2 vëllezërit e talentuar, rrëfejnë pasionin për futbollin: E braktisim Italinë për kombëtaren shqiptare
2 vëllezërit e talentuar shqiptarë të lindur në Itali, rrëfejnë pasionin për futbollin dhe ëndrrën për t’ju bashkuar kombëtares shqiptare
Dy vëllezër me origjinë nga Shqipëria Deon dhe Ador Zhuzhi, 17 dhe 15 vjeç pasionin e fëmijërisë për sportin po e kthejnë në profesion të së ardhmes. Të dy janë pjesë e një prej klubeve më të vjetra në Itali, Genoa. Deoni është pjesë e skuadrës së grupmoshës U17 kurse Adori tek U15. Gjatë një interviste për pozitivi.org njëri nga vëllezërit na tregon eksperiencën e fundit me kombëtaren shqiptare dhe dëshirën që në të ardhmen të luajnë për Shqipërinë.
Adori në muajin korrik iu bashkua skuadrës U15 të kombëtares shqiptare në ndeshjen kundër Kroacisë, me ftesë të trajnerit Eqerem Memushaj. Me siguri trajneri i U15 e ka pikasur talentin me origjinë nga Dibra. “Unë u njoftova nga grupi në Genova per ftesen për dy ndeshje miqësore me Kroacinë. Më erdhi si pa pritur ftesa dhe nuk e besoja në fillim, që do të luaj për Shqipërinë. Ndeshjet shkuan shumë mirë edhe pse i humbëm që të dyja. Kënaqësia ishte e madhe dhe jam argëtuar pa masë. Njoha dhe zura shokë të rinj shumë. Emocionet normalisht ishin të paimagjinueshme”, thotë Adori i kontaktuar nga pozitivi.org.
Dëshira për të luajtur futboll i ka lindur që në moshën 5 vjeçare prej vëllait, Deonit. Deoni stërvitej me një skuadër kur Adori ishte vetëm 5 vjeçe. Kështu u rrëmbye edhe ai nga pasioni për sportin dhe që atëherë ka zënë vend të rëndësishëm në jetën e tij. Adori e tregon këtë moment të bukur të fëmijërisë që e drejtoi nga e ardhmja, me krenari.
“Dëshira për futboll më ka ardhur prej vëllait tim që stërvitej me një skuadër kur unë isha vetëm 5 vjeçe. Aty fillova të stërvitesha edhe unë. Që në moshën 6 vjeçe bashkë me vëllain shkuam tek Savona ku skuadra ishte në serinë C Lega. Vazhduam të luanim aty për 7 vjet ku u pikasëm nga drejtori sportiv te Genoa i cili na tërhoqi në klubin e tyre në serinë A ku vazhdojmë të stërvitemi dhe luajmë për këtë të fundit”, rrëfen më tej Deoni.
Të gjithë dëshirojmë që t’i bëjmë ëndrrat tona realitet, por shpesh gjatë rrugës hasim vështirësi. Por Deoni dhe Adori kanë ndjekur rrugën e duhur. Ata janë të vendosur të arrijnë majat sepse në çdo hap i ndjek pasioni. “Jemi të apasionuar shumë pas futbollit që të dy, e shpresojmë që të shkojmë sa me lart. Jemi të vetëdijshëm se është një rrugë e gjatë dhe shumë e vështirë por ne kemi vendosur që të japim maksimumin për arritur suksesin që duam”, tregon me vendosmëri 15 vjeçari i talentuar.
Konkurentë në fushë, vëllezër të një gjaku, por mbi të gjitha janë shokë të ngushtë. Vëllai i vogël Zhuzhi na flet për lidhjen mes tyre dhe këshillat mbi sportin. “Në jetën e përditshme raportet tona janë shumë të mira. Nuk jemi vetëm vëllezër por dhe shumë shokë. Stërvitjet i kemi të ndara por rrugën vajtje dhe ardhje e bëjmë bashkë. Gjatë javës kur kemi kohë të lirë dalim bashkë dhe stërvitemi e konsultohemi për shumë gjëra, sidomos mbi futbollin”.
Kështu nis dhe mbaron një ditë e zakonshme për 2 vëllezërit futbollistë. “Një ditë e jona është shumë e ngarkuar, zgjohemi në orën 7 të mëngjesit. Gjithçka e kemi të planifikuar. Bëhemi gati dhe ikim në shkollë, mësimi fillon në orën 8 dhe në orën 13:20 dalim nga shkolla per të marrë trenin e orës 13:40. Menjëherë nisemi për në stërvitje. Gjatë rrugës për në stërvitje hamë gjëra të shpejta. Në 14:30 arrijmë tek fushat ku stervitemi deri ne orën 17 :00. Pasi mbarojmë rutinën aty, në shtëpi mbërrijmë rreth orës 18:40. Pastaj në shtëpi, pushojmë, hamë darkë, merremi me mësimet për të nesërmen. Ndonjëherë na zë gjumi mbi libra”, thotë Adori.
Ende janë në shkollë dhe pavarësisht angazhimeve që kanë me futbollin s’e kanë neglizhuar asnjëherë. Talenti s’u mungon, vendosmëria, pasioni dhe përkushtimi janë në maksimum, kështu që s’ka si të mungojë as suksesi në të ardhmen. Planet i kanë të qarta, drejt futbollit. Kanë lindur në Itali, por një dëshirë e madhe është që në të ardhmen të bashkohen me kombëtaren shqiptare.
“Planet tashmë janë të një rruge, drejt futbollit. Po punojmë çdo ditë për t’u bërë futbollistë sa më të realizuar dhe një ditë shpresojmë të luajmë për ndonjë skuadër të madhe. Një dëshirë e jona është të bëhemi pjesë e kombëtares shqiptare, edhe përse kemi lindur në Itali. E ‘braktisim’ për kombëtaren shqiptare”, përmbyll në fund bisedën Adori.
© 2018, Pozitivi. All rights reserved.





