A do zgjidhen/ Në njësinë 7, nuk përballohen kërkesat në çerdhe dhe kopështe
10/02/2019 Shpërndaje

A do zgjidhen/ Në njësinë 7, nuk përballohen kërkesat në çerdhe dhe kopështe

65 vjeçarja Sofie Parangoni është ndërlidhëse mes zonës së 21-it dhe njësisë administrative numër 7. Që në 95 ka ardhur nga Lushnja dhe ka jetuar në këtë zonë. Kontributi i saj ka qenë në sfera të ndryshme. “Unë jam 65 vjeçe. Kam dalë në pension dhe ende punoj privatisht në shëndetësi, nja 2 orë në ditë, ndihmoj ca njerëz në nevojë. Kam arsim të lartë, të mesmen e kam ndihmës mjeke kurse të lartën e kam Ekonomi Politike, kam punuar në administratë. Të lartën e kam përfunduar në Tiranë”.

Puna e parë ka qenë ndihmës mjeke. Prej shumë vitesh ka punuar në sferat drejtuese të shëndetësisë dhe pushtetit lokal. Por veten e gjen më shumë tek mjekësia. Edhe pse ka dalë në pension ende vazhdon të punojë si mjeke për njerëzit në nevojë, gjithashtu merret me punë në komunitet, shpesh edhe në mënyrë vullnetare. “Ndihem mirë që edhe në këtë moshë punoj, sepse dhe vullnetarisht punoj shumë, kontribuoj në gjithçka. Më bën mire sepse edhe angazhohem. I suportoj edhe njerëzit, sepse jam shumë e lidhur me ta.  Kam punuar dhe me shkollat, 9 vjeçare dhe të mesme. Kam qenë tek “Pjetër Budi”, “Sabaudin Gabrani”, “Arben Broci”, “Naim Frashëri”, rreth 10 vjet atëherë. Jam marrë me punë të ndryshme. Unë jam shumë e lidhur me njerëzit dhe besoj se do vazhdoj të jap kontributin tim derisa të kem mundësi. Nuk rri dot e paangazhuar. Pa ndikuar në përmirësimin e komunitetit ku jetoj”, thotë 65 vjeçarja për QKSCSH.

Gjatë një takimi mes banorëve të njësisë numër 7 dhe administratores Gjinovefa Kadriu, të organizuar nga QKSCSH me mbështetjen e “Lëviz Albania”, zonja Sofie ngriti një sërë problematikash dhe kërkesash për zonën që përfaqëson. Kërkon të zgjerohen ambientet e kopështeve dhe çerdheve në zonë e saj, sepse nuk përballohen kërkesat e qytetarëve, të cilat janë rritur ndjeshëm. Bëhet fjalë për kopështin 43. Ajo kërkon të rinovohet ky kopësht si dhe të ndërtohet një tjetër.

Unë jam pas Sabaudin Gabranit. Nga 21 e poshtë. Janë gati 3 qendra në atë zonë. Unë jetoj në këtë zonë dhe e administroj, jam ndërlidhëse me komunitetin. Në pikë të parë unë mendoj zgjerimin e kopështeve. Në zonë kam 1 kopësht dhe një çerdhe. Për kopështin 43, duam që të rinovohet. Ne e zgjeruam para 7-8 vjetësh por sërish nuk i përballon kërkesat. Duhet të shtohet kapaciteti në vendet ku janë. Sepse ka kërkesa të padiskutueshme. Është rritur cilësia e mirëmbajtjes së fëmijëve, është rritur shërbimi dhe ka kërkesa shumë.

Nëse flas si shkallë njësie, kopështet kanë më shumë ngarkesë por kanë mbetur me të njëjtin kapacitet. Edhe çerdhja po ashtu. Kopështi 43 është që në kohën e munizmit. Tani janë shtuar nja dy grupe por duhen më shumë. Ne kërkojmë që në zonën time të shtohen kapacitet edhe në këtë kopësht por edhe të ngrihet një kopësht i ri. Mund të shtohet një kat si tek çerdhja edhe tek kopështi”, thotë zonja Sofie.

Edhe pse në vendin tonë sipas statistikave ka ulje të lindshmërisë, në këtë zonë janë shtuar kërkesat për kopështe dhe çerdhe sepse ka migrim. “Kërkesat janë shtuar sepse ka ardhje. Migrimi nga qytetet e tjera dhe nga zonat përreth. Si njësi, unë në 95 kur kam ardhur këtu e kam gjetur me 20 mijë banorë, kurse tani 85 mijë banorë si njësi.

Unë kam ardhur në 95 nga Lushnja. Kam ardhur tek motra, erdha me shtëpi atëherë dhe e kam njohur zonën pak a shumë. Unë e njoh dhe si njësi sepse jam zgjedhur para 4-5 vjetësh. Vetëm kur u bashkuam tani që u bëmë njësi administrative se kam qenë anëtare e këshillit e zgjedhur dhe e njoh njësinë si problematikë”, thotë 65 vjeçarja.

