Politikanët kërkojnë fuqizimin e gruas në politikë, realitet apo fasadë?
17/05/2019 Shpërndaje

Politikanët kërkojnë fuqizimin e gruas në politikë, realitet apo fasadë?

Më shumë rol dhe fuqi për gruan, në politikë. Ky është mesazhi që dëgjojmë shpesh të përcillet nga aktorë të ndryshëm të shoqërisë, përfshirë këtu edhe vetë politikanët.

Ditët e fundit gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ndërsa ka zhvilluar një sërë takimesh me përfaqësues të lartë, mes tyre edhe spikeren e Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan, Nancy Pelosi, me të cilën ka diskutuar për marrëdhëniet e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara, ka folur dhe për rëndësinë e gruas në politikë.

Kryemadhi ka thënë se Shqipëria ka nevojë urgjente për më shumë gra dhe vajza në politikë, që puna e tyre të përqendrohet në përmirësimin e vendit. “Pelosi është një model shumë i fortë për të gjitha gratë në botë dhe veçanërisht në Shqipëri. Kemi nevojë për më shumë gra e vajza në politikën shqiptare, për ta bërë Shqipërinë shtëpinë tonë. Pres me padurim për të vazhduar diskutimin me një grua kaq të fuqishme, për mënyrën se si duhet të fuqizojmë marrëdhënien tonë me SHBA dhe të përfitoj nga eksperienca e saj për të ndërtuar një Shqipëri më të fortë”, ka shkruar Kryemadhi në lidhje me fjalën e saj në SHBA.

Ish deputetja Mimoza Hajdarmataj ka ndërmarrë një nismë duke ngritur një rrjet grash me potencial të cilat, mund të mbështesin gra të tjera në Shqipëri, përmes angazhimeve të tyre në fusha të ndryshme. E frymëzuar nga Kombet e Bashkuara për fuqimimin e gruas, Mimoza ka hapur së fundi Qendrën “Gratë në Shërbim Publik”.

Shtysë kryesore për hapjen e kësaj qendre, si organizatë jofitimprurëse, jopolitike dhe e pavarur, u bë eksperienca e saj në realitetin e grave gjatë gjithë këtyre viteve. “23 vite nga përvoja ime profesionale si inxhiniere elektronike, 2 vite si deputete e Qarkut të Kukësit por edhe trajnimet nga organizmat ndërkombëtare të fokusuar në çeshtjet gjinore janë një inkurajim i mjaftueshëm për të vazhduar së qëndruari aktive dhe e dobishme për çështjen e të drejtave të grave dhe vajzave.

Shqipëria ecën përpara me nismat për promovimin e grave në politikë, në vendimmarrje të institucioneve, por është shumë mbrapa me punësimin e tyre, me vlerësimin financiar, me të ardhurat, me trajtimin në vendin e punës, me të drejtën e pronës, me qasjen në teknologji, dhe mbi të gjitha me respektimin e saj si gjini femërore dhe jo me inferioritet”, ka thënë ajo në një intervistë për Bussnines Magazine.

Sekretarja amerikane e shtetit Madeleine Albright gjatë një diskutimi në Komision të Çështjeve Sociale , “Propozim i Aleances se Grave Deputete”, ka deklaruar se sa më shumë gra të përfshihen në politikë aq më lehtë mund të luftohet korrupsioni. “Me shume gra ne politike qe te luftohet korrupsioni. Ne kemi edhe një nevoje me te madhe sot: T’ i presim rrugën krimit ne politike e vendimmarrje. Me shume gra edhe me këtë motiv.  Por, pa asnjë dyshim qofte edhe te lehte, se duhen me shume gra dhe burra te zote e me cilësi, qe pasionin për politike qe sjell ndryshim ne jetën e qytetareve, nuk e nakatosin me banalitete”, ka thënë Albright.

