“Kampet pa licencë, aventurë kriminale”, përfitimet e fëmijëve nga “shkollat” e verës: A kushton më pak se një dado?
30/05/2022 Shpërndaje

“Kampet pa licencë, aventurë kriminale”, përfitimet e fëmijëve nga “shkollat” e verës: A kushton më pak se një dado?

Çdo prind dëshiron që fëmija i tij t’i kalojë pushimet verore sa më mirë, sidomos ata që janë në punë dhe nuk kanë mundësi të jenë me to gjatë gjithë kohës. Një trend i shfaqur vitet e fundit janë kampet verore. Por a është kjo alternativa më e mirë që fëmijët të argëtohen dhe që të zhvillojnë njohuritë e tyre? Nëse konsiderojmë përfitimet që kanë fëmijët përmes këtyre aktiviteteve mund të themi se po. Megjithatë jo të gjithë prindërit e kanë mundësinë të përballojnë koston e kampeve.

Pozitivi.org ka zhvilluar një intervistë me Fation Nikollin përfaqësues i kampit “Time Center” i cili ka theksuar se vitet e fundit ka një interes të shtuar për kampin veror.

“Ky është viti i 7 që ne sjellim për komunitetit tonë Programin Gjithëpërfshirës të Kampit Veror. Nga viti në vit pavarësisht problematikave të ardhura nga shkaqe të jashtme siç ishte pandemia, kryesisht për Kampin Veror interesi ka ardhur duke u shtuar”.

Duke evidentuar faktin se ka një rritje të kampeve të palicensuara të cilat Nikolla i quan “aventura kriminale”, ai ka theksuar të gjitha rreziqet që u kanosen fëmijëve atje.

“Ky pastaj është një problem shumë serioz që ndeshemi përditë dhe është edhe shumë shqetësues që na prek të gjithëve Institucion-Mësues-Nxënës-Prind. Personalisht jam kundër dhe jo vetëm se në gjykimin tim është e padrejtë, tërësisht e papërgjegjshme por personalisht e quaj aventurë kriminale në të gjitha aspektet ndërmarrjen e veprimeve të tilla në këtë fushë. Kjo jo vetëm nga ana e legjislacionit”.

Çfarë mund të përfitojnë fëmijët duke marrë pjesë në një kamp veror?  Çfarë aktivitetesh ofron një kamp? Sa kosto ka për një prind të dërgojë fëmijën në kamp? A ka ndikuar kriza në rritjen e çmimeve edhe në kampe? Rritja e numrit të kampeve të palicensuara dhe rreziqet që u kanosen fëmijëve? Të gjitha përgjigjet i gjeni në intervistat e zhvilluara me përfaqësues të dy kampeve në Tiranë.

Fation Nikolli për kampin numër 1

  1. Cfarë shërbimesh ofroni dhe si ka qenë numri i kërkesave këtë vit për regjistrimin e fëmijëve në kampe?

Fation Nikolli: Themeluar në 15 shkurt të Vitit 2014, nga një staf me një eksperiencë pedagogjike e profesionale dhjetëravjeçare, në themelimin, organizimin dhe ngritjen e punës në më shumë se një Institucion dhe qendër arsimore e Kulturore, Institucioni Arsimor Profesional “Time Center” në të gjithë tërësinë e tij është konceptuar si një unitet i bashkuar njerëzish dhe kompaktësie që besojnë tek vizioni Europian i edukimit, shkollimit dhe kulturës vetjake. “Time Center” është një Institucion Arsimor Profesional laik, pa dallim bindjeje politike, fetare, ideje e gjykimi diskriminues racor dhe gjinor, që njeh dhe respekton rregullat dhe ligjet e Republikës së Shqipërisë, licencuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit në disa kategetori.

