Mekaniku: Sfidat e personave me aftësi të kufizuara për të marrë patentë
26/04/2022 Shpërndaje

Mekaniku: Sfidat e personave me aftësi të kufizuara për të marrë patentë

Të qenurit me aftësi të kufizuara nuk është pengesë për të mësuar të drejtosh një makinë dhe për t’i rregulluar ato. Mekaniku 32 vjeçar Flamur Bala i cili jeton në Durrës ka mësuar të drejtojë makinën që në moshën 15 vjeçare.

Pasionin për mekanikën e ka pasur që në fëmijëri. I shtyrë fillimisht nga nevoja personale, kur u diagnostifikua me “distrofi muskulare becker”, e cila në moshën 15 vjeçare e detyroi të ulej në një karrige me rrota, tashmë prej vitesh ai modifikon makina për persona me aftësi të kufizuara. “Me pak fjalë është ndjenja më e mirë që më ka shoqëruar prej 12 vitesh t’u lehtësoj jetën të tjerëve”, tha ai për Pozitivi.org.

Flamuri iua ka mësuar makinën motrave dhe vëllezërve të tij, por vetë përballet me “kufizime” për të marrë një patentë.

Po e vërtetë që nuk kam patentë për disa arsye të veçanta fizike që shteti ynë nuk i ofron, jo çdo kategori e personave me aftësi ndryshe mundet që t’i njihet patenta, për shembull në Europë lejohen që të marrin patentë edhe personat që kanë probleme të lehta me duart, ndërkohë që në Shqipëri nuk lejohen sepse nuk ka mjek aq të specializuar për të përcaktuar aftësitë e tyre se sa të aftë janë për të vozitur një makinë”, tregon ai.

Intervista e plotë me Flamurin për Pozitivi.org

A munden personat me aftësi ndryshe të marrin patentë?

Flamuri: Patjetër që munden sepse fiziku i tyre (i sipërm) është i pakufizuar dhe janë të aftë për të ngarë makinën, meqë jam person me aftësi ndryshe e di mirë këtë pjesë, sepse unë jam edhe modifikues i makinave automatike për t’i përshtatur, për personat me probleme fizike.

Ligji e lejon, por a është e mundur në Shqipëri? A kanë kushtet autoshkollat në vendin tonë për ta bërë të mundur që një person me aftësi ndryshe të marrë patentë?

Flamuri: Ligji e lejon dhe e miraton këtë mbështetje. Përsa i përket autoshkollave janë krejtësisht të papërshtatura për personat me aftësi ndryshe. Personat me probleme fizike janë të detyruar që të regjistrohen në një autoshkollë por duhet që të kenë makinën e tyre të përshtatur për t’u komanduar në dorë dhe të ushtrojnë kursin me makinën e tyre bashkë me instruktorin e qendrës ku janë regjistruar.

Ti vetë nuk ke një patentë por di ti japësh makinës? Si e ke mësuar?

Flamuri: Po e vërtetë që nuk kam patentë për disa arsye të veçanta fizike që shteti ynë nuk i ofron, jo çdo kategori e personave me aftësi ndryshe mundet që t’i njihet patenta, për shembull në Europë lejohen që të marrin patentë edhe personat që kanë probleme të lehta me duart, ndërkohë që në Shqipëri nuk lejohen sepse nuk ka mjek aq të specializuar për të përcaktuar aftësitë e tyre se sa të aftë janë për të vozitur një makinë. Unë që në moshën 14 vjeçare e kam mësuar makinën, me një markë tip Audi 80, ishte aventurë e bukur, isha vetëm 15 vjeç kur fillova të mësoja motrat e mia dhe kushërirat e mia, personi që kam mësuar tani vonë është vëllai im i vogël, theksoj që i kam mësuar nëpër zona rurale dhe jo në akse nacionale ku mund të rrezikonim veten dhe të tjerët, kam shumë kujtime të bukura si një instruktor i vetëquajtur por i palicensuar, (qesh).

A mendon që janë të domosdoshme autoshkolla posaçërisht për personat me aftësi të kufizuara?

Flamuri: Janë tepër të domosdoshme, duhet patjetër që të ndodhi sa më shpejt që dikush të kujtohet për këtë kategori.

A njeh persona që kanë dashur që të marrin një patentë por e kanë pasur të pamundur sepse nuk kanë kushtet autoshkollat në vendin tonë?

Flamuri: Nuk kam njohur asnjë, sepse kryesisht e dinë që nuk ka autoshkolla të gatshme dhe shkojnë me makinën e tyre pasi ta blejnë dhe ta pershtasin për ta komanduar me dorë.

-Çfarë vështirësish sjell mungesa e një shërbimi  të tillë?

Flamuri: Vështirësi sjell shumë, sepse për ditët e caktuara që janë për të bërë një kurs, personave me aftësi ndryshe ju duhet që të qarkullojnë nga shtëpia e tyre te qendra e kurseve pa patentë dhe pa përvojë duke rrezikuar veten dhe të tjerët. Patjetër domosdoshmërisht duhet të zgjidhet ky problem i madh, shteti shqiptar duhet të stimulojë qendrat e autoshkollave që të përshtasin automjetet e tyre edhe për kategorinë e personave me aftësi ndryshe, por edhe të ngrihet një grup specialistësh më i sofistikuar për të vlerësuar aftësitë se cilët persona duhet të kenë mundësinë për të marrë një patentë. Sepse disa kategori diskriminohen edhe pse e kanë të mundur mjaft mirë fizikisht për të komanduar lehtë një makinë.

Ti je mekanik makinash, na trego diçka më shumë nga puna jote?

Flamuri: Po unë kam rreth 12 vite që kam krijuar këtë punë falë profesionit tim të lindur me këtë dhunti, unë modifikoj dhe i përshtas makinat automatike në mënyrë mekanike që të komandohen me duar, gazi dhe frena, duke qenë se personat me aftësi ndryshe nuk i kanë funksionale këmbët. Përveç përshtatjes së gazit dhe frenës, bej edhe modifikime për përshtatjen e makinave si tip furgoni që njerëzit me aftësi ndryshe të ngjiten brenda makinës me një pajisje të quajtur RAMPO/PEDANE. E veçanta e punss time është që është një puns e rralle, humane, e veçantë dhe nuk e bëjnë shumë persona në Shqipëri, pa e mohuar që me sjell edhe të ardhura fitimprurëse.

Çfarë ndjesie është të bësh një makinë që do ti shërbejë dikujt për tja bërë jetën më të lehtë?

Flamuri: Me pak fjalë është ndjenja më e mirë që më ka shoqëruar prej 12 vitesh, t’ja bësh të pamundurën të mundur personave me aftësi ndryshe të bëhet zemra mal!

Pozitivi.org

© 2022, Pozitivi. All rights reserved.