Në mes të natës, të gjithë po “vdisnin” nga kureshtja, kush ishte stacioni i fundit i djalit të vogël
Ishte ora 10 e gjysmë e natës dhe ky fëmijë rreth 11 vjeç ndodhej jashtë shtëpisë. Qëndronte ulur në sediljen e autobusit të Tiranës së Re por nga lëkundjet e kishte marrë gjumi. Në këtë orë të mbrëmjes kishte fluks të madh njerëzish dhe një pjesë që ishin mbi kokën e tij e vështronin me vëmendje fytyrën ëngjëllore që e kishte përveshur teksa buzëqeshte në gjumë.
Kaluan disa stacione, djali nuk po zbriste, madje askush nuk po interesohej për të. Ishte vonë, ora po shkonte 11 dhe papritur i doli gjumi. Qytetarët ngjitur me të pasi pëshpëritën me njëri-tjetrin, e pyetën se ku do zbriste, e nëse e shoqëronte njeri. Djali i përgjumur nisi të buzëqeshte nga mimikat e atyre pranë dhe tha, “Nuk jam vetëm, kam njerëz këtu”, më pas u kthye në anën tjetër për të marrë sërish një sy gjumë, shkruan pozitivi.org.
Edhe pse kaluan gati 15 minuta të tjera askush nuk erdhi pranë tij. Asnjë nuk e besoi atë që tha, as gjendja në të cilën ndodhej nuk dihej në të vërtetë. Por, ai dukej kaq paqësor, i gëzuar dhe tepër i qetë ndonëse ora po kalonte të 11-tat dhe kjo nuk ishte shumë normale për një fëmijë. Një pjesë e madhe e njerëzve që ishin në autobus zbritën në stacioninet e tyre, ndërsa ai njëherë merrte një sy gjumë, herë tjetër shikonte i përhumbur nga dritarja. E habitshme, por sapo shikonte nga njerëzit buzëqeshja si ndahej nga fytyra.
Dukej i lodhur, sikur ta kishte kaluar ditën duke punuar… Në fakt nuk është çudi sepse fëmijë që punojnë në moshë të vogël ka shumë, por ky ishte ndryshe nga tjerët, shkruan Pozitivi. Një djali i ri në moshë u afrua pranë tij, teksa bzëqeshte me disa zonja filloi t’i lëmonte kokën vogëlushit dhe e pyeti: “Se mos harron të zbresësh, ke kaluar shumë kohë në gjumë. Ku do zbresësh. A ke njeri këtu?”. E njëjta përgjigje por këtë herë edhe më i buzëqeshur.
Nuk dihet kush e shoqëroi atë natë djalin e vogël, mbase prania e kaq shumë njerëzve e bëri të ndjehej si në shtëpi… I buzëqeshur, tepër i qetë dhe gati për të marrë një tjetër sy gjumë, siç e gjeta ashtu e lashë kur mbërrita në stacionin tim të fundit. Stacionin e tij asnjë në autobus s’e mori vesh, kësaj pyetje i shmangej, preferonte të qëndronte i qetë në gjumin që e kaplonte herë pas here pa e vrarë mendjen se mbase po i binte Tiranës rreth e përqark për të dytën herë… /Pozitivi.org/

© 2017, Pozitivi. All rights reserved.