Në CV e tij Pedagogjike e Profesionale, “Time Center” ka ofruar një Staf me një kurrikul të pasur përvojash e arritjesh akademike nga Institucionet e Katedrat më Prestigjoze Ndërkombëtare si Universiteti i Sorbonjës, ai i Vjenës, Universitetet e Kolegjet prestigjoze Italiane, Europiane, Anglosaksone, Amerikane, etj.  Gjithashtu ne numërojmë një seri kualifikimesh, akreditimesh e mundësi shërbimesh e bashkëpunimesh me sigla dhe brande prestigjozë Kombëtare dhe Ndërkombëtare.

Në shërbimet e tij, nëpërmjet Departamenteve Përkatëse, “Time Center” ofron një gamë të gjerë Lëndësh Profesionale e Programesh Edukimi, Argëtimi e Studimi si:

  • Cikli Kopsht.
  • Cikli ParaShkollor.
  • Cikli i Studimit PasShkollor, klasa ParaShkollor – Cikli Fillor, Cikli 9-vjeçar dhe Arsimi i Mesëm.
  • Kurset dhe Përgatitjet Profesionale në Gjuhët e Huaja si Anglisht, Frengjisht, Gjermanisht, Italisht, Spanjisht, Turqisht, Greqisht, Gjuhët Aziatike, etj.
  • Kurset dhe Përgatitjet Profesionale në degët Shkencore e Shoqërore, degët e Aftësimit Profesional, Robotikë, Elektronikë, Mekanikë, etj.,
  • Kurset dhe Përgatitjet Profesionale në degët e Informatikës, Programimit, Design, Arkitekturë, Inxhinieri, etj.
  • Kurset dhe Përgatitjet në degët e Artit, Pikturë Klasike, Dance, Balet Modern dhe Konteporan, Teatër, etj.
  • Përgatitjet dhe Kualifikimet Kombëtare e Ndërkombëtare për Testimet përkatëse, etj.
  • Program dhe Kurrikulë Profesionale e gjithëpërfshirëse si Kampi Veror, etj.
  • Kurset sportive, atletikë, artet marciale, etj.
  • Aktivitete gjithëpërfshirëse ekstrakurrikulare të sensibilizimit e aftësimit profesional, etj.

Ky është viti i 7 që ne sjellim për komunitetit tonë Programin Gjithëpërfshirës të Kampit Veror. Nga viti në vit pavarësisht problematikave të ardhura nga shkaqe të jashtme siç ishte pandemia, etj., përgjithësisht numri i regjistrimeve pranë Institucionit tonë ka ardhur gjithmonë në rritje. Interesat kryesisht janë të mëdha në Departamentet e Programeve të Studimit Passhkollor, Ciklit Kopsht, Parashkollor, Gjuhëve të Huaja, por nuk mungojnë dhe ato në Departamentet e tjera.

Kryesisht për Kampin Veror interesi ka ardhur duke u shtuar.

  • Çfarë mund të përfitojnë fëmijët duke marrë pjesë në një kamp veror? A shihet vetëm si një mundësi për prindërit që t’i dërgojnë fëmijët aty duke qenë se janë në punë, apo ka edhe përfitime të tjera për vetë fëmijët?

Fation Nikolli: Absolutisht që fëmijët janë ato që mund të përfitojnë në shumë drejtime gjithëpërfshirëse nëse ata regjistrohen në një program Kampi Veror. Më lejoni t’iu konkretizoj këtë duke ju përmendur si fakte së pari socializimin e fëmijës dhe organizimin e një aktiviteti të organizuar ditor gjithëpërfshirës ku futen edukimi, përkujdesi, ushqimi dhe argëtimi.

Me termin gjithëpërfshirës nënkuptoj organizimin e të gjithë atij aktiviteti që Prindi do të dëshironte për ta përfshirë fëmijën në organizimin e ditës së tij gjatë pushimit veror edhe nëse do ta kishte në shtëpi. Nëpërmjet një kurrikule të mirëpërcaktuar, dhe të mirëkoordinuar, fëmija ka të organizuar orën e studimit pa asnjë ngarkesë të theksuar studimore, orën e edukimit jashtëshkollor, filmit, kreativitetit, argëtimit, lojës, eksursioneve, socializimit me shoqërinë, etj.

