Shkrimtari i njohur Agron Tufa dhuron një ‘makinë’ me libra për shkollat në Preshevë
24/01/2018 Shpërndaje

Shkrimtari i njohur Agron Tufa dhuron një ‘makinë’ me libra për shkollat në Preshevë

Nisma studentore “Një Libër më shumë për Preshevën”, e ndërmarrë nga një grup studentësh në Kolegjin Universitar Bedër, e cila synon të mbledhë libra jashtëshkollor në gjuhën shqipe dhe mjete mësimore për shkollat 8-vjeçare dhe të mesme në Luginën e Preshevës, është mbështetur nga aktorë të ndryshëm të shoqërisë sidomos nga përfaqësues të botës akademike.

Shkrimtari i njohur Agron Tufa ka dhënë mbështetjen e tij që në hapat e parë të kësaj fushate sensibilizuese, ku dhuroi rreth 200 libra në ndihmë të fëmijëve në shkollat e Luginës së Preshevës. Një ‘makinë’ me libra, të cilët janë kaq të vyer për shkrimtarin, u dhuruan me dashamirësi për nxënësit në Preshevë, shkruan pozitivi.org.

Problematika e përdorimit të librave shqip në Preshevë së fundmi po merr zgjidhje. Tekstet shqip tanimë lejohen të dërgohen nga Shqipëria drejt Serbisë për t’u harmonizuar me programin e ministrisë së Arsimit të Serbisë. Për herë të parë pas 10 vitesh, për të gjithë nxënësit në Luginë do të ketë 43 tekste të reja shqip. Nisma studentore “Një libër më shumë për Preshevën”, ka ardhur në kohën e duhur, për të ndihmuar në zgjidhjen e një prej sfidave që ka kjo zonë ku jetojnë shqiptarë.

 

© 2018, Pozitivi. All rights reserved.