Të shërbesh me shpirtin e infermierit
Ndonjëherë nuk janë ilaçet që shërojnë. Një fjalë e ngrohtë, një buzëqeshje një shtrëngim duarsh, një përqafim i japin pacientit fuqinë dhe dëshirën për ta përballuar sëmundjen. Infermieri nuk duhet të jetë assesi një mekanizëm që punon brenda orarit për të risistemuar ingranazhe pajisjesh të çrregulluara. Në sytë e çdo pacienti INFERMIERI është hyjni. Sytë, veshët dhe gjithë qenia e të sëmurit drejtohen tek ai. A mund ta merrni me mend zhgënjimin, hidhërimin, trishtimin, dhimbjen dhe lotët që derdh pacienti pas një fjale të pamenduar, pas një neglizhence të pastudiuar, pas harrimit dhe shmangies? INFERMIERI i ardhshëm duhet të kuptojë, duhet të besojë, duhet të krenohet se të nesërmen, për qindra njerëz, ai dhe vetëm ai do të jetë e gjithë bota.
Nuk do të kenë më rëndësi prindërit, fëmijët, vëllezërit, motrat, miqtë e shokët, por vetëm Ai, INFERMIERI. Ai do të jetë qendra e gjithësisë brenda një studioje të vogël e të bardhë. Këtu fillon të bëhesh INFERMIER. Kur ti nuk do t’i përkasësh më vetvetes, por pacientit. Kur ti nuk do të jetosh me nocionin e orës, por me kohën e pacientit. Kur ti nuk do të shkosh ta gëzosh jetën tënde pa luftuar totalisht për të fituar jetën e pacientit. Ky është shpirti i vërtetë i një INFERMIERI. Këtë shpirt, këtë zemër të madhe, duhet të respektojnë dhe të kërkojnë të sëmurët, jo stetoskopin mbi bluzën e bardhë, që gjithkush mund ta mbajë, por jo që gjithkujt mund t’i japë titullin INFERMIER. Publikuar nga “Gazeta infermierët”
© 2019, Pozitivi. All rights reserved.