Unë mendoj se më shumë se sa një mundësi për prindërit që t’i dërgojnë fëmijët aty nga arsyeja se janë në punë, në rastin e kësaj kurrikule të organizuar nga Institucioni ynë, përfitimet më të mëdha janë nga fëmija në shumë drejtime.

Fëmija edukohet me disiplinën e përkujdesit për veten, organizimit ditor të ditës dhe kohës së tij, ndan, njihet dhe merr kultura dhe informacione në drejtime të ndryshme. Është në të gjithë kohën i angazhuar në shumë drejtime.

  • Çfarë aktivitetesh bëjnë fëmijët në kampin veror? Cili mund të jetë një program për shembull?

Fation Nikolli: Kurrikula e Kampit Veror në “Time Center” është e organizuar në sistem kolegji, e organizuar nga dita e hënë deri ditën e premte në orarin zyrtar 09:00-17:00 por fëmijët mund të paraqiten në Institucion duke filluar nga ora 07:30. Kryesisht Programi i Kampit Veror në “Time Center” fillon në datën 1 Qershor deri në 14 Gusht.

Kurrikula është e ndarë në organizime kohore që përfshijnë Module Ditore, Javore dhe dy Javore në klasa të mirëpërcaktuara sipas grupmoshave specifike, ku fëmijët kanë të përcaktuar lëndët apo aktivitetet e organizuara në kohë dhe orare të ndryshme sipas Programeve:

Bibliotekë: ku përfshihet edukimi me librin, diskutimi mbi librat, leximi jashtëshkollor, interpretimi i një libri, vënia skenike e tij, takimet me shkrimtarë, klubi i librit, motivimet për lexuesin më të mirë, konkurset mbi leximin etj.

Gjuhët e Huaja & Kompjuter: Përfshin konsulencën dhe edukimin e fëmijës me njohjen e gjuhëve të huaja dhe edukimit informatik pas asnjë ngarkesë studimore, ku përfshihen vjershat, këngët, dialogjet, bashkëbisedimet, konkurset, etj.

Studim Passhkollor: Këtu kryesisht në orare të caktuara pa ngarkesë studimore, fokusohemi që një pjesë të ditës ta organizojmë për të përsëritur lëndët kryesore të vitit akademik që fëmija mbylli dhe më pas në të atij në të cilin do të shkojë në vitin e ri akademik. Kjo me qëllimin që fëmija të mbahet në kontakt me temat e lëndëve kryesore dhe të mos bëjë shkëputjen drastike nga programi dhe kurrikula shkollore por edhe të mundohemi të rikuperojmë problematikat në ato lëndë ku rezultati nuk ishte i pritshmi.

Kinema dhe Teatër: ku përfshihen ndjekja e filmave, dokumentarëve, vënia në skenë e pjesëve teatrale, edukimi me artin, takimi me artistë apo personalitete të ndryshme, etj. Diskutimet mbi filma dhe pjesë skenike të ndryshme. Njohja me historinë e kinemasë, filmat kult, personazhet kult, etj. Kryesisht fokusohemi shumë jo vetëm tek njohja me artistët kult që kanë bërë historinë e këtij arti në botë por edhe në artin shqiptar.

Spektaklet: përfshihet trajnimi i fëmijës me formulat e komunikimit dhe interpretimit publik, “Public Speaking”, “Role Speaking”, “Talk Shoë”, Town Hall Meeting”, etj. Përfshihen organizimi i shfaqjeve dhe spektakleve përpara publikut me të ftuar Prindërit por jo vetëm. Vendosja e këtyre shfaqjeve në institucione të ndryshme publike, etj. Nxitja e fëmijës për të zbuluar talentin e tij, heqja e frikës së përballjes me publikun, mësimi i të artikuluarit me vetëbesim, etj.