Ish-ministraja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, gjatë një tryeze të përbashkët  me temë “Gratë në parlament dhe gratë në organet e zgjedhura vendore për fuqizimin e rolit të gruas në politikë”, qe u zhvillua në Kuvendin e Shqipërisë, ka thënë se përfaqësia më e madhe e grave dhe vajzave në parlament do të ndryshojë fytyrën e politikës.  “Unë mendoj se përfaqësia sa më e madhe e grave dhe vajzave në Kuvend realisht do të ndryshojë fytyrën e politikës shqiptare, do t’i japi një standard tjetër parlamentit shqiptar, një zë, një etikë tjetër të cilën ne e vuajmë sot. Unë kam shpresën që gratë dhe vajzat do të jenë ndryshe me një politikë të standardeve evropiane”

Majlinda Bregu Sekretare e Pergjithshme e keshillit te Bashkepunimit Rajonal në emisionin KAPITAL është shprehur për kuotat gjinore ne politike, duke theksuar faktin që partitë politike i vendosin gratë në lista vetëm për shkak se është detyrim ligjor.

“Kur  mosrespektimi i kuotave gjinore shlyhet me nje gjobe nanciare, eshte thjesht deshmi e paturpesise se nje kryetari partie politike per te mos respektuar ligjin. Keshtu kemi rastin e i kryetarit te PD qe detyrohet  te ktheje mbrapsht gjysmen e nancimit shteteror per fushaten elektorale pikerisht per mosrespektim te kuotes gjinore. Kjo eshte ajo qe ndodh paturpesisht me kreret e partive politike. Basha ka turpuruar PD, ka paguar per kuotat gjinore ne PD vetem te mos kete gra. Keshtu bliheshin grate dikur Shpresoj qe ky problem te zgjidhet me reformen zgjedhore, ne menyre qe mosrespektimi i kuotes gjinore te mos ndeshkohet me gjobe por me mospranim te listes se kandidateve per deputete. Ne politike eshte koha per te ofruar me shume cilesi. Mund te jene shume burrra qe nuk meritojne te jene politike. Do te doja qe grate te sillnin cilesi e jo kuota ne politike”, është shprehur Bregu.

Deklaratat e politikanëve shqiptarë për përfaqësim më të lartë të gruas në politikë, janë të shumta, por sa janë të vërteta? Kujtojmë se në 2015 si kryetar i Partisë Socialiste dhe Qeverisë, Edi Rama, deklaroi publikisht se PS dhe LSI do të mbështesin kërkesën e grave të këtyre partive për të pasur në Këshillat Bashkiakë të ardhshëm barazi të plotë gjinore 50% gra dhe 50% burra.

Po ashtu edhe deputetja Albana Vokshi, si kryetare e Forumit të Gruas të Partisë Demokratike, është shprehur në atë kohë se se PD është zotuar për të patur 50% gra në Këshilla Bashkiakë dhe jo më pak se 1 në 5 gra ose 20% si kandidate për kryetare të Bashkive. Ndërkohë Kodi Zgjedhor prej vitesh ka të përcaktuar kuotën gjinore 30% si për zgjedhjet kombëtare ashtu edhe për ato lokale. Sot jemi në 2019 dhe këto deklarata dhe premtime të partive politike dhe politikanëve duhet të kthehen në realitet dhe partitë të mos fshihen më mbas fjalëve të bukura për të drejtat apo barazinë e grave.

Femrat shqiptare janë bërë për herë të parë pjesë e Parlamentit në Legjislaturën e parë, atë të viteve 1945-1950. Në një total prej 82 deputetësh, 6 prej tyre ishin femra. Pavarësisht apeleve të ripërsëritura ndërkombëtare për pjesëmarrje prej 30% të femrave në politikë, skena mbizotërohet ende nga meshkujt.   Statistikat tregojnë se numri më i madh i femrave në Parlament është arritur pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009, ku të gjitha partitë politikë janë përfaqësuar nga 23 deputete femra.

Gratë përbëjnë thuajse 51 përqind të popullsisë në Shqipëri dhe ato janë grupi më i madh shoqëror në vend, por ato janë pothuajse të përjashtuara totalisht nga përfaqësimi në drejtimin e bashkive në vend.

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.