20 vite nëpër botë, kulinari durrsak tregon si fitoi suksesin në Itali
15/11/2017 Shpërndaje

20 vite nëpër botë, kulinari durrsak tregon si fitoi suksesin në Itali

Prej 20 vitesh në emigrim, është përballur me sfida pafund. Liri Taipi nga Durrësi aktualisht është 38 vjeç, dhe gjysmën e jetës e ka kaluar jashtë Shqipërisë. Pasi ka marrë udhën në shumë vende të botës është ndalur në Itali, aty ku ka ndërtuar të ardhmen në fushën e kulinarisë.

8 vjeçaren e ka bërë në Shkozet, dhe pasion ka pasur leximin e gjografinë. Pavarësisht se u largua që në moshë të re në emigrim, këmbëngulja dhe vullneti i tij bëri që sot të jetë specialist në gatim duke bërë “xheloz” dhe italianët. “Që në fëmijëri kam patur pasion leximin dhe lënden e histori-gjeografisë. Nuk është se kam patur thjesht një ëndërr që të bëja diçka. Me shumë se ëndrrat kam ushqyer kureshtjen drejt çdo gjëje. Kjo me ka bërë të udhëtoj në shumë shtete të botës në zbulim të qytetërimeve të ndryshme dhe traditave kulinare”, tha Liri pë Pozitivin.

Momentet më të vështira për të kanë qenë vitet e para në emigrimit, larg familjes, krejt i vetëm në një botë të re.  Por ia doli me këmbëngulje. “Nga këto momente dilet vetëm me këmbëngulje e durim duke pasur gjithmonë në mendje ëndrrat të cilat janë ato që çojnë njeriun përpara”. Ka marrë pjesë në shumë kurse gatimi, e tashmë është shef në një hotel në Itali. “Ndërsa tani jam chef hoteli 4****, në Itali. Kam marrë pjesë vazhdimisht në konkurse dhe shkolla guzhine, gjë që më ka shërbyer pa masë. Mund të përmend disa ku kam marrë pjesë, të cilat janë: Istituti Boscolo Atoile Academy, Cast Alimenti, Chocolate Academy, Icook Academy”, tha 38 vjeçari për Pozitivin.

Pavarësisht punës dhe arritjeve Liri gjatë intervistës për Pozitivin pranon se pas fjalëve të bukura, ndaj  shqiptarëve “ndihet njëfarë mosbesimi që më shumë është produkt i mosnjohjes kundrejt shqiptarëve”. Sipas Liri, “Paragjykime ka patur atëherë në hapat e para kur isha thjesht një ndihmës, por më shumë paragjykime ka tani që jam chef guzhine. Pavarësisht se të gjithë përpara të thonë fjalë të bukura në pamje por ndihet njëfarë mosbesimi që më shumë është produkt i mosnjohjes kundrejt shqiptarëve. Por megjithatë italianët janë një popull me trashëgimi mikpritje dhe mbeten një popull dhe një shtet që unë i detyrohem shumë pasi me dha shansin e jetës dhe zanat”. Planet dhe motivimin si ia doli të krijojë një jetë të re në vend të huaj e keni më poshtë në intervistën e plotë.

 

Intervista me Liri Taipi për pozitivi.org:

Pozitivi: Një prezantim të vetes, kush  është Liri Taipi?

Liri: Kam lindur në Durrës në vitin 1979. Shkollën 8 vjeçare e kam kryer në Shkozet tek Hasan Koçi. Pastaj kryeva shkollën 4 vjeçare mekanike për motorrist. Kam pasur gjithmonë pasion leximin dhe lëndën e historisë edhe pse nuk munda të kryeja gjimnazin apo më vonë universitetin për arsye emigrimi kam zhvilluar kureshtjen për studimet në çdo fushë.

Pozitivi: Sa vite ke në emigrim?

Liri: Në emigrim kam 20 vjet. Jam rezident prej 20 vitesh në Alassio në provincia të Savona rajoni Liguria. Vend turistik bregdetar.

Pozitivi: Si të ka lindur dëshira për t’u marrë me gatim?

