Ina, fotografja nga Fieri me aftësi ndryshe, që ka rrëmbyer dhjetëra çmime
18/10/2018 Shpërndaje

Ina, fotografja nga Fieri me aftësi ndryshe, që ka rrëmbyer dhjetëra çmime

Ina Toska është 30 vjeç. Ka mbetur e paralizuar që në fëmijëri për shkak të teperaturës. Ne moshën 15 vjeçare halla i ka blerë dhuratë një aparat fotografik dhe që atëherë ka filluar të merret me fotografinë. Ka marrë pjesë vullnetarisht në shumë konkurse dhe aktivitete që kanë të bëjnë fotografinë dhe në shumë prej tyre është vlerësuar me çmime. Fotot e saj kanë dalë nëpër revista dhe ekspozita në Tiranë, Fier dhe qytete të tjera, shkruan pozitivi.org. Kjo e ka motivuar vajzën dhe familjen të besojë se ajo tashmë është një profesioniste, e talentuar, njësoj si të tjerët dhe e aftë të punojë si fotografe.

Ka lindur dhe jetuar në qytetin e Fierit me familjen. Familja e saj është e përbërë nga mami, babai, vëllai dhe motra, të dy më të vegjël në moshë dhe të arsimuar. Ata kanë qenë shtylla ku ajo është mbështetur gjithë këto vite. Prindërit prej vitesh janë marrë me biznesin familjar. Kanë një lokal me ushqime deti, me të cilin kanë pasur sukses.

Edhe pse me aftësi kë kufizuara vajza ka mundur të përfundojë gjimnazin me mbështetjen e familjes dhe mësuesëve, të cilët e kanë përkrahur tej mase, tregon babai i Inës për pozitivi.org. I kanë qëndruar pranë që ajo të mos ndihet e pa barabartë me të tjerët. Dhe ia kanë dalë.

Ina ecën dhe dëgjon por me vështirësi. Edhe të flasë e ka të vështirë. Kupton shumë mirë, por jo gjithkush arrin të kuptojë atë që ajo thotë përmes zërit. Por 30 vjeçarja flet aq bukur dhe qartë përmes forografisë dhe të shkruarit. Prindërit tregojnë se shkrimet e 30 vjeçares janë mahnitëse. Në fillim mezi e kanë besuar se i shkruante Ina. Di të shkruajë urime dhe të ndërthurë gjithçka që i ndodh me fjalë kaq të ëmbla dhe të bukura. Fotografitë e saj janë vlerësuar me dhjetëra çmime, të cilat ajo i ruan dhe tregon me shumë entuziazën dhe krenari.

Kaltra motra e vogël ka sakrifikuar shumë për motrën e madhe. E ka ndjekur Inën në çdo hap, jo më pak edhe i ati, Arturi. Arturi është një baba shembullor. E ka dërguar vajzën të marrë pjesë në shumë aktivitete të fotografisë, edhe jashtë Fierit. Ka lënë çdo punë për t’i realizuar dëshirat. Për këtë e ka ndihmuar dhe gjendja e mirë ekonomike që ka familja. Por mbi të gjitha ka qenë përkushtimi dhe dashuria prindërore që e kanë shtyrë t’i kushtohet kaq shumë vajzës së tij. E ka shoqëruar në vende të ndryshme, ne Divjakë, Rradhime, Zvërnec etj, që ajo të mund të realizojë fotot qe do. Nuk është lodhur asnjëherë që ta bëjë të ndihet mirë dhe e barabartë me të tjerët. Që ta bëjë të ketë besim në vete. Endrra e tij e madhe është që Ina të punësohet si fotografe, në ndonjë kompani apo studio fotografike. Të integrohet në punë dhe shoqëri. Pse jo të hapë dhe një biznes të sajin së shpejti.

Me  kalimin e viteve gjendja e Inës është përmirësuar krahasuar me ç’ka qenë. I pëlqen të ecë, të fotografojë gjithçka që sheh. Në shtëpi, në natyrë. Fotografon momente të bukura, që e bëjnë të ndihet mirë. Duart e gjyshes, dritën e llampave në lokalin e babait. Fëmijë në rrugë. Peisazhe të bukura të natyrës së mrekullueshme shqiptare. Vetë është e qeshur gjithë kohës dhe e vëmendshme të kuptojë bisedat e tjerëve. Kërkon shumë nga vetja dhe familja. Ndonjëherë mërzitet për gjendjen e saj dhe kërkon përgjigje nga ata ‘ se pse e kanë bërë kështu?’.

Kjo i ndodh më së shumti kur nuk fiton në ndonjë konkurs ose kur nuk arrin atë që do. I ndodh kur përballet me paragjykime. Pavarësisht gjithçkaje ajo eshte e lumtur dhe cdo dite kerkon te realizoje endrrat dhe te arrije prespektiva te reja ne jete. Madje ka bindjen se emri i saj do mbese gjate ne fushen e fotografise.

© 2018, Pozitivi. All rights reserved.