Një amerikan në Kukës. Historia e Benjamin që zgjodhi qytetin me ikjen më masive të të rinjve në Shqipëri.
Benjamin Rowe është një 23-vjeçar nga San Diego, Kaliforni, i cili ka ardhur në Kukës përmes programit të Korpusit të Paqes. Kjo nismë, e krijuar nga qeveria amerikane, synon të dërgojë vullnetarë nëpër botë për të promovuar paqen, miqësinë dhe mirëkuptimin ndërkulturor. Për Benjaminin, ky program përfaqësonte një mundësi të jashtëzakonshme për të njohur kultura të reja dhe për të dhënë kontributin e tij në një komunitet të largët.
Një fillim i ri në Kukës
Kur mori vesh se do të vendosej në Kukës, Benjamin pranon se nuk kishte dëgjuar ndonjëherë për këtë qytet, madje kishte njohuri të kufizuara edhe për Shqipërinë. Nuk e njihte fare atë që do të bëhej qyteti, ku do të kalonte kohën e tij si vullnetar. Megjithatë, pas një kërkimi të shkurtër siç tregon vet në motorin e kërkimit Google, ai nisi të krijonte një ide se çfarë e priste. Me të mbërritur, Benjamin u befasua në një mënyrë pozitive. Ndërsa kishte imagjinuar një qytet të vogël dhe të izoluar, ai gjeti një vend me më shumë mundësi nga sa e kishte menduar, por edhe lexuar në ato informacione që gjeti online. “Kukësi është më i madh sesa e prisja. Ka kafene të bukura dhe një atmosferë mikpritëse,” shprehet ai.
Sfida dhe potencial për përmirësim
Gjatë qëndrimit të tij në Kukës, Benjamin ka vërejtur disa sfida që të rinjtë e këtij qyteti përballojnë çdo ditë. Sipas tij, një prej çështjeve kryesore është mungesa e mundësive jashtëshkollore dhe e mbështetjes për të rinjtë që duan të eksplorojnë fusha të ndryshme. “Do të ishte e mrekullueshme të kishte më shumë aktivitete për të rinjtë, si klube jashtëshkollore ose shërbime këshillimi në shkolla. Këto do t’i ndihmonin ata të orientoheshin më mirë drejt së ardhmes së tyre profesionale.”
Ai gjithashtu thekson rëndësinë e edukimit dhe mbështetjes për të rinjtë që dëshirojnë të studiojnë jashtë ose të krijojnë një karrierë të suksesshme brenda vendit. “Shumë të rinj e shohin emigracionin si zgjidhjen e vetme për një të ardhme më të mirë. Ndonëse emigracioni i ligjshëm është një mundësi e vlefshme, është e rëndësishme që vendi të ofrojë më shumë alternativa për të rinjtë brenda Shqipërisë.”
Arti, sporti dhe kreativiteti: Rrugë të reja për zhvillim
Një aspekt tjetër që Benjamin vlerëson është potenciali që të rinjtë e Kukësit kanë në fusha si arti dhe sporti. Ai sjell shembuj nga Amerika, ku sportet e të rinjve dhe ekspozitat artistike janë pjesë e rëndësishme e komunitetit. “Mendoj se do të ishte fantastike të kishte më shumë angazhim për të rinjtë përmes aktiviteteve sportive dhe artistike. Këto iniciativa ndihmojnë në krijimin e një ndjenje të përkatësisë dhe zhvillimit personal.”
Një mesazh për të rinjtë e Kukësit
Benjamin ka një mesazh të qartë për të rinjtë e Kukësit: “Punoni fort dhe mos u dorëzoni. Ka shumë mundësi për ata që janë të gatshëm të angazhohen dhe të eksplorojnë. Besoni se ndryshimi është i mundur dhe bëni çmos për ta bërë Kukësin një vend më të mirë.”
Si do të jetë Kukësi pas pesë vjetësh?
Duke reflektuar për të ardhmen e qytetit, Benjamin thekson se Kukësi ka ndryshuar shumë gjatë viteve të fundit dhe beson se ky transformim do të vazhdojë. “Kam parë imazhe të Kukësit nga disa vite më parë dhe ndryshimi është i dukshëm. Mendoj se në pesë vitet e ardhshme, me investime të duhura dhe angazhim të komunitetit, Kukësi do të vazhdojë të përmirësohet, veçanërisht në arsim dhe infrastrukturë.”
Për Benjamin Rowe, Kukësi nuk është vetëm një vend ku ai shërben si vullnetar, por një komunitet që e ka mirëpritur dhe një qytet me potencial të madh për zhvillim. Për të, përvoja në këtë qytet shqiptar është një përvojë e vlefshme që do ta mbajë me vete përgjithmonë.
Intervistoi:
Era Nerguti, nxënëse shkolla “Avni Rustemi” Kukës
Fakt vs Mite: Edukimi i të rinjve mbi të vërtetat e migrimit
Ky projekt po zbatohet nga Qendra Media dhe Çështjet Shoqërore në qarkun e Kukësit, në kuadër të programit Alternative Pathways, financuar nga FCDO dhe menaxhuar nga British Council në Shqipëri.
#alternativepathways
#FCDO
#BritishCouncil
#BritishEmbassyinAlbania
#educate
#engage
#terinjteekukesit
© 2025, Pozitivi. All rights reserved.
