Drejtoresha rrëfen si është të “jetosh” me ish-pacientët e psikiatrisë: I kisha frikë, tani më thërrasin në emër të motrës
Ditën e sotme të gjithë ata që kaluan pranë sheshit “Skëndërbej” kanë ndaluar për disa minuta pranë ekspozitës me punime plot ngjyra jete. “Bëj atë çfarë të tjerët mendojnë se nuk e bën dot”, ishte ekspozita e organizuar nga drejtori i Autoritetit Shëndetësor Rajonal i Tiranës, Dritan Ulqinaku. Në ekspozitë punimet dhe pikturat e veçanta të realizuara nga Persona me Probleme të Shëndetit Mendor, tërhoqën vëmendjen e të gjithëve.
Punimet ishin ndryshe, me një vështrim të vetëm kuptohej lehtësisht. Viheshin re ngjyrat e gjalla, punime kreative ku më shumë në sy binte punimi i një çante i realizuar me gazetat që anëtarët e qendrave lexonin çdo ditë, raporton pozitivi.org. Të kujdesesh për persona me probleme mendore duket e vështirë, por drejtoresha e njërës prej qendrave pjesëmarrëse në këtë ekspozitë na tregon të kundërtën.
Meriglena Rusta, drejtore e “Shtëpitë e Bashkuara” në një intervistë për pozitivi.org tregon si u krijua qendra dhe sfida e madhe që kapërceu në këto 5 vite punë. Anëtarët e qendrës kanë qenë ish-pacientë të pavionit kronik të spitalit psikiatrik, të cilët siç tregon drejtoresha kur kanë dalë nga spitali kishin “humbur shumë aftësi dhe ishin bërë agresiv”. Në fillim Rusta tregon se u shmangej sepse i kishte dhe frikë, ndërsa tashmë nga afërsia që kanë krijuar ata e thërrasin në emër të motrave dhe nënave të tyre. Edhe pse vuajnë nga skizofrenia jetesa jashtë psikiatrisë i ka ndryshuar. Janë bërë më të qeshur, më të dashur me njëri-tjetrin dhe me vizitorët.
“Për mua ka qenë sfidë. Në fillim thoja ku po punoj dhe mendoja që nuk do të rezistoja gjatë. Disa prej tyre kanë qenë pak agresiv. Mundohesha në fillimet e mija dhe të shmang kontaktin me rezidentët. Tani kam arritur në fazën që disa prej tyre që unë i kisha shumë frikë më thërrasin në emrin e motrës, nënës së vetë (mami Maria). Domethënë është krijuar një marrëdhënie shumë e këndshme. Në fillim po ka qenë sfidë por tashmë jam shumë e lumtur për zgjedhjen që kam bërë”, tha Rusta për Pozitivin.
Kanë probleme me shëndetin mendor, por kjo si ka penguar të jenë aktiv. Me siguri bëjnë një jetë ndoshta më të mbushur se shumë njerëz që fshihen gjithë ditën pas ekranit të telefonit, apo duke u rropatur në punë. Rusta ishte gati të hiqte dorë nga zgjedhja por tashmë ndihet krenare për atë që zgjodhi të bënte.
Intervista e plotë për pozitivi.org me drejtoreshën e qendrës “Shtëpitë e Mbështetura” Mariglena Rusta:
Pozitivi: Si lindi ideja për këtë ekspozitë?
Mariglena Rusta: Kjo ekspozitë është realizuar nga Autoriteti Shëndetësor Rajonal i Tiranës, në të cilin kanë marrë pjesë të gjitha qendrat që i përkasin këtij institucioni. Ndër to është edhe qendra që unë drejtoj Shtëpitë e Mbështetura.
Pozitivi : Cila grupmoshë bën pjesë tek Shtëpitë e Mbështetura?
Mariglena Rusta: Nga ato që janë rezident më i riu është 27 vjeç mosha më e madhe është 66 vjeç. Janë meshkuj.
Pozitivi: Vazhdimisht zhvilloni orë pikture pasi pak më parë the se e keni si formë terapie?
Mariglena Rusta: Krahas aktiviteteve të tjera që bëhen në qendër se kjo është një ndër aktivitetet se ka dhe të tjera, mes tyre dhe kjo e punimit të pikturave. Të gjitha punimet, idetë janë të vetë rezidentëve dhe përdoruesëve të qendrës.
Pozitivi: A ja ka vlejtur “terapia”, çfarë prmirësimesh ka pasur?
Mariglena Rusta: Sigurisht që po, është një mënyrë e mirë që ata të kalojnë kohën. Nëse flas konkretisht për qendrën time sa më shumë të jenë të angazhuar në aktivitete aq më të qetë janë sepse mbushin kohën e lirë. Janë gjithë kohës të angazhuar dhe s’kanë kohë të tepërt.
Pozitivi: Sa persona keni në qendër?
Mariglena Rusta: Nëse flasim për shtëpitë e mbështetura ata janë rezidencialë aty jetojnë dhe kryejnë të gjitha nevojat. Gjithsej janë 18 rezidentë tek të dyja shtëpitë e mbështetura. Qendrat e tjera pastaj janë ditore…
Pozitivi: Si është e organizuar dita e tyre?
