Profesionistët e gjeneratës së re të televizionit
Terreni mediatik është një sferë e madhe ku ka bërë bashkë gazetarë të vjetër, por dhe të rinj të tjerë që i bashkohen dita ditës me potencial të madh për tu pozicionuar në profesionin sfidues të gazetarit.
Teknologjia dhe mjetet online e kanë bërë gazetarinë shumë më interaktive dhe më pjesëmarrëse për publikun lokal, kombëtar dhe global e për rrjedhojë me një konkurencë më të fortë në treg. Përgatitja e gjeneratës së rë është një mision i vështirë. Shumë prej tyre vullnetin dhe dëshirën për tu bërë pjesë e medias e kanë më të madhe se sa mundësitë që i ofrohen nga vetë ata që ua kanë nevojën.
Pozitivi.org sjell eksperincën e dy gazetarëve të sukseshshëm në mediat që ata punojmë. Moderatorit në Klan News, Besard Jacaj dhe gazetarit politik në Euronews Albania, Ardit Hoxha.
Prej 8 vitesh është bërë pjesë e televizionit. Besard Jacaj e ka sfiduar veten si spiker lajmesh që në moshën 19 vjecare, moderator i programeve të mëngjesit, por dhe moderator i edicioneve qendrore në mediat kombëtare. I është besuar prezantimi i koncerteve të rëndësishme në qytetin e Shkodrës, nga i cili ai vjen. Për moderatorin, lidhja me ekranin është e shenjtë. Ka intervistuar figura të rëndësishme të politikës, analistë, por dhe emra të njohur të ekranit.
Me elekuencën dhe objektivitetin në moderim duket që ka siguruar kontratën e përhershme me ekranin. Por për Besardin fillimet ka qënë të vështira dhe pse pasioni për televizioni e ka tejkaluar cdo sprovë të dalë përpara.
Jeni pjesë e medias prej afro 8 vitesh, si kanë qënë për ty fillimet në fushën e gazetarisë?
Të vështira, si për këdo. Nuk besoj se është dikush në gazetari që thotë se fillimet i kam pasur të lehta. Unë këtë punë (që në fakt nuk e quaj të tillë) e kam nisur në vitin 2014, paralelisht me studimet e larta po për Gazetari dhe Komunikim. Fillimisht e me një emision modest në një radio lokale, por që atëherë më dukej sikur kisha kapur part time-n e mbrëmjes në një TV kombëtar. Pastaj po atë vit, disa muaj më pas, fillova si moderator lajmesh dhe i një emisioni mëngjesi në televizion. Që nga 2014 deri tani, nuk jam shkëputur asnjë ditë (veç pushimeve verore (qesh)), as nga radio dhe as nga TV, duke qënë pjesë e formateve të ndrshme.
Cila ka qënë vështirësia më e madhe që je ndeshur gjatë këtyre viteve në rrugëtimin mediatik?
Që në fëmijërinë e hershme e kisha zgjedhur me veten se doja të bëhesha gazetar, dhe kisha nisur që atëherë të jepja lajme para pasqyres (qesh). Pra kur e fillova, e kisha një lloj mini-eksperience. Për rrjedhojë, vështirësi të mëdha shumë, nuk mund të them, por ta nisësh në një moshë relativisht të vogël në një treg të madh ka përgjegjësi me të cilat t’i duhet të mësohesh. P.sh. e folura e një gjuhë standarde të kulluar, impostimi përpara kamerave, menaxhimi i situatave të ndryshme në transmetim direkt por edhe në terren, krijimi i një bagazhi mbi aktualitetin dhe politikën, besoj kanë qënë disa sfida që e kanë dashur kohën e tyre të tejkalohen.
Aktualisht je spiker (moderator lajmesh dhe emisionesh) në tv kombëtar Klan Neës, po njëkohësisht punon dhe në radio, pikërishta aty ku ti ke filluar, mes tv dhe radios kë do zgjidhje?
