UNFPA rekomandon ndryshime në Kodin e Punës: T’i shërbejë më mirë nënave gjatë lejes së lindjes
17/12/2020 Shpërndaje

UNFPA rekomandon ndryshime në Kodin e Punës: T’i shërbejë më mirë nënave gjatë lejes së lindjes

Ndërhyrjet e fundit ligjore në Kodin e Punës janë bërë në vitin 2015. Fondi i Kombeve të Bashkuara (UNFPA), ligjvënësit dhe aktorët e tjerë mendojnë se është e nevojshme rishikimi i tij, ose ndërhyrjet që mund të bëhen përmes akteve nënligjore me qëllim që ky dokument t’i shërbej më mirë nënave gjatë lejes së tyre të lindjes dhe në anën tjetër të ndihmoj me tepër punëmarrësit përmes efektivitetit të kontratave dhe zgjidhjes së tyre. Prezantimi i analizës Politikave Familjare të Përgjegjshme Gjinore në Shqipëri vjen si një tablo për sfidat, stereotipet dhe praktikat diskriminuese me të cilat përballen gratë dhe burrat dhe që kufizojnë pjesëmarrjen e tyre të barabartë në tregun e punës dhe jetën familjare.

Po çfarë parashikon kodi i punës për lejën prindërore?

Leja prindërore është katër muaj derisa fëmija të mbushë moshën gjashtë vjeç dhe mund të merret e ndarë, por jo më pak se një javë në vit. Secili nga prindërit mund ta kërkojë lejen prindërore individualisht. Kjo leje është e papaguar dhe nuk mund të trasferohet nga njëri prind tek tjetri. I njëjti rregull ndiqet dhe për fëmijën e birësuar.

Leja e lindjes për nënën

Nëna përfiton 365 ditë kalendarike leje lindje me një minimum prej 35 ditësh përpara dhe 63 ditë pas ditës së lindjes. Leja e lindjes paguhet për 35 ditë para ditës së lindjes dhe për 150 ditë kalendarike.
Pas lindjes, me 80 përqind të mesatares ditore të bazës së vlerësuar neto të dymbëdhjetë muajve të fundit. Pjesa e mbetur e 180 ditëve paguhen me 50 përqind. Të ardhurat e lejes së lindjes përfitohen vetëm nëse gruaja ka derdhur kontribute për të paktën 12 muaj. Ky kusht duhet të plotësohet për çdo fëmijë, me përjashtim të rastit kur shtatëzania e radhës ndodh brenda 24 muajve nga data e lindjes së fëmijës së mëparshëm.

Leja e lindjes për babain

Kodi i Punës i lejon baballarët të marrin tre ditë leje nga dita e lindjes së fëmjës, të cilat duhen paguar nga punëdhënësi. Baballarët mund të marrin lejen e lindjes pas 63 ditësh kur përfundon periudha e detyrueshme e lejes së lindjes për nënën. Leja e lindjes për babait është 267 ditë kalendarike. Nëse nëna nuk përfiton leje lindje babai i siguruar për 12 muaj paguhet 150 ditët e para me 80 përqind të mesatares ditore të bazës së vlerësuar neto të dymbëdhjetë muajve të fundit. Pjesa tjetër e mbetur e ditëve të lejes paguhet me 50 përqind. Të ardhurat për lejen e lindjes së babait mbulohen financiarisht nga Skema e Sigurimeve Shoqërore.

Leja e përkujdesjes për fëmijën

Sipas rregullimeve të Kodit të Punës, në rast përkujdesjesh të domosdoshme për fëmijët në ngarkim, prindërit kanë të drejtën e 12 ditë leje të paguar në vit. Prindërit me fëmijë deri në tre vjeç, kanë të drejtë për një leje të paguar deri në 15 ditë, kur fëmija është i sëmurë, vërtetuar me raport mjekësor. Prindërit kanë të drejtën e një leje shtesë jo më shumë se 30 ditë në vit pa pagesë. Leja i jepet prindit që kujdeset për fëmijën. Në rast të kundërt leja alternohet mes nënës dhe babait.

