‘Jo tabu’, martesat në moshë të hershme një realitet i dhimbshëm në Shqipëri
24/05/2019 Shpërndaje

‘Jo tabu’, martesat në moshë të hershme një realitet i dhimbshëm në Shqipëri

“Jo tabu” kuizi argëtues dhe edukues mbi shëndetin seksual dhe riprodhues që prej dy javësh i është bashkuar emisionit “Trokit” në INtv, këtë herë ka trajtuar tematikën e martesave në moshë të hershme.

Emisioni ka startuar me sfidën e dy të rinjve të vënë përballë disa pyetësorëve të cilët kanë në thelb martesat, duke iu referuar ligjit, problemet që sjellin martesat në moshë të hershme, sa aktuale është kjo problematikë në shoqërinë tonë, institutucionet përgjegjëse për parandalimin e martesave në moshë të hershme etj.

Realiteti i martesave të hershme në Shqipëri është në atë pikë që ka sjellë jo vetëm probleme në shëndet dhe integrimin e vajzave në punë dhe shoqëri por ka shkuar deri në atë pikë sa të humbasin edhe jetën. Të ftuara në studio për të ndarë informacione të rëndësishme mbi këtë temë kanë qenë Elma Tërshana Drejtore Ekzekutive Observatori për të Drejtat e Fëmijëve si dhe Elsona Agolli analiste e programit të UNFPA për çështjet gjinore.

“Realiteti na ballafaqon me disa histori të një filmi, siç është 14 vjeç dhëndërr, gjë e cila ta ndeshësh sot në 2019, në shekullin e teknologjisë dhe zhvillimit kupton se sa të varfër jemi në aspektin e zhvillimit kryesisht në çështjen e emancipimit dhe të mirërritjes së fëmijëve. Një nga realitetet e dhimbshme është që në një distancë prej  2 km nga qendra e Tiranës ti ndesh dhe gjen vajza të cilat u është dashur të martohen para të 18-ve por jo vetëm kaq por kanë kaluar 2 lindje dhe pa mbushur të 18-at është në pritje të fëmijës së 3”, tha ndër të tjera Tërshana.

Ndërkaq përfaqësuesja e UNFPA Elsona Agolli ka folur për mekanizmat ndërkombëtarë në mbrojtjen e martesave të hershme dhe të drejtave të vajzave dhe grave. “Detyrimet që Shqipëria ka janë detyrime kombëtare të cilat janë vënë më në pah e janë theksuar dhe më shumë nga detyrime ndërkombëtare, nga instrumenta ndërkombëtare qoftë të OKB qoftë të Europës. E para është ajo që na mbron të drejtën ne të gjithëve, si vajzës, djalit, burrit gruas dhe plakut, pra të gjithë popullsisë, dhe Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut. Mbi këtë janë ndërtuar konventa pafund të cilat Shqipëria i ka të ratifikuara. Kemi konventën për eliminimin e të gjithë formave të dhunës ndaj gruas, Konventën për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës, Konventa e Këshillit të Europës që njihet ndryshe Konventa e Stambollit, gjithashtu do doja të vija në pah dhe dy pakte që janë në lidhje me të drejtën civile dhe publike por gjithashtu dhe të drejtës socio-ekonomike dhe kulturore, sepse këto kanë shumë rëndësi për të vënë në pah atë pjesë që psh kultura nuk është justifikim në martesë të hershme, pra për ta martuar një vajzë apo djalë më herët se çështë parashikuar në legjislacion”, thotë ajo.

Përgjatë emisionit u përcollën raste nga realiteti shqiptar ku sipas studimeve martesat në moshë të hershme janë më të prirura të shkojnë në divorc dhe të kenë një hendek më thellë varfërie. Ndërkaq u diskutua dhe për rolin e arsimimit në sensibilizimin e të rinjve mbi të drejtat e tyre të cilat mbrohen në konventat ndërkombëtare dhe ndalojnë martesat në moshë të hershme. Në fund emisioni u mbyll me historinë e një zonje të martuar në moshë të hershme, e cila flet për arsyet që e detyruan si dhe me të dhëna nga ekspertët e fushës mbi këtë fenomen që vijon të mbetet problematik edhe në ditët e sotme në vend.

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.