Dance, Pikturë, Vegla Muzikore, etj: Përfshijnë aktivitetet e mirëfillta me këto kategori të artit. Edukimi me disiplinat e artit. Konkurset, nxitja e talentit, motivimi, etj. Organizimi i Ekspozitave personale apo interpretimeve personale. Ndarja dhe shkëmbimi i kulturave me të ftuar specialë të fushës, etj.

Guida “Të njohim Qytetin tonë”: përfshinë aktivitetet e vizitave në qytet. Bashkëpunimin me Institucione të ndryshme publike dhe private. Vizitat nëpër këto Institucione. Zhvillimin e orëve edukative e mësimore pranë tyre. Mund të përmend vizitat në ambientet e Qendrës për Hapje dhe Dialog pranë Institucionit të Kryeministrisë, Vizitat në Galerinë e Arteve, Muzeun Kombëtar, Teatrot, Parqet Publike, Pika dhe Instalacionet Turistike, Monumentet, Zonat historike e kulturore të qytetit, etj. Institucionin e Zjarrfikësve, Policisë së Shtetit, Kompanive Private, etj.

Talking and Learning With Parents: zhvillimin e bashkëbisedimeve dhe intervistave me të ftuar specialë një nga prindërit, gjyshërit, tezet, hallat, xhajat, etj. Ndarja e këshillave, pyetjet e drejtpërdrejta gjithëpërfshirëse, vendosja e një marrëdhënieje bashkëbisedimi dhe lidhjes prind fëmijë në një tjetër këndvështrim, etj.

Takimi me të ftuar speciale: Personalitete të fushave të ndryshme, arti, sporti, historia, shkenca, kultura, fusha publike, media, etj., që ndajnë këshillat dhe eksperiencat e tyre me fëmijët, etj.

Sportet: Përfshin organizimin e aktivitetet sportive që nisin me edukimin fizik, atletikën, garat, sportive, lojërat, etj.

Eskursionet: Përfshin eskursionin e madh të organizuar në kohë të përpjestuar në vende dhe qytetet të ndryshme jashtë Tiranës.

Pra siç mund ta shikoni në kurrikulë janë të përfshira një seri pikash të mirëpërcaktuara gjithëpërfshirëse që i vijnë në ndihmë Prindit për ta mbajtur të mirë organizuar kohën e fëmijës gjatë periudhës së pushimeve verore. Të përfshira në kurrikulë gjithashtu janë edhe dy vaktet e ushqimit në një menu të organizuar sipas të gjitha kurrikulave dhe Publikimeve të Institutit të Shëndetit Publik ku përfshihen ushqimet e stinës. Një ndihmë e madhe kjo për ato Prindër që dëshirojnë që fëmija i tyre të mësojë të konsumojë ushqime bio, ushqime të shëndetshme që shpesh në shtëpi shfaqin pakënaqësi për t’i konsumuar.

  • Sa i kushton një familjeje (minimalja dhe maksimalja) regjistrimi i fëmijës në një kamp veror? Pra çmimet për 3 vitet e fundit, sa kanë ndryshuar duke pasur parasysh dhe krizën?

Fation Nikolli: Në krahasim me tregun mund të them se çmimet që ne ofrojmë për këtë shërbim e bëjnë atë të mundshme për të gjitha shtresat e shoqërisë. Ne jemi munduar kryesisht me anë të Bordit Drejtues dhe personave Përgjegjës sipas Departamenteve në Institucion, që të përcaktojmë një politikë financiare që të përfshijë mundësinë e marrjes së këtij shërbimi për të gjitha shtresat. Mjafton t’iu them se shkon shumë më lirë se sa kostoja që një Prindi mund t’i duhej për të paguar një Dado apo Kujdestar për fëmijën në shtëpi, pa llogaritur të tjerat.

