Gjyshja 90 vjeçare e shndërron fshatin e vogël në galerinë e saj të artit
Pavarësisht nga mosha, talenti nuk plaket kurrë. Disa njerëz na tregojnë që sado i ri apo i moshuar të jesh, kjo botë ka vende plot për t’i dhënë asaj pak më shumë ngjyrë. Dhe këtë na e vërteton më së miri 90 vjeçarja Anežka Kašpárková nga një fhasti i vogël në Republikën Çeke. Kjo gjyshe e shpalos më së miri pasionin e saj për artin nëpërmjet luleve, por jo mbi një telajo të zakonshme.

Me një penel të vogël dhe pak bojë blu, Agnes pikturon murale të mahnitshme të frymëzuara nga motivet tradicionale të Moravës mbi muret dhe kornizat e dyerve dhe dritareve të shtëpive të fshatit të saj, Loukas. Ish fermerja çeke ka disa vite që e praktikon këtë hobi të saj, të cilin e përvetësoi nga një banore tjetër e fshatit që bënte të njëjtën gjë dikur.

Gjyshja artiste ka një imagjinatë të paparë pasi nuk e planifikon kurrë punën e një dite. Zakonisht, ajo i lë dorë të lirë penelatave dhe më pas admiron veprën e duarve të saj, sidomos në vendin e preferuar, kishëzën e fshatit.


Edhe pse po i afrohet të njëqintave, Anežka qëndron për orë të tëra duke pikturuar, madje edhe mbi skela të improvizuara. Ajo e ndal artin e saj vetëm gjatë dimrit, kur i duhet të mbyllet brenda për shkak të klimës së ftohtë. Ama, me të ardhur pranvera, stina kur jeta fillon sërish të gjallërojë, Anežka heq pallton nga krahët e nis të transformojë fshatin e saj, ashtu, lule pas lule.

Nëse kjo histori s’na shërben për shumë, të paktën diçka mund të mësojmë. Mosha është thjesht çështje numrash, sidomos kur bëhet fjalë për të shprehur krijimtarinë dhe për ta hijeshuar sado pak këtë botë, qoftë edhe me një lule mbi mur.
Admironi veprat e kësaj gjysheje artiste, dhe pse jo, mbase frymëzohemi dhe ne prej saj.

© 2017, Pozitivi. All rights reserved.
