“Nuk të dua se je vajzë”! Aborti me bazë gjinore në Shqipëri iu ka mohuar të drejtën e jetës 20.000 vajzave që nuk lindën kurrë.
Nëse popullsia e një vendi kategorizohet si popullsi pa preferenca gjinore, raporti natyral ne lindje duhet të jetë 105 lindje meshkujsh për 100 lindje femrash. Censi i 2023 gjeti shifra më të përmirësuara mes lindjeve të djemve dhe vajzave 107 për 100, por fenomeni i preferencës së djemve ende ekziston. Për të minimizuar efektet e tij, por edhe për të parë ndikimin që krijon në popullsinë e një vendi, ekspertë, mjekë dhe përfaqësues të UNFPA Shqipëri, diskutuan në puntatën e gjashtë të ciklit “Shpopullimi”.

Elsona Agolli, analiste e programit të popullsisë dhe çështjeve gjinore në UNFPA Shqipëri, theksoi se dëshira e shqiptarëve për të bërë djalë lidhet me mentalitetin e tyre për trashëgimin e mbiemrit, për trashëgimin e pronësisë, për mbajtjen e prindërve kur të moshohen dhe për një mbështetje, që gabimisht është krijuar ideja që vajza s’e jep dot.
“Në Ballkan, vendet ku vihet re më shumë ky fenomen janë Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe ku raporti gjinor është i përafërt 107-108. Kemi një mentalitet të ngjashëm me këto vende, që e kemi dëshirën për të pasur djalë të lidhur me traditën, me një stereotip të fortë gjinor. Janë ato paragjykime që djali do t’i vijë familjes në ndihmë dhe që do trashëgojë mbiemrin. Sidomos në këto kombe, është i rëndësishëm mbiemri, trashëgimia ose edhe kujdestaria. Kjo është një praktikë e dëmshme, që ka një impakt të drejtpërdrejtë tek gruaja shtatzënë. Dhe nga ky këndvështrim është i lidhur me elementë të tjerë të rëndësishëm që lidhen me fenomenin e dhunës me bazë gjinore, diskriminim në shoqëri, në familje e më gjerë. Kjo traditë prapanike ka nisur të ndryshojë në ditët e sotme për shkak të lëvizjeve të popullsisë, largimi, emigracioni.”
Nga studimet rezulton se mamatë janë ato që zgjedhin më pak të bëjnë abort selektiv. Dëshira më së shumti vjen nga prindi mashkull ose familja më e gjerë, që shkon deri në imponim për gruan që ajo të ndërpresë shtatzëninë sepse pret një vajzë dhe jo një djalë.
Fedor Kallajxhi, mjek obstetër-gjinekolog, pohon se dëshira e çifteve të reja dominohet nga kërkesa për të pasur një djalë.
“Fillimisht dëshira është të jetë djalë. Nga ana tjetër janë më të lumtur kur pas një vajze kanë një djalë, ndjehet gëzimi i tyre. Nëse pas një vajze vjen një tjetër vajzë, aty fillon problemi. Problemet nisin që nga ndjesitë e brendshme që ka çifti, në pritshmëritë që kanë familjet për të pasur një kombinim ndërmjet një djali dhe një vajze. Akoma më tepër thellohet ky problem nëse janë dy-tre vajza dhe pritet me padurim të ketë edhe një djalë. Në këto raste gëzimi ose hidhërimi nëse vazhdon me vajzë është më i shprehur.”
© 2024, Pozitivi. All rights reserved.
