Gjuha shqipe edhe në uniformat e policisë në Maqedoninë e Veriut
Në komunat ku mbi 20 për qind e popullsisë është me shqiptarë uniformat e Policisë në Maqedoninë e Veriut do të jenë edhe në gjuhën shqipe.
Vendimi është bërë i ditur edhe nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Sistemit Politik, Artan Grubi, i cili në rrjetet sociale ka bërë të ditur se “Qeveria ka vendosur që uniformat e policisë në të ardhmen të kenë mbishkrim edhe në gjuhën shqipe”.
“Edhe një detyrë tjetër u përmbush sot! Gjuha shqipe edhe në uniformat e policisë”, ka shkruar Grubi në rrjetin social Facebook.
Në njoftimin e Qeverisë, të publikuar të martën, 15 mars, thuhet se vendimi është miratuar në bazë të Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
“Uniformat policore në Shkup dhe në komunat ku së paku 20 për qind e qytetarëve flasin gjuhë zyrtare (gjuhën shqipe) të ndryshme nga maqedonishtja, shkruhen në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën që përdoret nga së paku 20 për qind e qytetarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Ligji për përdorimin e gjuhëve është miratuar në janar të vitit 2019. Në bazë të këtij ligji gjuha shqipe përdoret gjerësisht në komunat me shumicë shqiptare, si dhe në institucionet shtetërore,
Në institucionet qendrore, të gjitha tabelat janë në dy gjuhë, ndërsa në Qeveri dhe Kuvend, ministrat shqiptarë, deputetët si dhe kryetari i Kuvendit, përdorin gjuhën shqipe, ndërsa dokumentet publikohen në dy gjuhë.
© 2022, Pozitivi. All rights reserved.
