“Jo Tabu” vjen ndryshe, pëlqimet e para dhe të dashurën e zemrës mund t’ua rrëfesh prindërve
Në këtë episod të dytë, emisioni “Jo Tabu” do tregojë marrëdhënien mama-djalë, në një bisedë të çlirët për problemet që kanë adoleshentët, pëlqimet e para dhe marrëdhënien e parë seksuale.
Etleva është 50 vjeç nënë e katër fëmijëve. Në “Jo Tabu”, ajo vjen sot me Dritanin, djalin e saj 17 vjeçar. Të dy kanë vendosur të flasin hapur për adoleshencën, pëlqimet e para të Dritanit dhe vajzën më të cilën shoqërohet.
Sipas të dhënave të siguruara nga Unfpa, adoleshenca është periudha mes fillimit të maturimit seksual, pubertetit dhe moshës madhore, është koha e maturimit psikologjik. Adoleshenca konsiderohet përafërsisht periudha midis 13 deri në 19 vjeç. Në këtë kohë adoleshenti pëson jo vetëm rritjen fizike, por edhe ndryshime emocionale, psikologjike, sociale dhe mendore.
Ndaj mamatë si personazhi ynë Etleva, i rrinë pranë fëmijëve me këshilla dhe sugjerime.
“Është shumë e rëndësishme që të na thuash çdo gjë që ne ta dimë, sepse duam që të të mbrojmë ty nga çdo e keqe që mund të ndodhë. Sot situata është më e rrezikshme, dikush mund të pijë drogë, dikush mund të sëmuret nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme, ndaj ne duam të dimë çdo hap që hedh ti në mënyrë që të të mbrojmë”, – shprehet Etleva.
Bashkë me pëlqimin në adoleshencë vjen edhe marrëdhënia e parë. Gjatë bisedës, Dritani tregon sa ka qenë 16 vjeç kur ka kryer marrëdhënie për herë të parë. Etleva mendon se djali i saj ka qenë i vogël për këtë eksperiencë, megjithatë për të është e rëndësishme që ai të jetë i mirëinformuar.
Por kur duhet kryer marrëdhënia e parë?
Më shumë se sa një moshë të duhur ekspertët këshillojnë që të përdoren pyetjet e duhura. A është ai ose ajo personi I duhur për të nisur këtë eksperiencë? A po kryej marrëdhënie vetëm për të qëndruar me partnerin? A mund të tërhiqem në moment të fundit se pendohem? Këto dhe të tjera pyetje të tilla do e bëjnë më të qartë faktin nëse jeni gati për të kryer marrëdhënien e parë.
Në fund të intervistës Dritani dhe Etleva japin përshtypjet e tyre për këtë intervistë.
“Jam ndjerë pak në siklet, por përgjithësisht komod”,- thotë Dritani për “Jo Tabu”.
“Në fakt u ndjeva mirë, një tjetër mënyrë që të flas me djalin, ti tregojmë njëri- tjetrit”,- rrëfen Etleva.
Në episodet e ardhshme të “Jo Tabu”, të tjerë prindër e fëmijë do të përballen për të folur pa doreza për shëndetin seksual riprodhues.
© 2020, Pozitivi. All rights reserved.
