ZYLYFTAR BREGU: Universiteti duhet të ketë një qasje më të mirë me raportin me tregun e punës
19/08/2022 Shpërndaje

ZYLYFTAR BREGU: Universiteti duhet të ketë një qasje më të mirë me raportin me tregun e punës

INTERVISTE ME ZYLYFTAR BREGU. Pedagog në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës

Ju keni tashmë një përvojë shumë të gjatë në universitet, çfarë keni parë të rëndësishme për zhvillimin e studenteve?

Universiteti  për pjesën më të madhe të të rinjve është stacioni i fundit i edukimit. Kështu që për mbarëvajtjen e studentëve dhe suksesin e tyre në këtë stacion janë shumë  e rëndësishme stacionet paraprake. Madje shumë i rëndësishëm është hapi i parë i tyre në sistemin e edukimit, pra sistemi parashkollor, ai fillor nëntëvjeçar e ai i mesëm. Meqënëse studenti pas universitetit del në tregun e punës, njerëzit fajësojnë kryesisht universitetin për mangësitë që të rinjtë tregojnë në tregun e punës. Kjo do të thotë që universiteti të mbushë “gropat” që kanë krijuar ciklet e tjerë arsimorë. Nëse universiteti do të bëjë këtë, nuk do të përmbushë misionin e tij.

Ku mendoni se universitetet duhet të fokusohen më shumë që studentët e tyre të jenë një produkt i gatshëm për tregun e punës?

Universiteti duhet të ketë një qasje më të mirë me raportin me tregun e punës. Kjo edhe sa i përket  emërtimit apo natyrës së diplomave, por edhe sa i përket ndërveprimit me aktorët e tregut të punës, në sensin e praktikave studentore.

A krijojnë universitetet habitatin e mjaftueshëm për praktika e studentëve me median në mënyrë që pas mbarimit të studimeve, studentët të jenë më afër tregut të punës?

Në departamentin tonë (për aq sa kam dijeni, sepse informacionin më të plotë e ka përgjegjësi i departamentit) ne përpiqemi të krijojmë habitatin e nevojshëm duke ecur në tre drejtime.

Së pari duke ndjekur trendet e kohës në lidhje me revolucionin teknologjik të dy tre dekadave të fundit.

Së dyti nëpërmjet angazhimit të lektorëve të jashtëm, të cilët vijnë nga fusha profesionale, pra emra të njohur të gazetarisë që vijnë dhe japin përvojën e tyre në departament.

Së treti nëpërmjet lëndëve praktike dhe praktikave profesionale që janë të shtrira sidomos në dy vitet e fundit të sistemit BA.

A ekziston një urë lidhëse mes universiteteve dhe medias për praktikën gjatë studimeve që duhet të zhvillojnë studentët? 

Siç theksova më sipër një pjesë e drejtuesëve të medias si dhe emrave të njohur të gazetarisë janë të angazhuar si lektorë të jashtëm në Departament. E nuk bëhet fjalë për një numër të vogël, janë më shumë se 30 ekspertë të njohur të medias kombëtare dhe ndërkombëtare.

A është gati një student i degës së gazetarisë për tregun e punës pas mbarimit të studimeve?

Sigurisht që është gati. Kjo siguri me vjen nga fakti se një pjesë e studentëve janë në tregun e punës që në momentin e studimeve.

Cilat organizime apo zhvillime të tjera mund t’i ndihmojnë studentët të aftësohen shpejt profesionalisht?

Intershipet e organizuara.

“Ky material është realizuar në kuadër të programit Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022 me mbështetjen financiare të Kongresit Rinor Kombëtar në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë. Përmbajtja e këtij materiali është përgjegjësi e organizatorit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Kongresit Rinor Kombëtar apo Bashkisë Tiranë”.

#tirana #youth #EuropeanYouthCapital2022 #EYC2022 #ActivateYouth #EuropeanYearOfYouth #NationalYouthCongress #CityOfTirana

© 2022, Pozitivi. All rights reserved.