Emra për djem/ Nga Sandokani te Ezeli e Ronaldo, shqiptarët frymëzohen nga filmat, telenovelat dhe sporti
Telenovelat dhe filmat janë kthyer në frymëzim për emra fëmijësh për prindërit. Rekord zënë emrat e marrë nga futbollistët e famshëm. 1484 qytetarë në Shqipëri mbajnë emrin Ronaldo, 121 Rivaldo dhe 13 Ronaldinjo.
Sipas të dhënave të INSTAT të paktën 31 persona në Shqipëri mbajnë emrin Sandokan.
Ky është një personazh jo pak i njohur. E kemi parë në televizion si serial të animuar, por edhe film. Sandokan është një personazh i krijuar nga autori italian Emilio Salgari. Në vitin 1883 ai publikoi për herë të parë aventurat e piratit, i cili përgjatë Detit të Kinës Jugore njihej si “Tigri i Malajzisë”.
Tarzani është po kaq i përdorur. 33 persona mbajnë një emër të tillë sipas të dhënave. Tarzanin jemi mësuar ta shohim në filmin e animuar në vitin 1999 ku pasi u rrit në xhungël, personazhi arrin të prekë civilizimin.
Një tjetër personazh filmi që ka mbetur në memorien e shqiptarëve është Jean-Claude Van Damme pasi 18 persona kanë marrë për emër mbiemrin e tij, Vandam.
Përpos këtyre personazhëve që janë të njohur prej vitesh, së fundi shqiptarët po frymëzohen nga telenovelat turke të cilat janë ndër më të ndjekurat për shkak të ngjashmërisë edhe në tradita.
Një prej tyre është “Ezel”, personazhi i luajtur nga Kenan Imirzalioglu në një telenovelë turke të dhënë në televizionet shqiptare. Ky serial ishte bazuar Konti i Monte Kristos. Të paktën 21 persona mbajnë emrin Ezel në vend.
© 2022, Pozitivi. All rights reserved.
