Edukimi seksual në shkolla dhe shëndeti i të rinjve
Përfshirja e edukimit shëndetësor me fokus edukimin seksual në kurrikulat shkollore është shumë i rëndësishëm dhe vitet e fundit kemi pasur progres në këtë fushë sipas të ftuarave.
Në ato shtete ku edukimi seksual është i mirë-zhvilluar, të rinjtë raportojnë se shkolla ka qenë një burim i rëndësishëm informacioni për seksualitetin. Tek vendet që programet janë gjithëpërfshirëse dhe të plota, përdorimi i kontracepsionit priret të jetë më i lartë tek të rinjtë dhe shifrat e lindjeve tek adoleshentët të jenë më të ulëta. Nga ana tjetër, shifrat e larta të lindjeve të adoleshentëve gjenden në vende ku edukimi seksual nuk është i zhvilluar ose nuk ekziston.
Shërbimet e shëndetit seksual dhe riprodhues (SHSR) që janë veçanërisht miqësore ndaj të rinjve, gjenden lehtësisht në 10 nga 25 vende, dhe në 10 të tjera ato ekzistojnë edhe pse numri i tyre nuk mjafton për t’u përdorur lehtësisht nga të gjithë të rinjtë që kanë nevojë për to. Në pesë vende, shërbimet SHSR miqësore ndaj të rinjve, nuk ekzistojnë fare. Në më shumë se në gjysmën e vendeve (14), shërbimet SHSR janë pa pagesë për të rinjtë dhe në shtatë shtete të tjera, këto shërbime subvencionohen për të rinjtë. Kontraceptivët përgjithësisht nuk janë pa pagesë dhe vetëm në tre shtete ato ofrohen falas.
Për edukimin shëndetësor me fokus edukimin seksual si aftësi për jetën, nuk është hera e para që po flitet në këto vite. Mund të themi që ka filluar që në vitet 90 por këto 5 vitet e fundit është inkuadruar programi më specifik në emrin e edukimit seksual. Aktualisht jemi ndër vendet e rajonit me edukimin shëndetësor më të zhvilluar në kurrikulat shkollore.
Shqipëria ka pasur një ecuri impresionuese në hartimin dhe zbatimin e edukimit seksual gjithëpërfshirës, kryesisht falë përpjekjeve të Ministrisë së Arsimit, Institutit (në varësi) të Zhvillimit Arsimor, dhe ndihmës financiare dhe teknike të UNFPA-së Shqipëri. Shoqata anëtare e IPPF-së ‘Qendra Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillim’ (QSHPZH) dhe OJQ të tjera kanë luajtur një rol të rëndësishëm në avokimin e edukimit seksual. Që nga 2015, rreth 3,000 mësues janë trajnuar në mësimdhënien e edukimit seksual. Aktualisht, programi po zbatohet vetëm në shkollat publike.
Ligjet dhe politikat mbi edukimin seksual
Më 8 qershor 2012, Ministria e Shëndetësisë miratoi një akt nënligjor të titulluar ‘Miratimi i dokumentit të pozicionimit për edukimin seksual gjithëpërfshirës për të rinjtë në Shqipëri’. Ky dokument pozicionimi cakton Drejtorinë e Shëndetit Publik, në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë, dhe Institutin e Shëndetit Publik që të informojë dhe të drejtojë institucionet shëndetësore, partnerët dhe Organizatat e Shoqërisë Civile që të punojnë më tej në zhvillimin e edukimit seksual. Dokumenti specifikon parimet e edukimit seksual; gjithëpërfshirës dhe i bazuar tek të drejtat e njeriut. Ai identifikon përpjekjet shumë-sektoriale dhe dimensionet e edukimit të parandalimit.
