Njihuni me 1 nga 100 “më të mirët e Tiranës”
07/12/2017 Shpërndaje

Njihuni me 1 nga 100 “më të mirët e Tiranës”

Besoj të gjithëve iu ka rënë në sy se në tabelat që reklamoheshin biznese dhe produkte, tashmë janë vendosur fotot e nxënësve ekselentë. Kjo nismë është ndërmarrë nga Bashkia e Tiranës dhe tek tabelat që janë vendosur 100 fotot shkruhet emri i nxënësit shoqëruar me mesazhin, “Më të mirët e Tiranës. Qytetarët më të vyer të Tiranës janë edhe nxënësit më të shkëlqyer të saj. Njihuni me ta!”.

Pozitivi.org ka vendosur të njohë më mirë një prej 100 nxënësve ekselente dhe ajo është Rajmonda Xhepa. Rajmonda është maturante në gjimnazin “Abdulla Keta” dhe dëshiron të ndjekë Fakultetin e Mjekësisë.  Ajo ka një jetë aktive, angazhohet në aktivitete por më shumë i pëlqen të japë ide. Maturantja ka punuar shumë gjithë këto vite dhe kjo e bën të besojë fort se do t’i arrijë synimet që ka. Një nxënëse ekselente, që është shembull për gjithkënd ka dhe disa sugjerime përsa i përket arsimit dhe procesit mësimor.

Rajmonda Xhepa flet për pozitivi.org:

Unë jam Rajmonda Xhepa. Jam 17 vjeç. Kam lindur në Tiranë, por me origjinë jam nga Dibra. Unë studioj në gjimnazin “Abdulla Keta” dhe jam në klasën e 12. Lëndët për të cilat kam më shumë prirje janë matematika, biologjia dhe kima, ndërkohë synoj që të studioj në degën e mjekësisë së përgjithshme në Tiranë.

Jam shumë e kënaqur për këtë faktin që ne jemi vendosur në vend të reklamave në Tiranë sepse arritjet që kam pasur në mësime po vlerësohen dhe tregohen që të shihen nga të tjerët që të merret si një shembulll i mirë. Gjithashtu kjo i bëri prindërit e mi të ndjehen krenarë për mua.

Njerëzit e afërm apo banorët e lagjes më ndalojnë për të më pergëzuar dhe kjo më bën të ndjehem mirë dhe krenare me veten.

Pozitivi: Sa e angazhuar je në aktivitetet që organizohen në shkolle dhe jashtë saj, qofshin ato kulturore, sportive apo diçka tjetër? Si e mbush ditën Rajmonda?

Marr pjesë në aktivitete që organizohen nga shkolla dhe më tepër jap ide se si mund të organizohet. Në shkollë organizojmë shumë aktivitete kulturore apo edhe projektet që realizohen për shkollën qendër komunitare, ku marrin pjesë prinderit tanë dhe komuniteti. Pjesën më të madhe të ditës jam në shkollë. Pasi vij nga shkolla, ha drekë, pushoj dhe nis të mësoj lëndët që kam në shkolle. Gjithashtu lexoj edhe libra jashtëshkollorë. Ndërsa në fundjavë preferoj të dal me familjen apo shoqet. Kam ëndërr që të merrem me fushatë për ndërgjegjësimin rreth stigmës së sëmundjeve mendore në Shqipëri. Besoj dhe shpresoj që do ta arrij sepse është një çështje që e kam shumë përzemër .

Pozitivi: Çfarë të pëlqen dhe çfarë do doje të ndryshoje në procesin mesimor, apo tek arsimi në përgjithësi?

Në arsimin në përgjithesi ajo çka do doja të ndryshonte është që lëndët bërthamë në të gjitha shkollat të kenë të njëjtën shtëpi botuese dhe që nxënësit të kene mundësi të zgjedhin lëndët në bazë të preferencave apo prirjeve që kanë. Gjithashtu do doja që në shkolla të kishte laboratore në mënyrë që njohuritë që i marrim në teori t’i vëmë në praktikë.

Pozitivi: Tani  që je dhe maturante, sa e ke mesataren?

Mesataren e kam 10 dhe besoj se kam mundësi të arrij  atë që dua.

Pozitivi: Çfarë mesazhi ke për të gjithë nxënesit, veçanërisht për maturantet?

Mesazhi që kam për maturantët është që të lexojnë sa më shumë libra dhe të zgjedhin degën që ata dëshirojnë dhe jo atë që u thonë prindërit. Duhet që të marrin vetë vendimet për të ardhmen e tyre.

 

 

© 2017 – 2018, Pozitivi. All rights reserved.