Mariglena Rusta: Të flas konkretisht për Shtëpitë e Mbështetura normalisht që ata kujdesen për higjenën e tyre personale, rruhen, krihen, vishen bukur. Kanë një program javor të përcaktuar, kanë aktivitete jashtë Shtëpive të Mbështetura që përfshijnë vizita nëpër galeri, në aktivitete të ndryshme, artistike kulturore që organizon bashkia dhe evente të tjera. Kanë kalçeto , shkojnë në kinema në teatër, kurse brenda shtëpisë pastaj kanë aktivitete rehabilituese duke u përfshirë në guzhinë të gatuajnë , pavarësisht se ne kemi guzhiniere vetë në qendrën tonë. Kanë orë pikture, bëjnë punime të ndryshme që ata mund të bëjnë, qendra muzike, kërcimi, festa të ndryshme.
Pozitivi: Është e vështirë t’i menaxhoni gjatë kohës që shkoni nëpër këto aktivitete?
Mariglena Rusta: Gjithë personat e qendrës janë me probleme të shëndetit mendor. Pjesa më e madhe e tyre kanë diagnozën skizofreni. Nuk është e vështirë për t’i menaxhuar në aktivitete madje është e kundërta sepse kanë shumë interes dhe që të dalin apo të marrin pjesë nëpër aktivitete. Pjesa më e madhe e tyre kur janë aktivitete që janë jashtë ambienteve të shtëpisë, dhe shoqërohen gjithmonë nga psikologu, infermieri apo punonjësi social. Disa prej tyre janë në gjendje shumë të mirë madje mund të dalin dhe vetë për ndonjë aktivitet të vogël për të blerë gazetën ose për të marrë një kafe pastaj kthehen prap vetë në qendër. Por nuk është e vështirë për t’i menaxhuar sepse kanë interesin vetë, duan vetë të angazhohen.
Pozitivi: Si u krijua qendra, dhe çfarë qëllimi ka?
Mariglena Rusta: Të gjithë rezidentët janë ish-pacintë të pavionit kronik të spitalit psikiatrik. Kanë qenë të gjithë në pavionin kronik. Në kuadër të një projekti të deinstitucionalizimit të të sëmurëve mendor, ka qenë një komunitet Italian . Ata kanë dalë nga pavioni, është mbyllur pavioni kronik i spitalit psikiatrik dhe aktualisht në spitalin e Tiranës nuk ka pavion kronik. Gjithë të sëmurët që kanë nevojë kalojnë fazën akute dhe pastaj rikthehen në komunitet. Të gjithë të sëmurët që ishin në pavionin kronik, ish parcelat e këtij pavioni erdhën dhe u hapën qendrat e mbështetura dhe kanë kaluar aty me qëllimin kryesor që të rehabilitohen dhe të rikthehen në komunitete pranë familjeve të tyre.
Të rifitojnë shprehitë e humbura që i kanë jo për shkak të sëmundjes por për shkak të qëndrimit në institucion. Sepse disa prej tyre kishin dhe 20 vite që kishin qëndruar në spitalin psikiatrik. Jo vetëm që s’kanë pasur përmirësim por kur kanë dalë nga spitali kishin humbur disa aftësi të vetave për shkak të qëndrimit në institucion jo për shkak të sëmundjes. Kur kanë dalë kanë pasur fatin që të jem aty që në momentin që kanë dalë nga spitali dhe disa prej tyre nuk pranonin që të bënin dushe , nëse i vishje i grisnin rrobat, nuk donin të hanin me lugë dhe pirun për shkak të kushteve të këqija që kanë pasur ne spital.
Pozitivi: A kishte përmirësim, i rifituan ato “pjesë” që humbën?
Mariglena Rusta: Tani që u bënë 5 vjet që kanë dalë janë shumë ndryshe. Kanë ndryshuar madje edhe shprehjen e fytyrës. Kur kanë dalë fillimisht nga spitali ishin të ngrysur të vërejtur gjithë kohën. Tani nëse i shoh dhe bëj krahasimin janë më të çelur më të komunikueshëm, me miqtë që vijnë në qendër, me njëri-tjetrin. Ka ndryshuar gjithçka.
Pozitivi: Prej sa vitesh e drejtoni këtë qendër dhe si kanë qenë këto vite për ju?
Mariglena Rusta: Kam 5 vjet që e drejtoj. Për mua ka qenë sfidë. Kur kam filluar nuk kam pasur shumë eksperiencë në shëndetin mendor. Kur kam filluar punë në fillim thoja ku po punoj dhe mendoja që nuk do të rezistoja gjatë. Disa prej tyre kanë qenë pak agresiv, gjëra të vogla por kishte një farë agresiviteti. Mundohesha në fillimet e mija dhe të shmangia kontaktin me rezidentët. Ndërsa tani jo vetëm që nuk i shmang sepse janë shumë të dashur, këndshëm, shumë mirënjohës në mënyrën e vetë.
Kam arritur në fazën që disa prej tyre që unë i kisha shumë frikë më thërrasin në emrin e motrës, nënës së vetë (mami Maria). Domethënë është krijuar një marrëdhënie shumë e këndshme. Plus që në mënyrën e vetë ata e përceptojnë se unë jam përgjegjëse e qëndrës dhe kur shkoj vijnë dhe më ankohen për ato gjërat e veta të jetës së përditshme, psh për të ndryshuar markën e cigareve, për ndonjë aktivitet më shumë. Marrëdhënia dhe puna në institucion është bërë shumë e këndshme tashmë. Në fillim po ka qenë sfidë por tashmë jam shumë e lumtur për zgjedhjen që kam bërë.
© 2017 – 2023, Pozitivi. All rights reserved.




















