Kur ç`pluhrosen bibliotekat…
Julia Bardhushi
Mendoni se nuk ekzistojnë apo nuk frekuentohen, e keni gabim! Bibliotekat e lagjeve janë plot…
Për disa ndoshta janë si “ishuj” të vegjël që nuk i shkel njeri, por për disa të të tjerë një shtëpi e dytë. E këto janë bibliotekat e lagjeve, të cilat për ata që duan të lexojnë të qetë apo të marrin libra në shtëpi (se jo gjithkush ka mundësi ti blejë) janë gjithnjë të hapura, madje edhe me dy turne.
Pozitivi.org sot kthen në vëmendje përmes një vëzhgimi bibliotekat e lagjeve. Kemi vizituar dy nga gjashtë që ka në kryeqytet në ditë dhe orare të ndryshme.

Në bibliotekën nr.9 apo siç quhet, që prej një viti Musine Kokalari, që mbulon si territor njësinë administrative nr.7 dhe 5-ën (përkohësisht) që në orët e para të mëngjesit takuam qytetarë të moshave të treta.

Ata kryesisht i përdorin ambjentet e bibliotekës për të lexuar gazetat dhe për të punuar (ata që merren ende me studime apo hulumtime). Një ndër më interesantët, që takuam i cili është frekuentues i përditshëm i bibliotekës është Ilia Gaçi.

Ky zotëri na tregon se sapo doli në pension në 1994 nisi të frekuentojë sistematikisht fillimisht Bibliotekën Kombëtare, ndërsa katër vitet e fundit këtë të zonës ku banon. Siç edhe kujton ai, shumë vite më parë një mësues i historisë ju rrëfente për një figurë të shquar, që lexonte edhe pse në moshën 80 vjeçare. Në atë kohë Ilias iu duk e pamundur, ndërsa sot jo më, pasi ai i ka kaluar 80 vite jetë dhe lexon. Pra me këtë histori ai do të japë dhe një mesazh të fotë, që leximi s’ka moshë dhe nuk duhet ta ndalësh asnjëherë.
Sot Ilia frekuenton bibliotekën për disa arsye. “Për variacion, për biseda me miq, por dhe për të lexuar libra që në bibliotekën e shtëpisë nuk i kam. Së fundi po e frekuentoj bibliotekën edhe për të punuar, pasi po shkruaj një libër për historikun e montatorëve ndër vite e për veprat më të mëdha që ata kanë ndërtuar në vendin tonë,” rrëfen për Pozitivi.org Zoti Gaçi, i cili ka qënë dhe drejtor i ndërmarrjes së montarorëve në kohën e monizmit.
Për të mos i marrë më shumë kohë e për të respektuar heshtjen që duhet të mbizotërojë në biblioteka e mbyllëm intervistën me Ilian me një mesazh plot kuptim që përcjell për të rinjtë shqiptarë: “Të rinjtë jo vetëm mos t`i ndahen librave, por të zhyten në ta!”
Gjithashtu në këtë bibliotekë na bëri përshtypje një tjetër zotëri në moshë të thyer, që shkruante në kompjuter. Pyetëm në lidhje me të dhe mësuam se ai përdorte ambjentet e bibliotekës për të shkruar madje ishte dhe autor i dhjetra botimeve.

Ai quhet Mihallaq Qilleri dhe qëndron në bibliotekë disa orë në ditë. Krijon tregime apo dhe romane e shumë nga botimet e tij i ka shkruar në këto ambjente.

Orët e drekës në biblioteka kanë më pak frekuentues, por gjithsesi ne takuam një të ri që ndiqte studimet për mjekësi në Amerikë dhe këto ditë ndodhet në Tiranë. Disa orë në ditë frekuentonte bibliotekën për të mësuar për provime.

Ai na tha se në bibliotekë është shumë më qetë se në shtëpinë e tij ndaj dhe ka zgjedhur të studiojë për provime në këtë ambjent.
E në orët e tjera të pasdites në një tjetër bibliotekë lagjeje në atë nr. 5 apo siç është emërtuar tani Misto Treska, e njësisë administrative nr. 10 takuam shumë të rinj që ishin studentë në vendin tonë dhe mësonin në këto ambjente për provime. Me sa na thanë ishin studentë të fakulteteve të ndryshme e qëndronin së paku 4 orë çdo ditë për të mësuar.

Por bibliotekat e lagjeve nuk kanë vetëm frekuentues, por dhe mijëra anëtarë që kanë hapur kartela dhe marrin libra nga më të ndryshmit edhe në gjuhë të huaj në shtëpitë e tyre për ti lexuar. Pothuajse në çdo bibliotekë lagjeje ka rreth 7 mijë deri 8 mijë qytetarë që kanë hapur kartela dhe vitet e fundit sipas punonjësve të bibliotekave numri vjen në rritje.

Një prej punonjëseve të bibliotekës Musine Kokalari, Alketa Xhelili na tregon se për shumë vite fondi i librave nuk pasurohej, ndërsa një vit më parë Kryebashkiaku Erjon Veliaj dhe Ministrja e Kulturës Kumbaro në çdo bibliotekë çuan një fond prej 200 libra të rinj ndaj dhe me prurjet e reja po rritet dhe numri i përdoruesve të bibliotekave.

Vetëm Biblioteka Kombëtare është ndëruar para luftës në vitin 1920, të tjerat në sistemin komunist. Ajo e njësisë nr. 7 që në vitin 1960 me punonjëse të parë bashkëshorten e aktorit të madh Naim Frashërit, Violeta Frashërin. Ndër vite qytetarëve në këtë bibliotekë ju kanë shërbyer me pasionin për leximin edhe të tjera punonjëse të devotshme, të cilat japin një ndihmë të madhe në orjetimin e lexuesve, që ata të marrin në kohë zhanrin, që duan të lexojnë e mbi të gjitha ta duan librin!
Kjo e fundit në të vërtetë është edhe sfida e kohës ku jetojmë.
© 2017, Pozitivi. All rights reserved.
