Pushimet verore në mal, vajzë qyteti apo një “fshatare” e vogël?
11/08/2017 Shpërndaje

Pushimet verore në mal, vajzë qyteti apo një “fshatare” e vogël?

Dilema më e madhe gjatë verës për gjithëkënd është destinacioni që do zgjedhin për të pushuar. Fshati është vendi ideal për këtë sezon. Shikimi të qetësohet, mushkëritë mbushen me ajër të pastër, zemra ngadalëson rrahjet për të ndjekur ritmin e natyrës. Melisa, 12 vjeçarja nga Dibra zgjodhi që pushimet verore t’i kalojë në fshat. “Një pjesë të pushimeve këtë verë vendosa t’i kaloj në fshat te gjyshja. Me të mbaruar shkolla 2 javët  e para të qershorit, u nisa bashkë me motrën time të vogël 7 vjeçe. Këtë gjë e kam bërë prej  vitesh. Sapo mbaron shkolla 2 javët e para pas saj i kaloj me rutinën e mrekullueshme të fshatit. Këtë e bëj për t’u shkëputur nga stresi dhe çdo gjë tjetër e përditshme në Tiranë”.

Nga Tirana në Dibër, një rrugë e gjatë që zgjat 4 orë por e shoqëruar me pamje mahnitëse të qyteteve që duhen kaluar për të mbërritur atje. Për të mbërritur në Dibër duhet të kalosh disa qytete malore duke nisur nga Fushë Krujë, Milot, Rrëshen nëse kalohet nga rruga e re dhe nga Burreli nëse kalohet nga rruga e vjetër, shkruan pozitivi.org. Më pas kalon në Klos, Bulqizë e në fund mbërrin në Dibër. Udhëtarët apo turistët për të shkuar në ndonjërin prej këtyre qyteteve zakonisht nisen me furgona nga Tirana. Po të flasim për gjithësecilin qytet, do duhen orë të tëra për ta përshkruar. Po ndalemi te Dibra, pushimet verore të 12 vjeçares me motrën dhe jeta e përditshme në fshatin Kastriot siç e rrëfen 12 vjeçarja për pozitivi.org.

Në fakt në Dibër, pushimet e një 12 vjeçareje janë ndryshe krahasuar me një më të rritur. 12 vjeçarja nuk mund të ngjisë “Malin e Korabit”, as të shkojë e vetme në Bjeshkë, por ajo mund të përshtatet me rutinën e përditshme të fshatarëve. Tirana asaj i ofron shumë zbavitje. Qendra tregtare ku mund të shëtisësh, të argëtohesh me lojëra të stilit europian në hapësira të kufizuara ka  pafund, por 12 vjeçarja preferon fshatin. Në Tiranë jeta e natës është e gjallëruar. Ndërsa në fshat qetësia të mbështjell si një lëkurë e dytë në muzgun e mbrëmjes kur punët kanë mbaruar.

Në fshatin e vogël të Kastriotit fshatarët punëtorë ngrihen herët në mëngjes, bashkë me të vegjëlit. Me veglat e punës, prerëse, lopatë, sëpatë të vendosura në qafë ose karrocë, në flladin e mëngjesit nisen drejt arave për të punuar tokën. Të tjerë shkojnë në punë në administratë, pjesa tjetër për të shitur prodhimet e tyre në qytet. Qendra e fshatit është vendi ku kryqëzohen katër rrugët kryesore që të çojnë përbrenda tij. Aty bëhet përplasja rastësore dhe përshëndetja rutinë çdo mëngjes mes fshatarëve që e njohin njëri-tjetrin “dhëmbë e dhëmballë”.

Detaji që e veçon kryqëzimin është një krua shekullor, i cili qëndron i njëjti si në komunizëm. Në mëngjes, në kroin shekullor, mbushin shishet me ujë të freskët për t’i marrë me vete në arë. Në drekë të rriturit heqin pluhurin dhe djerën e vapës, ndërsa fëmijët fillojnë të lagen me ujë me njëri-tjetrin, duke shkaktuar të qeshura që shkojnë deri në fund të fshatit. “Kjo është rutinë e përditshme e verës, që mua më kënaq shpirtin”, shprehet 12 vjeçarja për pozitivi.org.

Mëngjesi nis nëpër fushat e gjelbërta, larmia e aromave ndihet gjithandej, ëmbëlsia e njerëzve të thjeshtë është tipar karakterizues që nga fëmijët e deri tek të rriturit. Kjo i tërheq më shumë të kalojnë 2 javë pushime çdo vit 2 vajzat nga Tirana. Gjithçka fillon e gjallërohet nga zhurmat e zgjimit, nga gjeli që lajmëron i pari agimin, nga njerëzit që nxitojnë për në punën e tyre, shkruan pozitivi.org. Ndërsa 12 vjeçarja përpos të tjerave zgjohet me ëmbëlsi nga gjyshja. E njëjta gjallëri është edhe në muzgun e mbrëmjes. Urimi “natën e mirë” bëhet përsëri mes fshatarëve, në kryqëzimin e fshatit, teksa kthehen nga arat ose kur mbushin ujë në kroin që buron nga mali.

Çdo gjë më lart është përshkruar siç e rrëfen 12 vjeçarja për pozitivi.org, e cila 2 javët e verës i kalon çdo vit në fshatin e gjyshes. “Çdo gjë i duket e mrekullueshme”. Këto 2 javë ajo preferon ta quajë veten fshatare sepse bën çdo gjë që bëjnë banorët e këtij fshati, me 50-60 shpi dhe gati 300 banorë. Përveç dashamirësisë së njerëzve punëtorë, në këtë fshat të vogël me 60 shtëpi prodhimet bio janë një vlerë e shtuar, rigjenerim trupi për këto 2 vogëlushe dhe shumë të tjerë që jetojnë aty. Vera është stina e qershive, mollëve, dardhave dhe shumë e shumë prodhimeve tjera të cilat janë në arën e çdo bukju në fshatin Kastriot.

Mjafton vetëm kaq për të kuptuar se sa mirë mund të na bëjë një pushim mes gjelbërimit të fshatit. Të gjitha ata që jetojnë dhe punojnë në qytete të mëdha, të zhurmshme dhe janë të stresuar, duhet të provojnë 2 javë pushime në fshat siç bëjnë dy vogëlushet. Të jetuarit në fshat, sipas studimeve të ndryshme, largojnë ankthin, dhe madje na bëjnë më inteligjentë. Një studim i bërë nga “Sages Colleges di Troy”, në Nju Jork, ka treguar se një lloj bakteri mycobacterium vacae, që gjendet në fusha, është në gjendje të përmirësojë inteligjencën dhe përqendrimin te qeniet njerëzore. Tashmë s’më mbetet tjetër veç t’ju pyes: Kush do jetë destinacioni juaj?

© 2017, Pozitivi. All rights reserved.