  • Sa e realizueshme është mundësia e kampeve verore në Shqipëri? A ka mundësi të bëhet dhe më shumë në këtë aspekt?

Fation Nikolli: Nëse je serioz, i përkushtuar dhe ke pasionin dhe përgjegjësinë për ta parë këtë punë jo vetëm në drejtimin fitimprurës është goxha e realizueshme. Përvoja jonë si një ndër Institucionet e para që e kemi ofruar dhe e ofrojmë prej vitesh këtë kurrikulë në kryeqytet e tregon këtë.

  • Disa këshilla për fëmijët që i kalojnë pushimet më së shumti në shtëpi e që nuk shkojnë në kampe verore:

Fation Nikolli: Personalisht mendoj se do të ishte zgjidhja më e duhur për fëmijën dhe për prindin gjithashtu që të regjistronte dhe angazhonte fëmijën në Programe të tilla dhe këtu nuk flas vetëm për Kampin Veror.

Nga eksperienca personale e profesionale prej më shumë se 16 vitesh në këtë fushë, më ka rezultuar dhe vazhdon të më rezultojë që cilido fëmijë që është mbajtur dhe përballur gjithë kohën i angazhuar me aktivitete të tilla në Institucione Akademike rezulton të jetë më social, të ketë më vetëbesim, disiplinë dhe organizim se dikush që mund të jetë mbajtur i mbyllur nga socializimi.

Nuk ka dyshim që fëmija është drita e syrit për prindin dhe askush nuk e vë në diskutim që Prindi punon dhe dëshiron gjithmonë më të mirën për fëmijët. Por sado që të mundohemi shtëpia mbetet gjithmonë një zonë komforti dhe zhvillimi lind kur përballemi e dalim nga zona e komfortit.

Nëse fëmija do të rri në shtëpi ajo do të jetë brenda një zone komforti ku do të ketë vetëm përballjen me botën e tij brenda katër mureve. Zgjidhje e vetme për të do të jetë televizori dhe ekrani i telefonave dhe tabletave. Pra nuk do të ketë një aktivitet të organizuar ditor. Ky mbetet mendim personal që nuk ndikohet nga interesi personal.

  • Po për kampet e pa licencuara çfarë mendimi keni? A janë shtuar, sa të sigurta janë sipas mendimit tuaj?

Fation Nikolli: Ky pastaj është një problem shumë serioz që ndeshemi përditë dhe është edhe shumë shqetësues që na prek të gjithëve Institucion-Mësues-Nxënës-Prind. Personalisht jam kundër dhe jo vetëm se në gjykimin tim është e padrejtë, tërësisht e papërgjegjshme por personalisht e quaj aventurë kriminale në të gjitha aspektet ndërmarrjen e veprimeve të tilla në këtë fushë. Kjo jo vetëm nga ana e legjislacionit.

Më lejoni t’iua argumentoj: Së pari, duhet të kuptojmë se përpara se të jetë biznes, ngritja e një Institucioni Arsimor, Edukativ apo Argëtues çfarëdo qoftë, është përgjegjësi. Kemi të bëjmë drejtpërdrejtë me rritjen dhe edukimin e qytetarit të nesërm. I pa negociueshëm në këtë pikë është vetëm fëmija, nxënësi, dhe askush tjetër. Fëmija është drita e syrit për prindin. Besimi i tij, për ne që e marrim përsipër, duhet të jetë më shumë se përgjegjësi.