E thashë edhe pak më lart. Ka 8 vite që ia bëj vetës këtë pyetje, nuk kam marrë dot një përgjigje dhe prandaj vazhdoj t’i bëj te dyja. Radio mbetet forma më perfekte e komunikimit me njerëzit sepse mes teje dhe atyre nuk ka asgjë tjetër veç zërit dhe imagjinatës. Ndërsa TV të jep mundësi të hysh në familjen e çdo shqiptari, dhe për dikë që e do komunikimin publik, nuk besoj se ka fat më të madh se ky.
Gjithmonë flitet për lirinë e medias, lirinë e gazetarëve. Gjate këtyre viteve ne tv ju është dashur të bëni kompromis me lirinë e fjalës për shkak të editorialit të tv?
Unë e kam bërë për disa vite edhe terrenin paralelisht me studion, por duke mos qënë i angazhuar plotësisht në të, besoj se ka qënë disi më e lehtë kjo për të cilën po më pyesni. Ama mund të them me plot gojë që në aq media sa kam punuar deri tani, nuk mbaj mend njëherë të më jetë thënë mos e bëj këtë pyteje, ose mos e bëj atë pyetje përballë të ftuarve të çfarëdo niveli. Pra për ata që përtojnë të lexojnë gjatë, përgjigjja për pyetjen tuaj është: Jo…
Cfarë mund të përmirësohet në media në mënyrë që të rinjtë të kenë më shumë mundësi punësimi?
Në fakt, nëse ka një treg që ofron sot punë të garantuar për të rinjtë që duan të punojnë, dhe jo vetëm, është media. Lulëzimi i mediave online, rritja e numrit të televizioneve dhe formave të ndryshme të komunikimit ka rritur nevojën për punonjës në çfarëdo sektori. Sigurisht, që motivimi nga ana e drejtuesve moralisht dhe financiarisht, mbeten shumë të rëndësishme për të rritur rendimentin e të rinjve, dhe për rrjedhojë edhe të vetë medias.
Çfarë i mungon brezit te ri të gazetarëve sot në Shqipëri?
Për brezin e ri në të cilin bëj pjesë edhe unë, dëgjoj shpeshherë kritika nga ata që janë më të mëdhenj në moshë se ne, kështu që unë do them vetëm fjalë të mira. Kolegët dhe koleget në të gjitha mediat në vend, me aq sa kam parë, dhe nga sa kam kuptuar nga komunikimet që kam me miqtë në këtë treg, janë të apasionuar pas kësaj pune, e bëjnë me shumë deshirë, shpeshherë me orë të gjata në shi, diell, në rrezik, në protesta e kudo. Vend për përmirësim ka gjithmonë, vend edhe për kritika ka, por duke i thënë publikisht shpeshherë edhe në formën e akuzave, më shumë e rëndojnë se sa e zgjidhin problemin.
Cila është këshilla juaj për të gjitha ata të rinjë që po studiojnë në degën e gazetarisë dhe duan ti bashkohen medias?
Pasioni mbetet gurthemeli kryesor që ky apartament profesional që duan të ndërtojmë, të ketë sa më shumë kate. Pasioni sjell më pas vullnetin, largon dembelizimin, shton dëshirën që pas bërjes së diçkaje të mirë, e nesermja të ketë diçka tjetër akoma më të mira. Dhe miqësisht një këshillë: njohuritë ekselente të gjuhës shqipe mbeten domosdoshmëri. Mendoj që janë po aq të rëndësishme sa shkrimi i lajmit, sa moderimi i mirë i lajmeve, sa … sa… sa…Më kujtohet një thënie e Prof. Gjovalin Shkrutajt që thotë: Kush nuk di mirë drejtshkimin e gjuhës shqipe duhet të shpallet i paaftë për punë. Ndoshta ky është një vendim ekstrem, por që kemi nevojë që shqipes të mos ia fusim me top, këtë s’e luan as topi!
Ardit Hoxha, gazetari i radios, medias së shkruar, por dhe televizionit. Arma e tij më e fortë mbetet raportimi direkt i “luftrave të ftohta” të politikës. Gjithmonë në ndjekje të lajmit, në sprovën e vështirësitë që të përballë terrenit ia ka dal mbanë me sukses. Prej afro 2 vitesh është pjesë e televizionit Euronews Albania, me këmbngulje dhe me natyrën kërkues të gazetarit që fusha e politikës kërkon.
