“Gjobë kush gabon me gjuhën shqipe”, kush e mbështet propozimin?
Si shumë shumë të tjera, edhe gjuha shqipe ka problemet e saj, të cilat herë vijnë nga huazimet e jashtme, e herë nga shpërdorimi i ligjëruesve të saj. Mësuesja e Letërsisë në gjimnazin “Sami Frashëri” në Tiranë, Valbona Sulçe, është shprehur për Pozitivi.org se një nga problemet e të folurit dhe të shkruarit të gjuhës shqipe janë huazimet. Dikush mund të mendojë se shqipja po pasurohet duke përdorur fjalë të huaja, por sipas saj po pasurohet në mënyrë të gabuar.
“Sa u takon problemeve të të folurit dhe të të shkruarit në gjuhën shqipe, duhen mbajtur parasysh disa elemente. Në të folur, shqipja shfaqet në standard, dialekte, krahinorizma e zhargone. Nëse secili prej folësve, ka parasysh vendin, temën, statusin e tij dhe të bashkëfolësit gjatë komunikimit, atëherë ai duhet të zgjedhë edhe variantin e duhur të ligjërimit. Problemi shfaqet kur nuk zgjedh në mënyrë korrekte.
E dyta, çështja e huazimeve. Në rast se shqipja e ka fjalën për dukurinë, problemi shfaqet kur ne përdorim huazimin e panevojshëm. Shqetësuese është edhe pranëvënia e huazimit dhe fjalës shqip pranë- i zakonshëm rasti: risi të reja. Këtu flas për huazimet e kohëve të fundit, të ardhura në gjuhën tonë nga mungesa e vëmendjes të secilit”, tha Sulçe.
Një tjetër faktor ndikues, në këtë rast në shkrimin e gjuhës shqipe, Sulçe e shikon te institucionet, duke përfshirë këtu ato arsimore, media, dokumente shtetërore dhe tekste shkollore.
“Sa i takon shqipes në të shkruar, këtu çështja bëhet më e mprehtë. Përjashtojmë të shkruarit në lëmin e letërsisë, pasi aty të shkruarit i përgjigjet të shprehurit. Për këtë secili autor zgjedh sipas qasjes vetiake. Çështja shtrohet në të shkruarit për të kumtuar. Burimet ku ne duhet të kërkojmë korrektësi janë institucionet, të cilat duhet të jenë modeli i ligjërimit të standardit, në të kundërt ndikojnë në dëmtimin e shkrimit të shqipes. Me institucione mbahet parasysh media, shkresa, tekstet mësimore etj. Në të njëjten kohë dhe me të njëjtën peshë është edhe reagimi ndaj devijimit nga rregulli, i cili duhet të vijë nga ne në çdo moment që mund ta hasim”.
Modeli i gabuar gjuhësor prej mjeteve të komunikimit masiv është bërë i zakonshëm. Referuar mediave online dhe rrjeteve sociale që janë kthyer në mjet kryesor komunikimi dhe informimi, një element që ndeshet shpesh janë shkurtimet e fjalëve. Sipas mësueses kur këto shkurtime përdoren për komunikim vetiak nuk krijon problem. Por ajo tregon se ka raste që nxënësit e kanë praktikuar këtë mënyrë të shkruari nëpër ese në shkollë.
“Sa u takon rrjeteve sociale, nëse ligjërimi me shkurtime apo huazime mbetet në komunikimin mes ndjekësve në këto rrethana, mendoj se është zgjedhje dhe s’krijon problem. Problemi merr jetë kur ky komunikim merr shtrirje edhe në rrethana të tjera, për shembull nxënësit adoleshentët e praktikojnë këtë mënyre të shkruari edhe në ese, apo detyra të tjera. Këtu duhet të dalë në pah roli i mësuesit për qartësimin e situatës”, tha ajo për Pozitivi.org.
Problemin e huazimeve e ndeshim edhe në gjuhën e përdorur në gazeta; gjuhën e folur, si bisedat e përditshme, kryesisht mes të rinjve; në gjuhën e moderatorëve të lajmeve, prezantuesve të emisioneve. Madje në çdo reklamë vihet re përdorimi i fjalëve të huaja.
“Tjetër çështje që e shoh shqetësuese. Deri vonë duket se “u mësuam” me emërtime të huaja të bizneseve të ndryshme. Tani ne po shohim dhe degjojmë për emisione të emërtuara “si të jashtimit” . E dyta emrat e femijëve që kalojnë nga institucine shtetërore, gjendje civile, në të cilat regjistrohen me emra të huaj, duke i shkruar ashtu si shkruhen në gjuhën nga na vijnë duke shkelur edhe parime fonetike të shqipes”.
Fjalë të huaja në Shqipëri sheh kur kalohet në rrugët e qyteteve, si rast këtu sjellim Kamzën. Ndërkaq edhe në emërtimet e dyqaneve dhe bizneseve ku në shumicën e rasteve janë në gjuhë të huaj: “Strasburg”, “Oslo” “Observator” etj.
Mund të themi se në dukurinë e huazimeve në gjuhën shqipe kanë ndikuar edhe faktorë të tjerë si emigrimi, arsimimi jashtë vendit i të rinjve, folja e dy gjuhëve, martesat me kombësi të ndryshme etj.
“Patjetër që faktorë të tjerë, jashtëgjuhësorë lënë gjurmë në një gjuhë, por problemi nis kur folësi pranëvë fjalë të gjuhëve të ndryshme pa nevojë. Më shumë se të kumtojë atë që do të thotë po dëshmon probleme, komplekse. Pasi edhe francezët bashkëjetojnë me të tjerë, por janë fanatikë të gjuhës së tyre. Do thuhet që janë francezë e është frengjisht, por thjesht është jona shqipja dhe kjo e bën të veçantë e shtron domosdoshmëri mbrojtjeje, si identitet”.
Për të ruajtur gjuhën shqipe mësuesja sugjeron edhe gjobitjen në raste gabimesh.
“Shqipja duhet mbrojtur nga ne prej nesh. Institucionet përkatëse le të na gjobisin për gabime kur jemi në komunikim institucionalisht. Mediat, redaktorët le të mbajnë fjalore të shqipes pranë vetes.
Mësuesit e gjuhës, por jo vetem ata, të ndalen me kujdes edhe për mënyrën se si flasin, si shkruajnë dhe patjetër të ndërhyjnë në çdo rast për përmirësim të fjalës kur thuhet gabim nga nxënësi. Gjejmë fjalë që s’kanë pse të jenë në të shkruar: I jam falenderues në vend të mirënjohës. Ne hasemi, në vend të ne përballemi. Përkthimet e teksteve mësimore. Për to është bërë shumë punë për përmirësim dhe duhet të mbahen në vëmendje”.
/Pozitivi.org
© 2022, Pozitivi. All rights reserved.