Për çdo prind që vjen në Institucionin tonë, përveçse i vendosim në dispozicion të gjitha Certifikimet, Autorizimet  dhe licensimet nga të gjitha Institucionet Kopetente të Republikës së Shqipërisë, por edhe ato Ndërkombëtare, me lurrikulat e hartuara sipas të gjithë legjislacionit në fuqi, dhe axhendave europiane të edukimit dhe arsimit, ne firmosim së pari një Kontratë dypalëshe bashkëpunimi, që do të thotë se ne jemi të gatshëm së pari të mbajmë përgjegjësi juridike në të gjitha drejtimet për atë që ofrojmë. Tani të lutem si një person mund të jetë i përgjegjshëm kur së pari nuk ka karakterin të mbajë përgjegjësinë juridike përpara teje? Sa besim mund të kemi tek persona të tillë?

Si mund të besoni ju tek ushqimi që i jepet atij fëmije? Kush e mban Përgjegjësinë? Si mund të besoni ju kur këto fëmijë nxirren eskursion dhe në rast të një fatkeqësie persona të tillë kanë shpëtuar paq sepse nuk kanë asnjë përgjegjësi juridike? A e dini që në të ashtuquajtura kampe apo qendra të tilla fëmijët mbahen në apartamente 1+1 apo dyqane të fshehura pas adezivëve, pa asnjë ndarje grupmoshash. Ku fëmija i kopshtit mëson fjalët jo etike të fëmijës së klasës së pestë, apo shtatë, apo tetë. A e dini se persona të tillë shesin zarzavate por brenda të njëjtit ambient e ofrojnë dhe një shërbim të tillë. Nëse të gjithë do ta lexonim ligjin do ta kuptonim që gjëja e parë është ambienti. Transparenca. Si mund t’i besojmë dikujt që i fshihet transparencës? Luan me fëmijën tuaj.

Së dyti, po ju them se janë shumë pak Institucione të licensuara për ta ofruar këtë shërbim dhe janë të shumtë qendrat e palicensuara, që jo vetëm abuzojnë në të gjitha drejtimet por mbi të gjitha cënojnë profesionalizmin e kësaj pune.

Po ju konkretizoj dicka. Rasti i shërbimit PasShkollor, ne jemi një Institucion që e ofrojmë këtë shërbim prej vitesh, me një kurrikulë dhe Disiplinë Profesionale strikte në justifikimin e besimit të prindit mbi edukimin, rritjen dhe përkujdesin ndaj fëmijës. Fëmija vjen në Institucion, i pyetet mësimi, i shpjegohet mësimi, i jepet konsulenca për detyrat, kontrollohen detyrat, ushqehet, edukohet, mësohet me punën dhe kjo relativisht kërkon një kohë ditore të gjatë. Një joformal, abuzues, e shef fëmijën si numër biznesi dhe përveçse nuk bën asgjë nga këto, bën krimin më të madh duke ja dhënë detyrat e gatshme, duke e ç’edukuar fëmijën, dhe duke e mbajtur atë nën përfitimin që prindi nuk ka ku ta lërë. Do t’iu ftoja t’i investigonit. Shkoni dhe pyesni mësuesit e shkollave se çfarë mendimi kanë për të tilla qendra abuzive. Janë në masë. Dhe mbi të gjitha janë ligjërisht inekzistentë por fatkeqësisht ekzistentë.

Së treti, nuk po flas pastaj që është absolutisht e padrejtë dhe abuzive që unë që paguaj taksa, vidhem nga të tillë persona abuzive duke më cënuar tregun e konkurrencës. Ata nuk paguajnë taksa, nuk preken nga grupet e kontrollit sepse janë të fshehur, dhe dalin me gjysmën e çmimit tim, apo shumë më poshtë, duke më vënë përpara vështirësisë që jo vetëm të ruaj standarsin e cilësinë por edhe të kem mbi supe riskun e kostove në sfidën e çmimeve. Pra unë detyrohem të punoj me stadarse të lartë dhe Çmime të ulta që më cënojnë drejtpërdrejtë në kosto. Në këtë fushë absolutisht nuk duhet të lejohen të tilla sipërmarrje nga njerëz abuziv, të papërgjegjshëm që bëjnë krimin në rradhë të parë ndaj edukimit të fëmijës e më pas ndaj ligjeve në fuqi. Shteti duhet të jetë më i prerë. Fatkeqësisht kjo nuk ndodh. I keni jo të pakta rastet abuzive të publikuara në portale apo emisione investigativ. Nuk duhet të presim të ndodhi skandali e më pas të reagojmë. Po bëhet krim ndaj fëmijëve tanë dhe e kemi para syve. Ju ftoj t’a investigoni. Një Komb që të shkojë përpara duhet të ketë një Arsim të përgjegjshëm dhe kjo arrihet pikësëpari kur secili nga ne të ketë Karakterin e mbajtjes së Përgjegjësisë në të gjitha drejtimet.