Përfitimi financiar

Mbështetja financiare për lejet e lindjes për nënën dhe babain bëhen nga Skema e Sigurimeve Shoqërore.
Shpërblimi për lindjen e fëmijës
Mbështetur në Ligjin për Sigurimet Shoqërore, shpërblimi për lindjen e fëmijës paguhet vetëm njëherë. Kusht është që nëna ose babai të kenë qenë të siguruar të paktën për një vit para datës së lindjes. Prioritet në përfitimin e shpërblimit ka nëna. Shpërblimi është i barabartë me 50 përqind të pagës minimale për çdo fëmijë të lindur ose ndryshe 13.000 Lek.

Ushqyerja e fëmijës me gji

Rregullimet e Kodit të Punës i japin të drejtën nënës me fëmijë në gji, që të zgjedhë midis një pushimi të paguar prej dy orësh në orarin normal të punës ose një orari pune të shkurtuar me dy orë me të njëjtën pagë si orari normal. Ky lloj përfitimi është i vlefshëm nëse nëna vendos të kthehet në punë pas periudhës 63 ditë pas lindjes deri sa fëmija të mbushë një vjeç.
Përkujdesja ndaj fëmijës
Përveç lejeve të paguara për përkujdesjen ndaj fëmijës , të përshkruara më sipër, nuk ka rregullime të tjera financiare që mbështesin prindërit. Ligji i Sigurimeve Shoqërore lejon për prindërit me aftësi të kufizuara, të përfitojnë një shtesë prej pesë përqind të bazës së
pensionit për t’u kujdesur për fëmijët e tyre. Përfitimi shtesë prej pesë përqind është për secilin fëmijë derisa fëmija të bëhet 18 vjeç por jo më i madh se 25 vjeç nëse fëmija studion dhe nuk është në gjendje të punojë. Në total, përfitimi financiar për kujdesin ndaj fëmijëve nuk mund të kalojë 30 përqind të pensionit bazë për aftësinë e kufizuar.

Gratë Shtatzëna

Është e ndaluar kryerja e orëve shtesë të punës nga gratë shtatzëna dhe pas lindjes së fëmijës, derisa fëmija të mbushë moshën një vjeç. Gratë shtatzëna janë të ndaluara të punojnë 35 ditë para lindjes (ose 60 ditë kur shtatzëna ka më shumë se një fëmi) dhe 63 ditë pas lindjes. Gratë shtatzëna ose me fëmijë në gji nuk mund të punësohen në punë të rënda ose të rrezikshme që dëmtojnë shëndetin e nënës dhe të fëmijës.

Mbrojtja e vendit të punës dhe kontratës

Me mbarimin e lejes së lindjes, punëmarrësi ka të drejtë të kthehet në vendin e punës ose në një vend pune të barasvlershëm, në kushte njësoj të favorshme. I njëjti rregull zbatohet dhe në rastin e birësimit. Është e pavlefshme zgjidhja e kontratës së punës e njoftuar nga punëdhënësi në periudhën gjatë së cilës punëmarrësi ka përfituar lejen e lindjes për nënën ose babain. I njëjti rregull zbatohet dhe në rastin e birësimit.

Kushte pune fleksible

Kodi i punës rregullon telepunën dhe punën nga shtëpia. Përgjatë telepunës/punës nga shtëpia punëmarrësi kryen punën në shtëpi, ose në një vend tjetër, të përcaktuar në marrëveshje me punëdhënësin, duke përdorur teknologjinë e informacionit, sipas kushteve të rëna dakord midis tyre.

Bonusi i bebeve

Lindi një politikë e qeverisë për të promovuar lindshmërinë dhe për të ndihmuar prindërit në këtë moment të rëndësishëm për ta. financim në vlerën 2,4 miliardë lekë në vit për 60 mijë fëmijë kanë përfituar nga ky program prej Janarit 2019 deri në Tetor 2020.

© 2020, Pozitivi. All rights reserved.