KQZ/ Pjesëmarrja më e ulët, sa mln lekë kushtuan zgjedhjet e 6 marsit
29/03/2022 Shpërndaje

KQZ/ Pjesëmarrja më e ulët, sa mln lekë kushtuan zgjedhjet e 6 marsit

180 milionë lekë kanë kushtuar zgjedhjet e pjesshme lokale që janë zhvilluar më 6 mars në 6 bashki të vendit. Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi tha se në këto 6 bashki është aplikuar identifikimi elektronik kurse në bashkivë Vorë edhe votimi elektronik.

Në këto 6 bashkia janë të regjistruara 648.536 zgjedhës dhe ka pasur 13 KZAZ dhe 940 qendra votimi.

“Për Bashkinë e Dibrës ka një KZAZ të cilën zhvillohen zgjedhjet. Në 2021 kanë qenë 56 mijë e 642 zgjedhës të regjistruar. Janë 101 QV në të cilat do të votohet në bashkinë Dibër më 6 mars. Në Shkodër janë 4 KZAZ të cilat do të administrojnë procesin zgjedhor në këtë bashki. Në zgjedhjet e 2021 kanë qenë 166983 zgjedhës në listën e zgjedhësve, janë 250 QV. Në Vorë është një KZAZ, janë 44 QV në të cilat do të votohet. Në 2021 kanë qenë 30053 zgjedhës.

Në bashkinë e Rrogozhinës ka një KZAZ, 53 QV, kanë qenë 31996 zgjedhës më listën e zgjedhësve më 25 prill. Në Bashkinë Lushnjë kemi 2 KZAZ, 157 Qendra Votimi në të cilat do të votohet. Kanë qenë të regjistruar 104249 zgjedhës në zgjedhjet e 2021. Në Durrës kemi 4 KZAZ, janë 335 QV në të cilat do të votohet. Zgjedhës të regjistruar kanë qenë 258633. Në total janë 13 KZAZ, 940 QV në të cilat do të votohet më 6 mars. Janë rreth 180 mln lekë kostoja e këtyre zgjedhjeve. Po punojmë që dhe për këto zgjedhje të aplikohet sistemi elektronik i identifikimit të zgjedhësve”, deklaroi Celibashi.

Komisioni Rregullator shpalli rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të pjesshme, të datës 6 Mars 2022 si më poshtë:

Bardh Ali Spahia, kandidat fitues për Kryetar të Bashkisë Shkodër, qarku Shkodër, i propozuar nga koalicioni “Shtëpia e Lirisë”.

Rahim Petrit Spahiu, kandidat fitues për Kryetar të Bashkisë Dibër, qarku Dibër, i propozuar nga “Partia Socialiste e Shqipërisë”.

Emiriana Hiqmet Sako, kandidat fitues për Kryetar të Bashkisë Durrës, qarku Durrës, e propozuar nga “Partia Socialiste e Shqipërisë”.

Blerim Rustem Shera, kandidat fitues për Kryetar të Bashkisë Vorë, qarku Tiranë, i propozuar nga “Partia Socialiste e Shqipërisë”.

Edison Selman Memolla, kandidat fitues për Kryetar të Bashkisë Rrogozhinë, qarku Tiranë, i propozuar nga “Partia Socialiste e Shqipërisë”.

Eriselda Musa Sefa, kandidat fitues për Kryetar të Bashkisë Lushnjë, qarku Fier, e propozuar nga “Partia Socialiste e Shqipërisë”.

Në zgjedhjet e 6 Marsit, koalicioni i Berishës me Ilir Metën “Shtëpia e Lirisë” doli forcë e dytë, duke e spostuar Lulzim Bashën në të tretin. “Shtëpia e Lirisë” fitoi në Shkodër dhe doli forcë e 2 në 4 bashki të tjera, duke u mundur nga Basha vetëm në Rrogozhinën Partia Demokratike në drejtimin e Lulzim Bashës pësoi humbjen e 6 radhazi në zgjedhje. PD-ja doli forcë e 3-të në 5 Bashki (përveç Rrogozhinës). PS  doli forcë e parë në 5 prej 6 bashkive.

