kaq. Kjo është gjendja në kuptimin teknik, në profesionin tim që kam jetuar e punuar për 40 vjet.

Këto punë bëhen me aksion tani, s’ka punëtorë të përditshëm. Unë vetë i vadis me ujin e lokalit, sepse janë shumë bimë aty. Ju bëj shërbim edhe për vete. Por të tjerët s’e bëjnë përditë, s’del njeri tërë verën të ujisë. Gjelbërimi, pastrimi duhet të jenë në varësi të njësisë 11 dhe punëtorët të komandohen nga njësia. Por këtu është me aksion, me aksion vetëm në kohë të Enverit kemi mbjellë. Ti mund të thuash mbill pemë te blloku Gintash po kush i vadit ato. Se ka banorë që thonë s’kemi lekë me i vadit. Duhet të ketë një numër të caktuar punonjësish të përditshëm për mjedisin në çdo njësi”, përmbyll Lazam Sefa, banor në njësinë 11.

QKSCSH përveç pishinës, ka evidentuar edhe probleme të tjera në njësinë 11. Një tjetër banor, Besnik Cjapi thotë se në një lagje të kësaj njësie ku jetojnë 600 banorë, rruga e cila është rreth 70 metra është e mbuluar në baltë. Disa rrugë të kësaj njësie kanë mungesë ndriçimi para pallateve, ka mungesë stolash. Për 600 banorë ka vetëm 3 stola.

Te Blloku Gintash problematikë është edhe parkimi. Automjete nga zona të tjera parkohen aty, duke u zënë hapësirën banorëve të zonës. Dyndja e makinave ka shkaktuar probleme edhe në pastrimin e ambientit poshtë automjeteve. Sakaq kërkohet investim në sinjalistikë dhe shtrim i rrugëve. Një tjetër banor e shikon të nevojshme të ngrihet edhe një sektor zjarrfikëseje në këtë zonë për raste emergjente. Problematikat janë nga më të ndryshmet edhe në këtë njësi, por më problematike në këtë zonë mbetet pishina e cila prej disa vitesh ndodhet në këtë gjendje pavarësisht ankesave të banorëve. Nga Beklie Koltraka

© 2019 – 2022, Pozitivi. All rights reserved.