Pa ujë të pijshëm, shqiptari bën gjestin e madh për banorët e një fshati në Afrikë
23/05/2019 Shpërndaje

Pa ujë të pijshëm, shqiptari bën gjestin e madh për banorët e një fshati në Afrikë

Problemi me ujin e pijshëm duket se është fenomen botëror. Mungesa e burimeve ujore në Afrikë vitet e fundit ka tërhequr vëmendjen e opinionit ndërkombëtar. Rritja e kërkesës për ujë për shkak të rritjes së shpejtë të popullsisë shton rreziqet për probleme të mëdha në të ardhmen.

Ata që e vuajnë më shumë këtë problem janë njerëzit. Ditët e fundit në qendër të vëmendjes është vënë gjesti i veçantë i një shqiptari nga Kosova për qindra banorë të Afrikës Perëndimore. Ylber Vatovci nga Vushtrria, me banim në Gjermani ka arritur që t’u sigurojë ujë të pijshëm rreth 250 banorëve të një fshati në Afrikën Perëndimore.

Përmes fotove të publikuara në rrjete sociale i riu jo vetëm ka treguar gjestin fisnik të tij por ka solidarizuar dhe shumë njerëz të tjerë, të cilët e kanë përgëzuar në komente. Siç shikohet edhe në njërën prej fotove, te pusi që është ndërtuar shkruhet emri i tij, në shenjë falenderimi.

“Ne mendojmë shumë për gjërat që dëshirojmë, ndërkohë harrojmë shpejt ato që i kemi. E mira ime e dytë është bërë, me pak para dhe me ndihmën e 250 njerëzve, iu dha jetë fshatit në Perëndim të Afrikës. Për ju, për fëmijët e tyre”, shkruan ai në rrjete sociale.

Kërkesa për ujë parashikohet të rritet me 35-45% në vitin 2035 në disa vende të Afrikës. Uji luan një rol kyç në sektorë të ndryshëm të tilla si bujqësia, ekonomia dhe shëndeti. Kriza është shkaktuar edhe nga reshjet e ulëta në tre vjetët e fundit, së bashku me rritjen e konsumit nga një popullsi gjithnjë e në rritje.

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.