Si kanë qënë për ty fillimet në fushën e gazetarisë?
Si për çdo të ri që fillon në gazetari, nuk kanë qenë të lehta. Ka qenë jo e lehte që të caje barrierën dhe të futeshe në tregun mediatik, por e vështire ka qenë edhe të mbijetosh, pasi kur je në fillime, një gabim dhe mund të mbetesh pas, nuk të jepet kollaj mundësia e dytë.
Cila ka qënë vështirësia më e madhe që je ndeshur gjatë këtyre viteve në rrugëtimin mediatik?
Vështirësia më e madhe për mua ka qenë ambjentimi me një mjedis, ku të gjithë ata që i ke “armiq”, të duhet ti kesh edhe “miq”. Edhe ngritja e networkut, mund te futet te pjesët e vështira.
Fillimisht ke punuar në radio, ndërsa tashmë je pjesë e televizionit mes këtyre të dyjave kë do zgjidhje?
Angazhimet e para në gazetari i kam në Elbasan, gjatë kohës kur studioja për gazetari në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”. Kam filluar si folës në radio që tani unë e quaj si dashurinë e parë, dhe më pas kam punuar në disa medie lokale atje si gazetar terreni. Unë për fat të mirë në këto 7 vite i kam provuar të gjitha zhanerat e gazetarisë, që nga ëebi, te shtypi i shkruar, radio dhe tv. Të gjitha kanë anët e tyre të bukura, por radio është e pazvendësueshme.
Gjithmonë flitet për lirinë e medias, lirinë e gazetarëve, gjatë këtyre viteve ne tv të është dashur të bësh kompromis me lirinë e fjalës për shkak të editorialit të tv?
Është pak utopike të flitet për lirinë e medias në vende me demokraci të brishtë si Shqipëri. Për tu përgjigjur pyetjes, po ka pasur disa raste që linja editoriale e medieve ku kam punuar ka qenë në përballje me lirine e shprehjes. Nuk ka arritur deri në pikën që të më prekë, por ka pasur raste që e kam ndjerë trysninë që përcjell mohimi i lirisë së shprehjes.
Cfarë mund të përmirësohet në media në mënyrë që të rinjtë të kenë mundësi punësimi….?
Si në cdo sektor në Shqipëri, edhe media ka shumë vend për tu përmirësuar. Liria e shprehjes, trajtimet financiare mund të ishin dy aspeke që më vijnë tani në mend, që nëse përmirësohen, mund ta bëjnë gazetarinë më tërheqëse për të rinjtë.
Çfarë i mungon brezit te ri të gazetarëve sot në Shqipëri?
Besoj se u duhet pak më tepër pasion dhe pak më tepër përgatitje intelektuale. Duhet të lexojnë.
Cila është këshilla juaj për të gjitha ata të rinjë që po studiojnë në degën e gazetarisë dhe duan ti bashkohen medias?
Ndoshta nuk jam një këshillues i mirë dhe në pozita për të dhënë këshilla, pasi edhe vete kam nevojë për këshilla nga ata që janë “thinjur” në këtë profesion, por une do u thoja që të ndjekin pasionin deri në pikën e fundit. Ta ndjekin pasionin dhe të jenë të gatshëm për të sakrifikuar. Por mbi të gjitha të bëjnë gazetari deri në momentin që e shijojnë të bërit gazetari, pasi në të kundërt, ky profesion të kthehet bumerang.
Ky material është realizuar në kuadër të programit Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022 me mbështetjen financiare të Kongresit Rinor Kombëtar në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë. Përmbajtja e këtij materiali është përgjegjësi e organizatorit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Kongresit Rinor Kombëtar apo Bashkisë Tiranë.
#tirana #youth #EuropeanYouthCapital2022 #EYC2022 #ActivateYouth #EuropeanYearOfYouth #NationalYouthCongress #CityOfTirana
#gazetar #lajme shqip #lajme flash #lajm i fundit
© 2022, Pozitivi. All rights reserved.