Një mësues prodhon njerëz, thotë një nga dishepujt e pedagogjisë. Është karakter, përgjegjësi, art, prindërim, sakrificë përtej vetvetes por asesi nuk duhet të lejohet të jetë aventurë kriminale. Me Respekt për punën tuaj, Fation Nikolla

Një prind që ka dërguar fëmijët në kamp rrëfen eksperiencën: “Unë jam Eduard Elezaj kam fëmijët pranë kampit “Time Center” prej 6 vjetësh dhe është shumë i lumtur në lidhje me përgatitjen dhe korrektësinë që ky institucion ka në trajtimin e fëmijëve të mi. Në kamp nuk është thjeshtë që prindërit të dërgojnë fëmijët aty duke qenë se janë në punë por fëmija nëpërmjet programeve që ofron kjo qendër përfiton njohuritë në aktivitete sportive, në ushtrime inteligjente si dhe në argëtime të ndryshme duke e angazhuar fëmijën në tërësinë e kohës.

Aktivitetet në kamp janë të ndryshme. Dita fillon me përsëritjen e një lënde që ka përzgjedhur mësuesja,më vonë shikojnë një dokumentar të zgjedhur nga fëmijët, me pas zhvillojnë aktivitete të ndryshme zhvillimore si: shahu, krijime të ndryshme punë dore, etj. Më pas fëmijët konsumojnë ushqimin e drekës, pas kësaj fëmijët lozin në ambientet e jashtme të oborrit.  Dita në kampin veror nuk mbaron këtu sepse më pas vjen koha e zemrës ku fëmijët konsumojnë një ëmbëlsirë ose fruta të ndryshme. Gjatë ditëve të kampit veror organizohen ekskursione të ndryshme jashtë institucionit duke vizituar muze dhe ambiente të tjera. Gjithashtu edhe ekskursione jashtë qytetit të Tiranës me miratimin e prindërve. Kampet verore zgjasin deri në 2 muaj (qershor-korrik).”

Kampi veror te Stela

Flet përfaqësuesja e kampit: Nga data 17 qershor nis kampi. Nga e hëna në të premte, nga ora 8 e mëngjesit deri në 4 të pasdites. 8 me 9 pa çerek është transport kur mblidhen fëmijët dhe vijnë në resort. Ka mëngjesin dhe drekën. Kanë pishinat e jashtme ku janë gjithë kohës në mbikqyrje dhe janë të ndarë sipas grupmoshave. Fillojnë nga mosha 6 deri në moshën 14 vjeç, janë të ndarë në disa grupe. Mbikqyrjen më të madhe e kanë fëmijët e vegjël. Një animator mund të ketë 4 fëmijë të vegjë. Si aktivitet zgjat deri më 10 gusht. Çmimet dalin javës tjetër. Vjet kanë qenë 17 mijë lekë dita.

Aktivitetet

Not-3 herë në javë

Kick boxing- 2 herë në javë

Kangoo jumps-5 herë në javë

Zumba-3 herë në javë

Pikturë-art craf 3 herë në javë

Ping Pong 5 herë në javë

“Te Stela Resort” organizon çdo vit kampin veror për fëmijë, kamp i cili përfshin një sërë shërbimesh si: pishina, kërcime, karaoke, sporte, pikturë etj.

