“The Sun”: Eugent Bushpepa një dritare shprese për Shqipërinë
09/05/2018 Shpërndaje

“The Sun”: Eugent Bushpepa një dritare shprese për Shqipërinë

Shqipëria ka shumë shpresa për këtë vit në Festivalin e Këngës në Eurovizion me përfaqësues Eugent Bushpepën. Mbrëmjen e djeshme në natën e parë të festivalit Eugent Bushpepa u kualifikua për në finalen e Eurovizion 2018 me këngën “Mall” me të cilën pritet të performojë sërish në finalen e madhe që mbahet më 12 maj.

Fill pas performancës së mbrëmshme ku ndezi skenën, “The Sun” i ka kushtuar një artikull këngëtarit shqiptar, ndërsa sjell një panoramë të përgjithshme të rrugëtimit që ka pasur në muzikë.  “Shqipëria po i mban shpresat lart te Eugent Bushpepa këtë vit në Eurovizion. Këngëtari u zgjodh nga një juri profesioniste në finale por kush është ai dhe çfarë sfondi ka”, kështu e fillon artikullin “The Sun”.

Më tutje artikulli vijon duke i bërë një profil të shkurtër se kush është Eugent Bushpepa. “Eugent Bushpepa, i cili nganjëherë njihet me dashuri si Gent, ka lindur në Rrëshen të Shqipërisë më 2 korrik 1984. Ai filloi të këndojë në moshë të re dhe, për të përmbushur ëndrrën e tij, në vitin 2006 u bë pjesë e një programi të Top Channel si këngëtar. Që prej atëherë Eugent ka qenë pjesë e skenës muzikore shqiptare.
Me kalimin e kohës u bë një nga këngëtarët më të njohur të vendit dhe ka mbështetur bende si Deep Purple dhe madje ka luajtur edhe me legjendën e Guns N ‘Roses Ron Thal. Pavarësisht se është në industri që nga viti 2006, këngëtari nuk ka lëshuar kurrë një album të plotë”, shkruan prestigjozja britanike. Bushpepa garoi në edicionin e 56-të të Festivalit të Këngës një konkurs televiziv që zhvillohet gjatë tre netëve. Për 2018 ai u zgjodh përfaqësues i Shqipërisë në Eurosong duke mposhtur një numër artistësh të suksesshëm dhe të dashur.

Kujtojmë se këngëtari ka vendosur të këndojë këngën “Mall” në gjuhën shqipe në skenën prestigjioze të Eusorosng në Portugali, ndryshe nga ç’ka ndodhur me vitet e kaluara ku këngëtarët që kanë përfaqësuar vendin tonë kanë kënduar në anglisht, raporton pozitivi.org. Vëmendja dhe vlerësimi ndaj këngëtarit pas  performancës së mbrëmshme na bën të ndihemi krenarë dhe me shpresa të mëdha për në natën  finale që do të mbahet më datë 12. Lexo artikullin e “The Sun”

© 2018, Pozitivi. All rights reserved.