Përveç shtimit të kapaciteteve të kopështëve, ndërlidhësja e zonës së 21-it shtron edhe disa kërkesa të tjera, një prej tyre është mirëadministrimi i pallateve. Sipas saj pallatet e vjetra nuk kanë administrator sepse në to banojnë pak familje, dhe s’kanë mundësi ta paguajnë. Rregullorja e vendosur nga urbanistika e bashkisë kërkon që për çdo pallat të ketë 1 administrator. Ndërsa zonja Sofie, kërkon që të bëhen ndryshime në këtë udhëzim, për pallatet e vjetra.

Ajo sugjeron që 3 pallate të vjetra, ose sipas kapaciteteve që kanë, të kenë një administrator të përbashkët. “Përveç ngritjes së kapaciteteve në kopështe dhe çerdhe, e dyta është administrimi. Është e domosdoshme që një administrator të jetë për çdo pallat. Mirë kur pallati ka kapacitete të mëdha pra është 12 katësh, por në zonën time ku jam unë ndërlidhëse, nuk kam pallate të mëdha. Vetëm 1 pallat dhe aty e kemi vënë administratorin. Kurse pallatet e vjetra  që kanë nevojë për ermetime dhe rregullime, duhet të përmirësohet dhe legjislacioni që ti afrohen kapaciteteve të pallateve të reja, të bëhen  3 pallate të vjetra me një administrator. Bashkia thotë që nuk e lejon rregulli, por rregullin ne e bëjmë.

Përderisa ai tjetri do kapacitet që të mbahet nga një administrator, se me 3 kate nuk mund të paguajë një administrator. 6 familje nuk mund të paguajnë një administrator. Edhe familja aq mundësi ka. Pallatet e vjetra kështu janë, por administratorin e kanë të domosdoshme. Është një udhëzim që s’e lejon një administrator për disa pallate. Ata thonë që duhet 1 administrator për pallat, po familjet s’e vendosin ashtu. Ne kemi bërë zgjedhjet, por administratori nuk vihet dot kështu sepse nuk i del pagesa. Administratori le të marri 3-4 pallate. Kjo është zgjidhja që propozojmë ne”, shton më tej ajo.

Banorët në këtë zonë kërkojnë edhe përditësimin e rrugëve, rehabilitim të lulishteve, një qendër social- kulturore. Sigurisht si banorë kërkojmë edhe përditësimin e rrugëve, rehabilitim të lulishteve. Janë ngritur goxha lulishte por duhet dhe rehabilitimi i tyre. Duam dhe një qendër social- kulturore. Bëhen gjithë këto pallate dhe të mos u sugjerohen këtyre pallateve, që këtu duhet një sallë për lagjen, me 100 veta të paktën. Gjithë ky komunitet i madh duhet të ketë një sallë, takimesh, që shërben për sensibilizimin e ndonjë problemi për pastërtinë, për qentë etj”.

Qentë gjithashtu shihen si problematikë në këtë zonë. Edhe pse janë rehabilituar nga ana shëndetësore, mjekja thotë se duhen administruar, pasi shpesh sulmojnë njerëzit, trembin  gratë shtatzanë, fëmijët etj. Administratorja ndërsa ngre këtë problem shprehet: “Edhe qentë i shikojmë si problematikë në lagjen tonë. Tani shyqyr që janë rehabilituar, janë me një shenjë, të siguruar nga pikëpamja shëndetësore, por duhen administruar. Unë e shikoj dhe këtu tek blloku i Vasil Shantos kur kaloj kufirin e njësisë, turren dhe kafshojnë, trembin  gratë shtatzanë, trembin fëmijët, sepse këtu ka dhe shkolla”.

Ndër problematikat e kësaj njësie të ngritura nga banorët janë kioskat dhe çadrat, të cilat kanë zënë trotuaret; kafenetë e shumta, të cilat kanë lënë pak hapësira publike. Banorët kërkojnë më shumë sheshe, parqe. Kërkohet rikonstruktim i lulishteve dhe shtim stolash. Një tjetër banor i lagjes 53 kërkon sovatim të pallateve të vjetra. Kurse para pallatit 64/3 sheshi është kthyer në parkim privat. Banorët hasin vështirësi ndersa kalojnë, trotuari është i bllokuar, dhe shpesh ndodhin aksidente.

Pas evidentimit të problematikave nga banorët vëmë re se ka akoma shumë për të bërë në këtë njësi. Redaksia jonë jo vetëm do të ngrejë shqetësimet e qytetarëve, por do të ndjekë se sa prej tyre do të marrin zgjidhje.

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.