Liri: Në fillim normal nga nevoja për punësim. Pastaj pasioni avash avash bëri të vetën. Duke njohur gjithmonë njerëz të rinj me histori të ndryshme dhe mundësi të ndryshme më ka bërë të ndërroj disa hotele dhe kjo ka shtuar eksperiencën dhe adrenalina e sfidës dhe kompeticionit të bën që të rritesh në aftësi duke frekuentuar akademi me të rëndësishme. Ndërsa tani jam chef hoteli 4****, në Itali. Kam marrë pjesë vazhdimisht në konkurse dhe shkolla guzhine, gjë që më ka shërbyer pa masë. Mund të përmend disa gjëra që kam marrë pjesë, të cilat janë: Istituti Boscolo etoile academy,Cast alimenti, Chocolate academy, Icook academy. Ku ndodhen docentet me të mirë nga guzhina dhe pastiçeria.

Pozitivi: Ka qenë e vështirë të përshtateshe në Itali?

Liri: Përshtatja si çdo fillim i ri normal ka qenë i vështirë. Largimi nga familja nga shoqëria në moshë të re nuk është e lehtë. Por që në fillim i kam pasur idetë e qarta. Diçka, sukses me punë do të arrij…

Pozitivi: Cilat mendon se janë disa nga veçoritë e tua që të kanë shtyrë drejt suksesit?

Liri: Mendoj se italianët duke qenë vetë popull punëtor presin që edhe të tjerët të jenë të tillë. Kjo besoj është cilësia e parë. Pastaj siç shkruajta edhe më sipër pasioni dhe aftësia për tu ndierë gjithmonë në kompeticion bën që të tjerët të vlerësojnë rezultatin e pjatave.

Pozitivi: Cili është specialiteti yt në gatime? A gatuan recetat shqiptare?

Liri: Në përgjithësi me pëlqejnë edhe guzhina edhe pastiçeria. Pas një pasioni të madh për pastiçerinë kohët e fundit i jam kthyer guzhinës. Pasi edhe kam mësuar disa teknologji të reja për përmisimin e recetave.

Zona tek e cila ndodhem është afër Montecarlo e San Remo. Zakonisht kemi klientelë me pozitë të lartë të cilat pretendojnë e preferojnë guzhinë të lartë. Perveç ndonjë rasti tek tuk për personelin nuk kam gatuar guzhinë dhe shumë receta shqiptare.

Pozitivi: Cilat kanë qenë momentet e tua më të vështira në emigrim?

Liri: Momentet më të vështira normal kanë qenë vitet e para të emigrimit. Larg familjes dhe në një moshë mjaft të re çdo gjë është e vështirë. Nga këto momente dilet vetëm me kembëngulje e durim duke pasur gjithmonë në mendje ëndrrat të cilat janë ato që çojnë njeriun përpara. Paragjykime ka patur atëherë në hapat e para kur isha thjesht një ndihmës, por më shumë paragjykime ka tani që jam chef guzhine. Pavarësisht se të gjithë përpara të thonë fjalë të bukura në pamje por ndihet njëfarë mosbesimi që më shumë është produkt i mosnjohjes kundrejt shqiptarëve. Por megjithatë italianët janë një popull me trashëgimi mikpritje dhe mbeten një popull dhe një shtet që unë i detyrohem shumë pasi me dha shansin e jetës dhe zanat.

Pozitivi: Më lart ke thënë që lexoje shumë libra, cilat kanë qenë ëndrrat e tua?

Liri: Po. Që në fëmijëri kam patur pasion leximin dhe lënden e histori-gjeografisë. Nuk është se kam patur thjesht një ëndërr që të bëja diçka. Me shumë se ëndrrat kam ushqyer kureshtjen drejt çdo gjëje. Kjo me ka bërë të udhëtoj në shumë shtete të botës në zbulim të qytetërimeve të ndryshme dhe traditave kulinare. Kam udhëtuar në Angli. Poloni. Hungari. Francë. Gjermani. Zvicër. Holland. Thailand. Brazil.

Pozitivi: Ke menduar të kthehesh në Shqipëri?

Liri: Aktualisht nuk kam ndonjë plan konkret për rikthimin në atdhe përfundimisht. Shumë herë ndeshem me vetveten pasi më lind dëshira për t’u kthyer të jap eksperiencen time në fushën e kulinarisë. P.sh. kur shoh lloj lloj pseudo guzhinier nëpër TV të ndryshme duke ngatërruar shumë përbërës pa lidhje në receta të ndryshme. Ose kur frekuentoj restorante pseudo të famshme italiane apo nga guzhinier shqiptar, guzhina është skandal dhe shërbimi akoma më dobët. Megjithatë nëqoftëse do vinte ndonjë ofertë serioze më shumë nga organizimi sesa nga ana ekonomike do e merrja seriozisht.

      

 

 

 

© 2017, Pozitivi. All rights reserved.