Rregullorja mbështet qartësisht edukimin seksual gjithëpërfshirës. Programi i këtij edukimi seksual, i titulluar ‘Aftësitë për jetën dhe edukimin seksual’, përmban një sërë modulesh që duhet të integrohen në kurrikulën e tri lëndëve kryesore: biologji, edukatë shëndetësore dhe edukim fizik. Për këtë program, u përdorën gjerësisht tre udhëzime ose standarde ndërkombëtare: Këshilli i popullsisë1 , UNESCO2 dhe OBSH/ BZgA Standardet për Edukimin Seksual në Evropë (2010). Këto dokumente u përdorën për qëllime avokimi dhe për hartimin e kurrikulës. Standardet rezultuan të dobishme për hartimin e kurrikulës të përshtatur sipas moshës, për grupmoshat 10 – 12, 12 – 16 dhe 16 – 18. Në total, i gjithë programi për të gjitha grupmoshat mbulon 140 orë mësimore. Për shkak se edukimi seksual është integruar në këto tre lëndët e përmendura, ai është i detyrueshëm për të gjithë nxënësit. Ai po zbatohet që nga viti 2015.
Organizimi dhe zbatimi i edukimit seksual
Procesi i zhvillimit të edukimit seksual në shkolla filloi në vitin 2005 nga UNFPA-ja dhe Ministria e Arsimit (Instituti për Zhvillimin Arsimor, IZHA), ku kjo e fundit ishte përgjegjëse për hartimin e kurrikulës, edhe pse aktorë të tjerë kanë kontribuar gjithashtu në këtë proces. QSHPZHja dhe OJQ të tjera (lokale) kanë marrë fonde nga UNFPA-ja për të avokuar për të drejtat seksuale dhe riprodhuese të adoleshentëve, përfshirë punën edukative që realizohet në shkolla. Mësuesit dhe punonjësit arsimorë janë përfshirë në testimin dhe rishikimin e kurrikulës. Të rinjtë dhe punonjësit shëndetësor janë përfshirë gjatë konsultimeve dhe tryezave të rrumbullakëta.
Edukimi seksual në praktikë
‘Aftësitë për jetën dhe edukimi seksual’ u pilotua fillimisht për 4 ditë në dy shkolla në Tiranë dhe dy në Vlorë, me nxënësit e klasave 4 – 6 (mosha 10 – 12 vjeç), sipas autorizimit të Drejtorisë Arsimore Rajonale. Rezultatet treguan ndryshime pozitive: keqinformimi i nxënësve ishte ulur me 80% dhe njohuritë e sakta ishin rritur po me aq; po ashtu, ishin forcuar vlerat dhe qëndrimet. Gjetjet treguan se mësuesit që ishin trajnuar për këtë projekt pilot ishin përgatitur për të dhënë mësim për modulet e edukimit seksual në përputhje me standardet.
Gjetjet raportuan se fëmijët i kishin kuptuar konceptet e edukimit seksual gjithëpërfshirës dhe se kishin përfituar njohuri dhe aftësi mbi temën. Pas trajtimit të këtyre temave, nxënësit deklaruan se ishin ndërgjegjësuar se seksualiteti nuk kishte të bënte vetëm me seksin, por edhe me komunikimin, pushtetin dhe zgjedhjet e informuara. Nxënësit raportuan se ishin të përgatitur që të merrnin vendime të informuara për jetët e tyre seksuale. Vlerësimi i trajnimit të mësuesve tregoi nivel të lartë kënaqësie të mësuesve pjesëmarrës. Ata shprehën vlerësimin e tyre për trajnimin dhe pohuan se ishin më të hapur kur flisnin me nxënësit për seksualitetin; pengesat ishin zvogëluar. Kurrikula përfshin një tërësi temash, siç përcaktohet në tabelë.
Deri diku, informacioni prezanton dhe institucionet që ofrojnë shërbime SHSR dhe HIV/AIDS, por nuk ka një lidhje të drejtpërdrejtë me ta, thuhet në raportin Edukimi Seksual në Evropë dhe Azinë Qendrore, i bazuar në një projekt të përbashkët kërkimor të Rrjetit Evropian të Federatës Ndërkombëtare të Planifikimit Familjar (IPPF EN) dhe Qendrës Federale Gjermane për Edukimin Shëndetësor (BZgA), Qendrës Bashkëpunuese të OBSH për Shëndetin Seksual dhe Riprodhues. Kjo u realizua me mbështetjen e UNFPA. #UNFPA Albania
© 2019, Pozitivi. All rights reserved.
