Ultimatumi i KQZ, kush janë 94 partitë që nuk kanë paguar gjobat
94 parti politike kanë marrë ultimatum nga KQZ që të paguajnë gjobat që u janë vënë një vit më parë për shkak se nuk dorëzuan raportet financiare.
Rreth një vit më parë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ndëshkoi me gjoba 1 dhe 2 milionë lekë 106 parti që nuk dorëzuan raportet financiare për vitin 2020 dhe 50 mijë lekë për katër parti të tjera që i patën dorëzuar ato me vonesë.
Por edhe pse ka kaluar thuajse një vit, gjobat nuk janë shlyer. Sipas KQZ, 94 partive politike nuk u është gjetur adresa, për shkak të shënimeve të pasakta në Gjykatën e Tiranës.
Me anë të një njoftimi KQZ, ka lënë 20 ditë afat për të ekzekutuar vullnetarisht detyrimin e tyre.
Njoftimi i KQZ
Adresat e pasakta të selive, 94 parti politike duhet të ekzekutojnë sanksionin administrativ të vendosur nga KShZ
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i bën thirrje publike 94 subjekteve politike që të bëjnë ekzekutimin vullnetar të sanksionit administrativ të vendosur nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve me vendimin nr. 430, datë 22.07.2021, për mosdorëzimin apo dorëzimin jashtë afateve e raporteve vjetore financiare për vitin 2020.
KQZ ka ezauruar mënyrën zyrtare të njoftimit të tyre në adresat e deklaruara nga ana e tyre në Gjykatën Rrethit Gjyqësor, Tiranë.
Institucioni i Postës Shqiptare ka konfirmuar mosmarrjen e këtij njoftimi nga këto parti politike, për shkak të mangësive të adresave të deklaruara nga partitë.
Bazuar në nenin 162, të ligjit nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative”, për njoftimet publike, nga sot, 94 partitë politike kanë 20 ditë afat për të ekzekutuar vullnetarisht detyrimin e tyre.
Shkresa me emrat e 94 partive politike që i’u është drejtuar shkresa nga KQZ.
© 2022, Pozitivi. All rights reserved.














