MOSHA MINIMALE E PUNËS PËR FËMIJËT, NJË LIGJ QË NUK GJEN ZBATIM
30/07/2020 Shpërndaje

MOSHA MINIMALE E PUNËS PËR FËMIJËT, NJË LIGJ QË NUK GJEN ZBATIM

Në Shqipëri, mosha minimale e punës është 16 vjeç edhe pse kjo moshë nuk respektohet. Edhe për këtë grupmoshë ka disa përjashtime për t’u punësuar.

Përjashtimisht, fëmijët nga mosha 15 deri në 16 vjeç mund të punësohen gjatë pushimeve shkollore vetëm në punë të lehta. Këto punë nuk duhet të cenojnë shëndetin e tyre dhe rritjen fizike.  Por në media vazhdojnë të dalin pamje fëmijësh që mbledhin gurë në gurore, ose lypin për të mbijetuar.

Por sipas UNICEF  në Shqipëri, numri i fëmijëve (kryesisht Romë), që punojnë ose lypin në rrugë dhe që janë objekt i formave më të këqija të shfrytëzimit, mbetet i lartë.

Sipas të dhënave të Qendrës për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve (CRCA) 7 përqind e fëmijëve punojnë, ndërkohë që 12 mijë kanë braktisur shkollën. Pjesa më e madhe e fëmijëve punojnë në sektorin agrar, por edhe në aktivitete rruge si lypje apo shitje. Dhe një pjesë më e vogël punon në punë të rënda si miniera dhe ndërtim. CRCA thotë se rreth 50 mijë fëmijë punojnë në Shqipëri, por Ministria amerikane e Punës, zyra për çështjet ndërkombëtare të së cilës botoi vitin e kaluar një raport për punën e fëmijëve në Shqipëri, vëren se mungojnë të dhënat aktuale për përdorimin e fëmijëve në format më të rënda të punës.

Këshilli i Ministrave përcakton punët e lehta dhe vendos rregulla të veçanta për kohëzgjatjen maksimale dhe kushtet e kryerjes së punës për fëmijët.

Fëmijët nën moshën 15 vjeç ose fëmijët, të cilët janë duke ndjekur arsimin e detyrueshëm me kohë të plotë, mund të punësohen për qëllime të veprimtarive kulturore ose të ngjashme me to.

Sakaq mund të punësohen për qëllime të ushtrimit të veprimtarive kulturore, artistike, sportive ose reklamuese.

Për këtë moshë ka dhe rregulla të tjera të favorshme, pasi mund të bëhen subjekte të orientimeve profesionale dhe trajnimeve në përputhje me rregullat e vendosura me vendim të Këshillit të Ministrave.

Këshilli i Ministrave përcakton me vendim të posaçëm rregullat për kushtet e punës dhe proçedurën për dhënien e autorizimit. Fëmijët nën moshën 18 vjeç duhet të punësohen vetëm kur njihen si të aftë për punë pas kontrollit mjekësor të plotë.

Në përgjithësi, të dhënat për fëmijët që punojnë në Shqipëri mbeten ende të kufizuar. UNICEF-i nxit fuqishëm Qeverinë për të vazhduar përmirësimin e kuptueshmërisë dhe fushëveprimit të fenomenit me informacion të besueshëm, me qëllim ofrimin e përgjigjeve përkatëse dhe me orientim drejt ndjekjes së progresit.

Duke analizuar shkaqet kryesore të rrënjosura në rrethin vicioz të varfërisë, UNICEF-i ka identifikuar se fëmijët punojnë për shumë arsye. Varfëria dhe nevoja që fëmijët të kontribuojnë në ekonominë familjare, janë faktorë madhorë. Megjithatë, mungesa e mundësive për arsimim dhe cilësia e dobët e sistemeve shkollore, si edhe diskriminimi ndaj fëmijëve që i përkasin grupeve të veçanta sociale, veprojnë gjithashtu si shtysë për fëmijët që të angazhohen në punë. Pa pasur mundësi për arsimim, shpesh fëmijët kanë pak alternativa, dhe si pasojë fillojnë të punojnë që në moshë të hershme.

UNICEF-i në Shqipëri i është bashkuar iniciativës globale për Fëmijët Jashtë Sistemit Shkollor për të zbuluar të dhëna, identifikuar fëmijët e lënë pas dore dhe ofruar rekomandime politikash dhe ndërhyrje për përgjigje ndërsektoriale, të cilat do t’i lejonin çdo fëmije të shkonte në shkollë dhe të mësonte. UNICEF-i po ndihmon gjithashtu Qeverinë Shqiptare lidhur me programet e parandalimit dhe riintegrimit, që përqendrohen te fuqizimi i familjes si një mënyrë për eliminimin e shfrytëzimit ekonomik të fëmijëve.  

Përsa u përket rekomandimeve të KDF-së (Konventës për të Drejtat e Fëmijëve), Shqipëria nxitet të marrë masa të mëtejshme për të siguruar se legjislacioni që mbron fëmijët ndaj shfrytëzimit ekonomik dhe formave të tjera, abuzimit dhe neglizhencës, përforcohet rreptësishtë nga ligji; dhe për të siguruar se shkeljet e tyre do të pasohen me sanksione. Ligji i ri për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve ka si qëllim të sigurojë mekanizma gjithëpërfshirës për të garantuar të drejtat e fëmijëve me role të qarta për dhe llogaridhënie nga aktorët shtetërorë kyç, përveç prindërve, familjeve dhe çdo personi që jeton në Shqipëri.      

© 2020, Pozitivi. All rights reserved.