Në panairin vjetor të turizmit, Çekia e interesuar për investime në Shqipëri
Në Pragë është mbajtur Panairi Vjetor i Turizmit, i cili shërbeu si një mundësi e mirë për operatorët turistikë shqiptarë për të ndërlidhur kontakte dhe bashkëpunime me operatorët turistikë të vendeve të tjera, apo me kompani që operojnë në fushën e turizmit, për të promovuar natyrën e virgjër dhe historinë e veçantë, kulturën dhe traditat e vendit tonë, shkruan pozitivi.org.
Në panair një temë e diskutuar mes Çekisë dhe Shqipërisë ishin mundësitë për të zhvilluar bashkëpunime në turizëm mes dy vendeve. Gjatë bisedës së zhvilluar mes zv/kryetarit të Këshillit Shkencor të UNESCO-s Auron Tare, dhe Ministres së Turizmit të Republikës Çeke, Klara Dostalova, u diskutua mbi rritjen e interesimit të tregut çek drejt Shqipërisë dhe anasjelltas.
Sakaq ministrja çeke e shoqëruar edhe nga Ambasadori shqiptar në Pragë gjatë vizitës së saj u ndal edhe në stendën e Shqipërisë. Duhet të theksojmë se viteve të fundit vendi ynë ka qenë një nga destinacionet më të kërkuara nga turistë të ardhur nga e gjithë bota. Kurse turistët çekë e kanë rritur gjithnjë e më shumë interesin të eksplorojnë zonat rurale të Shqipërise dhe në veçanti Alpet e Veriut dhe Malësitë e Jugut.
© 2018, Pozitivi. All rights reserved.




