Historia e futbollistit legjendar në Ukrainë, i mbijetoi tre luftërave, mbledh para për rezistencën ndaj rusëve
Kur Rusia filloi pushtimin e saj në Ukrainë mëngjesin e 24 shkurtit, futbollisti Darijo Srna, u zgjua në orën 06:00 të mëngjesit nga zhurmat e sirenave të sulmeve ajrore. Ishte një zhurmë, që ish-ylli ndërkombëtar i futbollit thotë se e ngjethi dhe e frikësoi njëkohësisht. Ajo i kujtoi kohën kur ishte 8 vjeç dhe i duhej të ikte nga Kroacia në të cilën shpërtheu lufta.
Pra, kur klubi i tij i futbollit Shakhtar Donetsk u detyrua të largohej nga Kievi, qyteti që kishte qenë një nga bazat e shumta të përkohshme të skuadrës që nga viti 2014, në fillimin e pushtimit të Rusisë, fatkeqësisht ishte një skenar me të cilin Srna ishte shumë i njohur.
Ish-reprezentuesi kroat është vetëm 39 vjeç, por tashmë ka përjetuar tre luftëra në jetën e tij; fillimisht në Kroaci në fillim të viteve 1990, më pas në 2014 në rajonin e Donbasit të Ukrainës, shtëpia e vërtetë e Shakhtarit dhe tani në pjesën më të madhe të pjesës tjetër të vendit.
“Nuk ishte një kujtim i bukur,” thotë Srna, i cili është drejtori i futbollit i Shakhtar Donetsk. “Kur fillova ta harroj pak dhe të shijoj jetën time, dëgjova sërish sirenat.
“Unë jam i fortë. Dua të jem i fortë, por ndonjëherë është e vështirë për shkak të gjithçkaje, sepse e ke humbur shtëpinë dy herë. Në këtë moment, është e rëndësishme të jesh pozitiv, të jesh i fortë dhe t’u japësh përshtypje pozitive të gjithëve.”
Srna, i cili, së bashku me pjesën tjetër të ekipit, arriti të shpëtojë nga Ukraina një ditë pasi Rusia filloi pushtimin e saj, ka gjetur forcën për të ndihmuar ata që janë më të prekur nga lufta në Ukrainë.
Shakhtar, ku Srna është një legjendë e klubit pasi ka luajtur për 15 sezone, ka qenë i pastrehë për gati tetë vjet, që kur shpërthyen luftimet midis separatistëve të mbështetur nga Rusia dhe forcave ukrainase në 2014.
Pasi u tërhoq nga futbolli profesionist në vitin 2019, Srna mori rolin e ndihmës trajnerit në Shakhtar përpara se të bëhej drejtor i futbollit të klubit.
Ai është shumë i vetëdijshëm se gjendja e tij dhe e pjesës tjetër të ekipit nuk është asgjë në krahasim me ata që luftojnë në vijën e parë dhe ka ndihmuar në udhëheqjen e përpjekjeve të klubit në ofrimin e mbështetjes për ushtarët dhe refugjatët ukrainas.
Shakhtar është aktualisht në mes të një turneu evropian – ‘Global Tour for Peace’ — gjatë të cilit ata do të luajnë kundër një numri klubesh për të mbledhur para për ata që janë kapur në luftë.
“Ne nuk mund ta krahasojmë veten me popullin e Ukrainës,” i tha Srna Don Riddell të CNN Sport. “Por ne jemi një ekip futbolli, ne jemi futbollistë dhe po përpiqemi të bëjmë diçka që dimë të bëjmë — dhe kjo është të luajmë futboll.
“Të gjitha të ardhurat që marrim nga biletat dhe nga sponsorët për këto lojëra po i dërgojmë në Ukrainë për fëmijët, për njerëzit që janë në një situatë shumë të vështirë”, tha ish-legjenda.
© 2022, Pozitivi. All rights reserved.