Ashtu sikurse u planifikua, votimi dhe numërimi elektronik u zhvillua në Vorë. “Nuk kemi asnjë raportim për problematika në lidhje me sistemin e votimit elektronik. Edhe nga verifikimet në terren të bëra direkt nga KQZ procesi ka shkuar shumë mirë. Kjo bazuar në cfarë komisionerët kanë thënë por edhe votues të Vorës. Identifikimi Elektronik, u zhvillua thuajse me asnjë problem”, tha KQZ.  

Pajisja e Elektronike e Identifikimit të zgjedhësve u përdor në 933 qendra votimi nga 941 në total sepse një QV ishte e posaçme. Vetëm në 8 QV nuk u realizua identifikimi elektronik i zgjedhësve, nga të cila:
1. 3 QV nuk e hapën procesin e votimit (2 QV në Shkodër);
2. 3 QV procesi kaloi manualisht;
3. 2 QV u tërhoq operatori i pajisjes në ditën e votimit.

Nga 933 qendra votimi ku është përdorur pajisja PEI kemi patur vetëm 18 zëvëndësime të pajisjes. KQZ pavarësisht kohës së shkurtër në dispozicion, e impelmentoi me sukses këtë teknologji edhe në zgjedhjet e pjesshme për kryetar bashkie. 

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi tha se pas 30 vitesh kjo është hera e parë që KQZ certifikon një rezultat zgjedhor pa asnjë kontestim.

“Pas ndryshimit të sistemit në vend, pas 30 vitesh dhe zgjedhjesh në Shqipëri, për herë të parë KQZ certifikon një rezultat zgjedhor pa asnjë kontestim nga subjektet zgjedhore pjesëmarrëse.”, shkruan Celibashi.

OSBE ka reaguar duke e konsideruar këtë “një gur kilometrik të rëndësishëm për zgjedhjet një Shqipëri. Megjithatë OSBE thotë se ka ende shumë për të bërë për të rritur integritetin e procesit zgjedhor dhe për të garantuar standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve.

“Një gur kilometrik i rëndësishëm për zgjedhjet në Shqipëri u arrit sot. Për herë të parë në historinë 30-vjeçare të proceseve zgjedhore pluraliste, rezultati i zgjedhjeve u certifikua pa asnjë kontestim. Prezenca e OSBE-së përgëzon administratën zgjedhore dhe partitë politike për këtë zhvillim domethënës, i cili vërteton edhe një herë profesionalizmin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ne kemi besim se ata do ta ruajnë këtë arritje të rëndësishme, pasi qytetarët shqiptarë meritojnë zgjedhje ku çdo votë respektohet. Sikurse tha Komisioneri Celibashi, ka ende shumë për të bërë për të rritur integritetin e procesit zgjedhor dhe për të garantuar standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve. OSBE-ja qëndron e gatshme të kontribuojë në reformën zgjedhore dhe mbetet partnerja kryesore e KQZ-së në përpjekjet për zgjedhje gjithnjë e më të mira“, thuhet në postim.

Megjithatë pjesëmarrja në zgjedhjet vendore është 30.33%, më e ulët se një vit më parë.

Dibër- Pjesëmarrja në Dibër 43.35%, ndërsa në zgjedhjet e 25 prillit 2021 53.01%

Durrës-Pjesëmarrja 26.27%, ndërsa një vit më parë 42.48%.

Lushnjë-Pjesëmarrja në zgjedhjet vendore 35.96%, ndërsa në zgjedhjet e përgjithshme 46.95%.

Shkodër-Pjesëmarrja 29,11%, kurse në zgjedhjet e 25 prillit 41.53%.

Rrogozhinë-Pjesëmarrja e qytetarëve 30.92%, kurse në zgjedhjet e 25 prillit një vit më parë 43.77%.

Vorë-Pjesëmarrja 40.33%, kurse në zgjedhjet e përgjithshme të para një viti 54.9%.

© 2022, Pozitivi. All rights reserved.