Kampi shoqëria e Animatorëve Shqiptarë

“Kampet verore hapen çdo vit javën e parë të qershorit  dhe mbyllen javën e fundit të gushtit. Kampet frekuentohen nga fëmijë 6-14 vjec. Shoqëria e Animatorëve Shqiptarë organizon kampe verore për fëmijë që prej vitit 1999. Animatorët tanë janë profesionistë të certifikuar si animatorë socialë dhe të diplomuar nga Fakulteti i Veprimtarisë Fizike dhe Rekreacionit. Fëmijët tuaj mund të jenë pjesë e kampeve tona, ashtu siç kanë qenë gjatë këtyre viteve më shumë se 11.000 fëmijë në të gjithë Shqipërinë. Në kampet tona verore, do të bëhen punë manuale, aktivitete kreative, teknika animimi, lojëra bashkëpunimi, pjesë teatrale, si dhe momente reflektimi dhe diskutimi për tema të ndryshme sociale, në mënyrë që formimi dhe edukimi i fëmijëve tuaj të vazhdojë ashtu si në shkollë, por këtë herë në formë të animuar”.

“Në kampet tona verore animatorët tanë organizojnë programe me një ndërthurje profesionale të aktiviteteve sportive dhe lojrave dinamike, duke shfrytëzuar në mënyrë perfekte hapësirat tona siç janë: pishinat, deti, fushat e futbollit, volejbollit dhe basketbollit, në mënyrë që të forcohen sa më shumë aftësitë e tyre fizike. Kjo bëhet e mundur falë natyrës piktoreske ku këto kampe organizohen. Çdo fundjavë do të organizohet Club Scout, i cili zhvillohet në natyrë, ku dhe fjetja bëhet në tendat e kampeve të ngritura nga vetë fëmijët. Club Scout do t’u mësojë fëmijëve ato gjera, të cilat çdo fëmijë do të donte të dinte për natyrën dhe kjo falë kontaktit të ngushtë me të dhe eksperiencave të paharrueshme, që vetëm jeta e një scauti ofron. Club Scout drejtohet nga një grup Animatorësh turistikë  “Animated Adventure Club”. Ushqimi dhe siguria janë të padiskutueshme, falë partnerëve tanë të besueshëm dhe seriozë”.

Program – ide në linja të gjëra

Një ditë normale fillon në orën 08:00 me transport të organizuar sipas kërkesës së prindërve.

Në orën 09:00 mbërritja e fëmijëve në kamp dhe shërbimi i mëngjesit.

Në orën 09:30 fillon kampi me temën edukative të ditës.

Ne orën 10:00 organizohen lojra fillimisht gjimnastikore dhe kërcime të animuara, që pasohen nga lojra bashkëpunimi dhe dinamike.

Në orën 11:00 lojra të organizuara në pishinë (nën drejtimin dhe mbikqyrjen strikte të Animatorëve Socialë).

Në orën 13:00 përgatitja për drekën (ndërrimi i rrobave të lagura dhe pushimi para ngrënies).

Në orën 13:30 dreka.

Në orën 14:00 lojra tavoline, punë manuale, përgatitja e pjesëve teatrale dhe teknika të Dinamikës së Grupit.

Në orën 15:00 pishina, qëndrim i lirë ( nën mbikëqyrjen strikte të Animatorëve Socialë.)

Në orën 16:00 ndërrimi i rrobave të lagura dhe përgatitja për t’u kthyer në shtëpi me transportin e organizuar.

Në orën 16:30 nisja për t’u kthyer  në shtëpi .

Ne fundjava te caktuara do te organizohen guida turistike, ku fjetja do te behet me tenda ne natyre, me pajisjet e nevojshme për kamping.

/Pozitivi.org

© 2022, Pozitivi. All rights reserved.